Auto-hipnoza para lindjes heq dhimbjet?

Nënat e ardhshme duhet të mësojnë teknikën e auto-hipnozës, që është një alternativë ndaj ilaçeve kundër dhimbjeve.

Në vend se të paguajnë ilaçe të shtrenjta, ato në të ardhmen nuk do të kenë nevojë për këto gjëra. Hulumtimi rreth teknikës së auto-hipnozës do të zgjasë rreth 18 muaj, ndërkaq në të do të marrin pjesë rreth 800 nëna të ardhshme.

Në shumicën e spitaleve, 60 për qind e shtatzënave e përdorin ilaçin epidural që injektohet drejtpërdrejt në shpinë. Këto ilaçe jo vetëm që janë të shtrenjta, por mund ta rrezikojnë jetën e nënës dhe të foshnjës. Ilaçi epidural zgjat kohën e lindjes dhe në të shumtën e rasteve nevojitet prerja cezariane.

Për këtë lloj ilaçi mendohet se mund të ndikojë negativisht edhe në dhënien e gjirit, edhe pse për një gjë të tillë nuk ekzistojnë fakte të mjaftueshme. Po ashtu, mendohet se ndikon edhe në depresionin e pas-lindjes.

Adhuruesit e lindjes natyrale theksojnë se ilaçet e zvogëlojnë realitetin dhe kënaqësinë që sjell lindja. Profesor Su Don, udhëheqës i këtyre studimeve, thekson: “Ideja është që gratë të mësohen ta kontrollojnë dhimbjen e tyre dhe ekzistojnë fakte që tregojnë se hipnoza ndikon pozitivisht edhe në segmentet tjerë të shëndetit”. “Nëse rezultatet janë të mira, do të vazhdojmë edhe më tej me studimet”, thekson mjeku. Tani lindjet si kjo janë mjaft popullore në Britani, me ndihmën e 20 terapeutëve të kualifikuar.

Mësimet zgjasin për disa orë, ku gratë provojnë ta sjellin veten e tyre në relaksim të thellë. Kritikët theksojnë se kjo mënyrë është e suksesshme vetëm te një nga katër gratë dhe se një gjë e tillë është e rrezikshme për foshnjat.

Komento