Armiqte e lekures se femrave

Çdo ditë kur zgjohesh, por edhe para se të flesh, pastron lëkurën tënde me late dhe tonik dhe e “ujit” me një produkt me veprim të lehtë hidratues.

Më pas e ushqen me një krem anti-rrudhë. Edhe pse ndjek në mënyrë skrupoloze abc-në e bukurisë, përsëri fytyra jote nuk ka një pamje shumë të kënaqshme.

Gjithashtu irritohet dhe skuqet me lehtësi. Shpjegimi është i thjeshtë: lëkura me kalimin e kohës tenton të fishket, pasi është normal procesi kronologjik i plakjes. Por kësaj i shtohen edhe një sërë faktorësh me veprim agresiv mbi lëkurën tonë.

I ftohti
Dimri është shumë i përshtatshëm për të fjetur. Edhe lëkura jote mendon kështu. Në temperaturat e ulëta metabolizmi i qelizave ngadalësohet dhe lëkura rinovohet më me vështirësi. Jo vetëm kaq, i ftohti tenton të dobësojë filmin hidrolipidik (barriera e mbrojtjes natyrale) dhe vepron në shtrëngimin e kapilarëve. Në këtë mënyrë në fytyrë do të qarkullojë më pak gjak (pra më pak ushqim) për qelizat. Pasojat kryesore janë mos hidratimi, skuqja dhe kapilarët e kuq që fillojnë të evidentohen. I ftohti bëhet një armik kritik sidomos mbas të 40-ve. Ngadalësimi i metabolizmit implikon edhe një kapacitet më të vogël për të neutralizuar radikalet e lira, përgjegjëset kryesore të plakjes. Enzimat, substancat kimike që duhet të na mbrojnë, nën efektin e të ftohtit punojnë me një efikasitet më të vogël. Mbroji sytë dhe buzët me një krem specifik dhe përdor një herë në javë një maskë hidratante (më efikase janë ato me bazë ekstrakte vegjetale të cilat kanë edhe një veprim anti-skuqje).Vër në tavolinë omega 3 (sardelet dhe salmonin), yndyrat që fuqizojnë mbrojtjen e lëkurës, vitaminën C (kivi, agrume, speca): veprimi i tyre antioksidues forcon kapilarët.

Plakja
Ke një lëkurë më të re në krahasim me bashkëmoshataret e tua. Falëndero mamin dhe babin: të kanë dhuruar gjene që ta mbajnë kompakte më gjatë se zakonisht. Plakja kronologjike në krahasim me atë të shkaktuar nga rrezet e diellit, është e lidhur me faktorët biologjik gjenetik të ADN-së tonë të cilat japin instruksione për të ndërtuar organizmin tonë. Për të kontraktuar shenjat e kohës që kalon, është mirë që t’i sigurojmë epidermës një hidratim deri në 30-35 vjeç. Pastaj shtohet edhe ushqyerja për të stimuluar formimin e kolagjenit dhe të elastinës. Plakja e lëkurës fillon që ditën kur lind, por sigurisht shenjat e para duken rreth moshës 30 vjeç, me daljen e rrudhave të para që krijohen nga mimika, parregullsi të vogla rreth syve, anës buzëve dhe gojës të cilat mund të maskohen lehtësisht me truk. Specialistët këshillojnë përdorimin e produkteve antioksidues dhe hidratantë dhe trajtimet të zgjidhen sipas moshës tuaj. Por mbas të 30-ve një herë në vit duhet të bësh një vizitë dermatologjike për të vlerësuar gjendjen e lëkurës tënde (e cila mund të jetë më e re ose më e vjetër se ti) dhe kështu të individualizosh kurat e duhura.

