Alergjia ndaj produkteve kozmetike

Pavarësisht në se jeni ose jo një tip i ndjeshëm ndaj alergjive, gjithmonë ekziston mundësia për të patur një reaksion alergjik ndaj përdorimit të produkteve të caktuara kozmetike.

Për produkte dhe persona të caktuar, problemi mund të zgjidhet brenda pak ditëve duke identifikuar produktin dhe eliminuar efektet e tij të dëmshme në lëkurë. Për produkte dhe persona të tjerë, lëkura mund të mbetet e irrituar edhe për javë apo muaj me radhë pas eliminimit të produktit alergjizues.

Gjithsesi, ka disa parime që ndihmojnë në parandalimin, identifikimin në kohë dhe trajtimin e alergjisë ndaj produkteve kozmetike.

Garantohuni se “alergjia” juaj është vërtet e tillë!

Garantohuni që problemi juaj është pikërisht alergji ndaj një produkti dhe jo një problem mjeksor i lëkurës. Shumë probleme si psoriaza, rozacea, ekzema, inflamacioni i rrënjës së qimes, alergji ushqimore manifestohen me shenja të ngjashme me një reaksion alergjik të lëkurës ndaj produkteve kozmetike.

Lëkurë e irrituar, e enjtur ose e skuqur, të kruara dhe rash kutan mund të jenë fare mirë shenja të alergjisë dhe problemeve të lëkurës. Disa herë përvoja individuale ndihmon në diferencim, ndërkohë që në rrethana të caktuara mund të nevojitet ndihma e mjekut.

Gjeni “fajtorin”!

Gjeni cili është produkti ose përbërësi përgjegjës për problemi dhe ndaloni përdorimin e tij. Në se para pak ditëve keni blerë një krem të ri dhe përdorimi i tij ka dhënë një ose më shumë prej shenjave të sipërpërmendura, atëherë gjithçka është e lehtë.

Fatkeqësisht jo gjithmonë është kaq e lehtë. Shpesh problemet bëhen të dukshme javë apo muaj të tërë pas eksperimentimit me një produkt të ri kozmetik. Për më tepër, me numrin e madh të produkteve që përdoren çdo ditë, mund të jetë e vështirë të përcaktohet se cili produkt e ka shkaktuar alergjinë.

Për më tepër, shpesh nuk është një produkt, por një kombinim produktesh që shkakton reaksione alergjike të caktuara. Mënyra e vetme për të zgjidhur një situatë të tillë është durimi, eksperimentimi me eliminimin e produkteve për të cilat dyshoni se kanë shkaktuar problemin dhe studimi i efekteve nga mospërdorimi i tyre.

Kortizonikët mund të lehtësojnë pasojat!

Pavarësisht nga fakti në se e keni gjetur ose jo “fajtorin”, përdorimi i një kremi me përmbajtje kortizoni mund të jetë zgjidhja për lehtësimin e pasojave. Një pjesë e këtyre kremërave shiten pa recetë, ndërsa për të tjerë nevojitet fillimisht vizita dhe receta e mjekut.

Pavarësisht nga shkaku i alergjisë, një krem me përmbajtje kortizoni lehtëson inflamacionin dhe eliminon shenjat e tij. Aplikimi i kremit duhet të vazhdojë edhe disa ditë pas eliminimit të shenjave. Kryesorja që duhet mbajtur mend është: përdorimi i një kremi me përmbajtje kortizoni nuk e zgjidh problemin: zgjidhja është eliminimi i produktit kozmetik që ka shkaktuar alergjinë.

Përdorimi i një kremi me përmbajtje kortizoni, qoftë edhe i kremërave që jepen pa recetë mjeku nuk mund të vazhdojë më tepër se pak javë. Përveç efekteve të dëmshme për shëndetin, përdorimi i zgjatur i kremërave me përmbajtje kortizoni shkakton edhe probleme kozmetike që lidhen me dëmtimin e kolagjenit dhe elastinës.

Evitoni irritantët dhe djersitjen!

Ndërkohë që këni një problem me reaksione alergjike në lëkurë, mos përdorni irritues të lëkurës në zonën e prekur. Aromat, skrabet, sfungjerët, acidi glikolik (dhe çdo produkt tjetër me përmbajtje AHA), peroksidi i benzoylit, zbardhuesit e lëkurës dhe çdo produkt tjetër që shkakton irritim në lëkurë, e përkeqësojnë problemin më tej. Evitoni saunat, banjat e avullit dhe djersitjen në përgjithësi (në se është e mundur), pasi këto e nxisin më tej reaksionin alergjik.

Kërkoni ndihmë mjeksore!

Në se për një muaj problemi nuk zgjidhet, rekomandohet vizita mjeksore tek një mjek dermatolog. Në mënyrë të ngjashme, në se reaksioni alergjik është i shkallës së rëndë – vështirësi në frymëmarrje, lëkurë dhe sy tepër të enjtur, njolla të kuqe në lëkurë që të japin ndjesi nxehtësie apo pickimi – konsultoni menjëherë një mjek.

Një reaksion i fuqishëm alergjik mund të jetë deri kërcënues për jetën. Ju mund të keni nevojë për trajtim mjeksor urgjence dhe, më pas, për trajtim mjeksor të vazhdueshëm për ta kaluar një situatë të tillë.

Komento