Alta Moda, veshjet të stilistëve italianë

Fustane mbrëmjeje, dasme, të përditshëm, por të gjitha këto në materiale të kushtueshme dhe të sofistikuara.

Sfilojnë në pasarelën e Romës, krijimet e shoqërisë së lartë të shtëpive të modës më në zë të Italisë.

Krijime të mrekullueshme, që të bëjnë të ëndërrosh…

Gattinoni Gattinoni

Himni i jetës, një dedikim për rigjallërimin dhe rifitimin e rinisë së përjetshme. Veshje dinamike që zhvillohen si krahë imagjinare të një fluture, simbol i rilindjes. E më pas, t-shirte: të strukturuara ose të pastrukturuara, me një model të papërcaktuar qartë, me shije të theksuar moderne. Ndërthuren në mënyrë perfekte materialet e satenit me kopsa të mëdha për një pamje vërtet të veçantë. Ngjyrat e preferuara për këtë koleksion janë: ngjyra perlë dhe bojëqielli

Lorenzo Riva

Femra të sofistikuara dhe stil i viteve ’70 për një linjë të veçnatë, siç e cilëson vetë stilisti. Detaje të çmueshme, veshje të skulpturuara, materiale që modelojnë siluetën e një femre tërheqëse dhe pa kohë. Veshja karakteristike e këtij koleksioni konsiderohet palltoja klasike, me figura gjeometrike dhe ngjyra nga e bardha deri te grija dhe e zeza. Materiali i përdorur është padyshim stofi i çmueshëm.

Renato Balestra

Lule, ngjyra dhe mbrëmje madhështore. Veshje delikate si petalet e një trëndafili, të ëmbla si një karamele. Një sfilatë vërtet e mrekullueshme ajo e Renato Balestrës, ku kishte përzgjedhur rreth 70 modele për të magjepsur të pranishmit. Bluza me dantella dhe xhinsa dhe më pas një ylber ngjyrash me materialesh të ndërthurura dhe në harmoni me njëra-tjetrën. Nuk u përjashtuan nga ky koleksion edhe veshjet për meshkuj.

Marella Ferrera

Gjthçka e punuar me pëlhurë liri, të prera me kujdesin më të madh, qëndisje të mrekullueshme dhe tepër të rralla për veshje të lehta si një puhizë ere. E çuditshmja dhe e mrekullueshmja qëndron në faktin se secila prej tyre peshon deri në 21 gram. Nga e bardha e pastërtisë, deri në të zezën e llavës së ngurtë, ngjyrat e zgjedhura për këtë koleksion i ngjasojnë një udhëtimi në kohë, në të cilën stilistja imagjinon takimin me: Ajrin, Ujin, Zjarrin dhe Tokën.

Camillo Bona

Elegancë, klas, gjithçka për një femër të sofistikuar. Veshje për ditë të çfarëdoshme, për mbrëmje rrëzëllitëse, në ngjyrë pana, të bardhë dhe blu, ngjyra që thërrasin pranverën. Kombinim pantallonash dhe xhaketash për një stil të përditshëm si dhe një siluetë e veçantë për femrën delikate e në të njëjtën kohë moderne. Materiale të lehta që valëzojnë me gjunjët delikatë dhe një atmosferë elegante për më shumë joshje dhe dëshirë.

Fausto Sarli

Forma gjeometrike në lëvizje dhe shumë lule. Një femër që di të ndërthurë brenda vetes së saj abstrakten me natyralen, materien me konceptin, prerjet moderne me ato tradicionale. Është një bashkim i këndshëm i të kundërtave, që formon një siluetë fosforeshente, me shumë lule që marrin nga format e trupit të femrës atë që më pas kthehet në emocion. Nga ekspertët e modës është konsideruar si një nga stilistët më të veçantë dhe të pabindur.

Gianni Calignano

E bardhë dhe violë, pendë struci dhe përla të cilat kominohen në mënyrë harmonike me njëra-tjetrën. Materiale fine dhe të sofistikuara, në ndjekje të butësisë dhe efektit mahnitës. Gjithçka është në funksion të ngjyrave, ku pa dyshim dominon viola. Veshjet bëhen të mrekullueshme kur janë në kontakt me modelet, të cilat nuk ngurojnë që gjithçka ta reklamojnë sa më denjësisht. Është pikërisht materiali ai që bën diferencën, ndërsa pendët e strucit mishërojnë shirtin rebel.

Komento