Canta nje aksesor nga i cili nuk mund te ndahemi

Kushtojnë sa një djall e gjysmë, por janë të “pavdekshme”. Nga “Chanel 2.55”, te “Kelly” e “Hermes”. Ja cilat janë modelet historike, që nuk kanë dalë kurrë nga moda dhe janë një investim i sigurt

Ndryshe nga veshjet, aksesorët mund t’iu shoqërojnë përgjithmonë. Nëse i zgjidhni me kujdes dhe dashuri, ato i mbijetojnë modës që shkon e vjen, ndriçojnë në krahët tuaj, si dhe iu garantojnë “besnikëri” absolute, më mirë se një bashkëshort, ose i dashur. Aksesori më i bukur femëror dhe tepër i pëlqyer nga gratë e vajzat është çanta, mikeshë e pandarë e çdo femre. Ja modelet e pavdekshme që prej vitesh kanë shoqëruar gratë e të gjitha moshave dhe kjo gjë do të vazhdojë me kalimin e brezave.

“Chanel 2.55”
Ky model është pjesë e historisë së markës “Mademoiselle Coco”. E krijuar në shkurt të vitit 1955, karakterizohet nga një zinxhir i artë dhe lëkurë e ndriçuar. “Chanel” e ka krijuar këtë çantë duke pasur ndërmend një grua moderne, e cila ka nevojë t’i ketë duart e lira, duke shpikur në këtë mënyrë zinxhirin. Deri më tani është një prej aksesorëve më të pëlqyer nga femrat dhe në vite kanë lindur versione të shumëllojshme, të ngjyrave dhe përmasave të ndryshme. Çmimet variojnë nga 1300 euro e lart.

“Kelly” e “Hermès”
Për të njohur historinë e kësaj çante të famshme, duhet të kthehemi në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Shtëpia e modës “Hermes” lindi fillimisht si një dyqan i thjeshtë, që shiste veshje dhe në vazhdim u orientua drejt aksesorëve të lëkurës. Shumë e vjetër është çanta që mbahet në dorë, e cila në vitet ‘30 u bë çanta për zonjat. Por vitet ‘50 do ta përjetësonin në krahët e Grace Kelly dhe do të bëhej shumë e famshme. Çmimi bazë është 5000 euro.

“Birkin” e “Hermès”
Çanta “Birkin” është vepër e stilistit Jean-Louis Dumas. Gjatë një udhëtimi Paris-Londër, stilisti takoi aktoren franceze Jane Birkin, e cila i tregoi se sa e vështirë ishte për të të gjente një çantë që t’i bënte punë dhe t’i përshtatej asaj, femërore, komode dhe e madhe. Dumas krijoi atë çantë që më pas u bë modeli mitik. Kostoja? Kushton rreth 5000 euro.

“Jackie” e “Guçi”-t
Një çantë moderne, e frymëzuar nga një ikonë e shekullit të kaluar. E kemi fjalën për Jacqueline Bouvier, zonja e famshme e Kennedy-t, dhe në vazhdim e Onassis, e pagëzuar me emrin “Jackie O”. Me një mbërtheckë të artë në mes, rrip të shkurtër dhe fjongo jeshile dhe të kuqe, në pak kohë u bë një nga çantat më të dashura nga femrat e famshme të asaj kohe, e ndërkohë vazhdon ende të preferohet. “Jackie” u krijua për herë të parë në vitet ‘50 dhe u bë popullore në dekadën e ardhshme, duke fituar një vend të rëndësishëm në arkivat historikë të shtëpisë së modës. Në vitet ‘90, Tom Ford e rinovoi sërish. Çmimi është afërsisht 2000 euro.

“Speedy” e “Louis Vuitton”
Baulja është ikona e shtëpisë franceze të modës. Kjo çantë jo shumë e madhe pëlqehej nga diva si Audrey Hepburn dhe Sophia Loren. U krijua në vitet ‘20, por koha nuk ka arritur “ta plakë”. Ka pësuar shumë ndryshime si version “Grafite” i “Stephen Sprouse”, ajo shumëngjyrëshe e “Takashi Murakami”, fantazia me fushë shahu e “Damier Azur”. Çmimi fillon nga 2900 euro për çantën e vogël.

“D Bag” e “Tod’s”
Këtë herë, muza e famshme e frymëzimit është Lady Diana. Princesha shumë e trishtuar dhe e dashur i ka dhënë emrin aksesorit të krijuar në vitet ‘90. Të qepura të cilat bëjnë kontrast, mbyllje me zinxhir, doreza mbajtëse të rrumbullakëta e kanë bërë menjëherë këtë aksesor një copëz kult. Pothuajse një dekadë pas lindjes, marka ka zgjedhur ta rinovojë, duke lënë mënjanë modelin klasik e duke e zëvendësuar me një më modern dhe tërheqës. Çmimi i saj fillon nga 1000 euro e lart.

“Chloè Paddington”
Ka formën klasike të valixhes së doktorit, por vetëm se në stilin femëror. Edhe pse është krijuar në vitin 2005, ka arritur të bëhet një prej modeleve më të preferuara nga yjet. Rripat janë krijuar në atë mënyrë që të mbahet si në dorë ashtu edhe në krah. Çmimi e kalon shifrën e 1000 eurove. Një detaj tjetër i pangatërrueshëm është mbyllja me një dryn të artë, i prodhuar në Itali.