Stresi dhe ndikimi i tij në lëkurë
Nëse je duke kaluar një periudhë të vështirë, mos u çudit nëse lëkura jote humbet shkëlqimin dhe butësinë. Truri reagon dhe stresi prodhon disa substanca të quajtura neurotransmetues të cilat shtrëngojnë enët e gjakut duke shkaktuar një ngadalësim të qarkullimit. Cili është rezultati? Epiderma bëhet opake dhe rrudhat rreth syve, buzëve dhe gojës theksohen më tepër duke e bërë lëkurën tuaj që të ngjajë më e plakur. E nëse stresit i shtohet edhe një ambient i ndotur qyteti, plakja është padyshim e parakohshme. Më të rrezikuarat janë femrat e reja nga 20 deri në 30 vjeç. Sugjerimet e specialistëve për këtë grup-moshë janë: Kushtoji çdo ditë një gjysmë ore kohë vetes tënde, lexo një libër, bëj joga ose bëj ushtrime të frymëmarrjes së thellë. Pra kaloje kohën ashtu siç të pëlqen ty, por dhe pasuro kozmetikën me trajtime rivitalizuese.

Pasojat e duhanit
Cigarja e rëndon pamjen e lëkurës tënde, aq sa specialistët thonë “fytyrë tym” për të treguar atë bashkësi rrudhash rreth syve, buzëve dhe gojës që krijohen mbas dhjetë vjet pirje e rregullt cigaresh. Cigarja bën keq, sepse nikotina krijon një lloj tape që pengon oksigjenin që të hyjë në inde. Dhe pa oksigjen qelizat mbeten të uritura dhe nuk arrijnë që të jenë të shëndetshme. Në këtë mënyrë lëkura humbet shkëlqimin, epiderma thahet dhe irritohet plotësisht. Përveç kësaj nikotina prish mikroqarkullimin duke penguar prodhimin e kolagenit dhe të fibrave elastike. Kështu lëkura humbet elasticitetin dhe plaket më shpejt. Nëse je vajzë e re dhe lë cigaren, dëmet e saj mund të riparohen dhe në mënyrë mjaft efikase. Ndërsa për një 40-vjeçare që ka 10 vjet që e pi cigaren, dëmet janë më të vështira për tu eliminuar dhe nganjëherë të pakthyeshme. Kërko t’u thuash lamtumirë cigareve dhe ndërkohë shto konsumin e vitaminës A. Gjendet sidomos në vezë, në domate, në spinaq dhe është vitamina e preferuar si një element toksik ndaj duhanit. Kremi i duhur është ai anti-rrudhë.

Pasojat e diellit
Bukuria jote e ardhshme varet edhe nga raporti që ti ke me diellin sot. Me kalimin e viteve epiderma reagon ndaj agresorëve diellorë dhe shtresa e jashtme e saj humbet elasticitetin. Mbroju gjithmonë nga rrezet e diellit dhe jo vetëm në verë ose kur je në mal. Edhe dielli që merr kur je në qytet, madje edhe në dimër, e vë në provë të fortë lëkurën tënde. Duhet të përdorësh kremra me filtra Uv, madje edhe fondotintën blije me këtë cilësi.

Pasojat e ndotjes në lëkurë
Nëse jeton në qytet, çdo ditë je e detyruar të bësh llogaritë me ndotjen. Ajri që të rrethon dëmton shtresën mbrojtëse të lëkurës tënde dhe në të njëjtën kohë depozitohen mikrograme dhe substanca toksike në formë pluhurash metalikë të padukshëm. Në këtë fushë beteje padyshim që fytyra jote është në radhë të parë: ndotet dhe merr një ngjyrë gri në kaf. Pa llogaritur këtu rreziqet e zhvillimit të alergjisë. Në epidermat më të ndjeshme, akumulimi i substancave të jashtme mund të shkaktojë irritime të bezdisshme antiestetike. Të vegjlit zakonisht kanë një jetë më të mbrojtur dhe më pak të ekspozuar në krahasim me shtëpiaket ose punëtoret që çdo ditë janë në kontakt me substanca alergjike si detersivë, spray, dhe ozoni që është prezent në disa fotokopje. Sistemi imunitar i të rriturve është më delikat dhe gati që të shpërthejë në reagime alergjike në prezencë të substancave irrituese. Pastroje gjithmonë lëkurën me kujdes me detergjent delikatë. Nëse e ke të irrituar ose sensibël, evito ato që përmbajnë sodiolaurilsolfato (substancë kimike që rrit irritimin) si dhe produktet që bëjnë shumë shkumë. Ato kanë një efekt të madh në heqjen e yndyrës deri në thellësi dhe e lënë lëkurën më të ekspozuar nga pluhurat alergjizues.