Alarm shifra te larta te pacienteve te semure me veshka

Shqiptarët kanë ndryshuar stilin e jetës duke u bërë sedentarë dhe për pasojë duke rritur rrisqet për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme të cilat lidhen me mënyrën e jetesës.

Në ditën botërore të Veshkave, mjekët nefrologë hedhin alarmin se në pesë vitet e fundit, Shqipëria po raporton shifra të larta të pacientëve të sëmurë me veshka, njësoj si SHBA. Ndonëse këto shifra nuk janë më të lartat në rajon, përsëri ato janë shqetësuese.

Shefi i pavionit të nefrologjisë në QSUT, doktor Nestor Tereska theksoi sot se ka shumë arsye për shfaqjen e insufiçencës renale (dalja jashtë funksioni i të dyja veshkave), por diabeti dhe hipertensioni janë ndër më kryesoret.

“Sipas studimeve të shumta, thuhet se në vitin 2025 këto dy sëmundje do të jenë shkaktarët e vdekjeve në botë, ndaj unë përfitoj nga rasti t’u bëj apel të gjitha moshave, ruaj veshkën, kontrollo diabetin. Një parandalim i këtyre sëmundjeve sot do të shpëtonte jetën nesër. E rëndësishme është që trajtimi i pacientëve me veshka në vendin tonë, ka ardhur në vite duke u përmirësuar. Pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha të vendit janë ngritur repartet e hemodializës për pacientët e sëmurë të cilët marrin dializën”, thotë Tereska.

Sipas mjekëve specialistë, vitet e fundit po raportohen raste të sëmundjes së veshkave dhe tek fëmijët.

Tereska thotë se obeziteti, ushqimet me yndyrna të tepërta por dhe trashëgimia janë disa nga faktorët e rritjes së numrit të rasteve me insufiçencë renale tek fëmijët.

Për këtë arsye, këtë vit do të ngrihet pranë spitalit pediatrik, një repart i vogël hemodialize për fëmijët e sëmurë me veshka.

Dy prej shkaktarëve të sëmundjes së veshkave janë diabeti dhe hipertensioni të cilat çdo vit raportojnë raste të reja në rritje. Mjekët thonë se pothuajse të gjithë pacientët që marrin dializë janë bërë diabetikë dhe kanë probleme me tensionin e gjakut.

Për të pasur statistika më të sakta në lidhje me numrin e të sëmurëve me veshka në shqipëri, një projekt i QSUT në bashkëpunim me mjekët italianë ka mundësuar krijimin e regjistrit kombëtar për të sëmurët me insufiçencë renale. Sipas këtyre të dhënave, rreth 20 deri në 250 të sëmurë me veshka kanë nevojë për dializë dhe nga këta, 30 duan ndërhyrje për transplant. Sipas mjekëve, aktualisht në të gjithë vendin marrin dializë rreth 300 pacientë me veshka prej të cilëve 120 në QSUT./NOA/