Bashkëshorti ideal

Ata që janë në kërkim të bashkëshortit ideal le të shohin sesa idealë janë vetë. Ja disa kritere: bashkëshorti nuk është një bartës i shqetësimeve të tjetrit, por shoku me të cilin ndan çdo moment të jetës.

Bujar në fjalët e bukura, koprrac në fjalët e shëmtuara. E di shumë mirë që kritika e largon dashurinë. Nuk është si një shqiponjë që vëzhgon nga larg bashkëshorten, por si një papagall që qëndron në supin e saj.

Çdo vajzë apo djalë para martesës ëndërron të martohet me një njeri ideal.

Mirëpo përballë idealeve, ëndrrave, shpresave dhe qëndrimeve të pandryshueshme është pak e vështirë të hapësh derën e martesës.

Edhe nëse ka kaluar të tridhjetat dhe nuk lëshon aspak pe përsa i përket pretendimeve që ka, është shumë e vështirë të gjejë njeriun ideal. Ne nuk e dimë nëse të rinjtë e gjejnë apo jo bashkëshortin ideal. Por ne kemi përmbledhur në 10 pika tiparet dhe veçoritë e bashkëshortit ideal:

1. Pikësëpari, një bashkëshort ideal është një mik dhe shok i mirë. Duke biseduar orë të tëra me bashkëshorten arrin të krijojë një atmosferë të këndshme. Ndjen interes për të gjitha gjërat që bashkëshortja është e interesuar. Bashkëshorti nuk është bartës i shqetësimeve të tjetrit, por është shoku me të cilin ndan gëzimet dhe hidhërimet. Nuk i ngelet hatri për çdo gjë si një fëmijë i llastuar. Ai nuk është si një frut i hidhur dhe djegës, por, si një frut i pjekur.

2. Është i ndjeshëm, i sjellshëm dhe i mirëkuptueshëm. Tema që e shqetëson bashkëshorten është si një zonë e minuar për të dhe përpiqet të qëndrojë sa më larg. Nuk është pesimist dhe i vlerëson ngjarjet me një sy pozitiv. Me fjalën e ëmbël dhe buzëqeshjen e tij i dhuron bashkëshortes lumturi dhe forcë për të ecur përpara.

3. Dashuria, përkujdesja dhe fjalët e bukura nuk zëvendësohen asnjëherë me miliona dollarë. Ai i cili është bujar në fjalë të bukura është koprrac në fjalët ofenduese dhe të shëmtuara.

4. E pranon bashkëshorten ashtu siç është dhe nuk përpiqet ta ndryshojë. Nuk e krahason atë me të tjerët. Largohet nga fjalët fyese të cilat mund t’i dëmtojnë besimin në vetvete. Si një natë e errët mbulon të gjitha gabimet e bashkëshortes dhe nuk ia transmeton të tjerëve. Në vend të grindjes dhe diskutimeve të ashpra kthehet në një mburojë durimi.

5. Në vend të ndërhyrjes në çdo fjalë dhe veprim dhe cënimit të personalitetit me kritika ai preferon respektin dhe nderimin. E di shumë mire që kritikat zbehin dashurinë. Merr mendimin e bashkëshortes në punët që do të bëjë dhe e pyet: “Unë mendoj kështu, çfarë mendimi ke ti?”

6. Është i butë, i këndshëm, tolerant , i mirëkuptueshëm dhe optimist. Lumturohet pa pritur që bashkëshorti ta bëjë të lumtur atë. Nuk e kalon jetën në pritje të diçkaje. Duke e konsideruar bashkëshorten si pema e lumturisë nuk pret që ajo të japë gjithnjë frute lumturie. Sillet sipas karakterit dhe temperamentit të bashkëshortet. Nuk qesh kur ajo qan dhe nuk qan kur ajo qesh.

7. Respekton të afërmit dhe familjen e bashkëshortes. Përballë të mirave të bëra nga bashkëshortja nuk tregohet kritikues por falenderues. Duke bërë shkak gjëra si pasuria, bukuria, zgjuarsia , fisnikëria nuk bëhet si një shqiponjë e cila vëzhgon nga lart bashkëshorten por si një papagall që qëndron në supin e saj.

8. Është i shkueshëm, nuk mërzitet shpejt nga çdo gjë. Nuk është grindavec dhe i nevrikosur. Ai përkëdhel lumturinë si një copë e kadifenjtë, e ruan si një thesar dhe përkujdeset për të si të ishte një fëmijë. Ai nuk preket nga gjëra të parëndësishme. Ai heq dorë nga disa gjëra në emër të sakrificës martesore. Të bëjë të lumtur bashkëshorten e lumturon edhe atë. Kërkon rrugët e kthimit të familjes në një fole të lumturisë. Nuk lejon kthimin e saj në një kënetë. Di kur të flasë e kur të heshtë. Për të tërhequr vëmendjen e bashkëshortes nuk përdor llafet por mendjen.

9. Respekton shijet dhe preferencat e bashkëshortes. Kur nuk i pëlqen diçka nuk i drejtohet me fjalët “Sa pa shije je, çfarë të pëlqen tek kjo?”, por ecën sipas parimit “Gustot nuk vihen në diskutim”. Sillet me ndershmëri ndaj bashkëshortes, nuk gënjen dhe nuk thyen besimin e saj. E mban fjalën e dhënë. Nuk e mashtron gruan me llafe boshe.

10. Duke mos pritur gjithnjë diçka nga bashkëshortja e pranon atë si njeri me gabimet dhe të metat e saj. Duke menduar se bashkëshortja është shoqja e përjetshme përpiqet me të gjitha mënyrat për të mos e humbur atë./gazeta start/

Komento