Aromat në produktet e kujdesit për lëkurën

Dy përbërës pothuajse universalë të pjesës më të madhe të produkteve kozmetike janë aromat dhe konservantët.

Pikërisht këta dy përbërës fajësohen si shkaktarët e reaksioneve alergjike dhe sensibilizuese ndaj produkteve kozmetike. Kujdes i veçantë i duhet kushtuar deklaratave false të një numri të madh produktesh kozmetike.

Cilësimi si hipoalergjizues, i testuar dermatologjikisht, produkt për lëkurë sensitive ose produkt i rekomanduar nga dermatologët shpesh janë slogane pa kuptim dhe nuk pasqyrojnë të vërtetën rreth produkteve.

Prej dekadash pranohet se aromat janë produkte irrituese për lëkurën. Megjithë këtë kompanitë kozmetike shfyrëzojnë një anë të dobët të grave – preferencën për produkte që kanë aromë të mirë.

Në se një kompani do të prodhonte produkte pa aromë, këto produkte nuk do të ishin aq tërheqëse nga ana komerciale sa produkte me aromë lulesh apo aroma të tjera artificiale. Prandaj kujdes! Ndonëse në listën e përbërsve nuk përmendet fjala “aromë” dhe ju mendoni se vaji i limonit, vaji i kardamomit, ose vajra të tjerë me emra ekzotike janë të shëndetshëm dhe të këndshëm, mos harroni se gjithsesi ata mund të jenë irritues për lëkurën.

Herën tjetër që admironi një produkt kozmetik me aromë të këndshme, mendohuni dy herë para se ta aplikoni atë në lëkurën tuaj. Aromaterapia mund të jetë e përshtatshme dhe e preferuar për të trajtuar gjendje emocionale, por jo domosdoshmërisht ajo është e dobishme për lëkurën.

Sa e mirë mund të jetë për humorin, aq e rrezikshme mund të jetë një aromë për lëkurën. Nuk ka rëndësi në se është një vaj esencial, apo një ekstrakt bimor. Për nga efekti në lëkurë, aromat janë të gjitha njëlloj.

Komento