Bakteret rezistuese ndaj barnave

Mjekët dhe shkencëtarët në mbarë botën thonë se kohët e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të baktereve që janë bërë rezistuese ndaj antibiotikëve.

Sëmundje dikur të mjekueshme, si tuberkulozi dhe malaria, po ndryshojnë me shpejtësi në tipa agresive që u rezistojnë mjekimeve.

Studiuesit mendojnë se arsyeja që ilaçet nuk po bëjnë më efekt është ose ngaqë pacientët po marrin shumë antibiotikë, duke dobësuar fuqinë e ilaçit, ose duke e lejuar bakterin të ndryshojë, ngaqë mjekimi nuk merret deri në fund.

Në një spital të Floridës, mjekët u habitën kur panë rastin e një të sëmuri me tuberkuloz të një tipi agresiv, ndaj të cilit antibiotikët nuk bënin efekt. Studiuesit janë të një mendimi, se është keqpërdorimi i ilaçeve që i ka ndihmuar bakteret të krijojnë rezistencë.

Kjo ka ndodhur edhe me malarien në Kamboxhia, ku mjekimet nuk japin efekt në kurimin e sëmundjes. Vitet e fundit fermerët kanë përdorur përherë e më tepër antibiotikë te bagëtia. Por ndërsa ilaçet i mbrojnë kafshët nga sëmundjet, ato mund të shkaktojnë në të njëjtën kohë infeksione rezistente ndaj tyre, duke i vënë kështu fermerët dhe konsumatorët në rrezik.

Mjekët në Shtetet e Bashkuara thonë se është jetike që të bëhet më tepër për t’u siguruar që njerëzit të mbrohen nga këto mikroorganizma vdekjeprurës.