Çfarë duhet të dijë një fëmijë katër vjeç?

Çfarë duhet të dijë një fëmijë katër vjeç?  Fëmijëria nuk duhet të jetë një lloj gare! Ndaj psikologët dhe sociologët propozojnë një listë të atyre gjërave që një fëmijë katër vjeç duhet të dijë

Duhet të dijë që të tjerët ta duan plotësisht dhe pa kushte, në çdo moment.

Ai duhet të dijë se është i sigurt dhe po kështu duhet të dijë se si të qëndrojë i sigurt në publik, në mes të tjerëve dhe në situata të shumëllojshme. Duhet të dijë që mund t’i besojë instinktit të tij për sa u përket personave dhe se asnjëherë nuk duhet të bëjë diçka që nuk i duket e drejtë, pavarësisht se kush ia kërkon atë.

Duhet të dijë se cilat janë të drejtat personale dhe se familja e tij do ta mbështesë gjithnjë.
Një fëmijë katër vjeç duhet të bëjë gjëra qesharake, të jetë naiv dhe të përdorë fantazinë. Duhet të dijë se nuk është aspak problem ta ngjyrosë qiellin me portokalli dhe të vizatojë mace më gjashtë këmbë.

Të jetë në dijeni për interesat e tij për të cilat duhet të inkurajohet për t’i ndjekur. Nëse nuk i intereson aspak për të mësuar numrat, prindërit e tij, duhet të kuptojnë se pas disa kohësh, thuajse rastësisht, fëmija juaj tashmë katër vjeç do t’i mësojë medoemos, ndërkohë duhet t’i lejoni të luajë lojërat që ai dëshiron.

Një katër vjeçar duhet të dijë se bota është magjike dhe se bashkë me të është edhe ai vetë: të jetë i mrekullueshëm, brilant, kreativ, i dashur dhe magjepsës. Duke e kaluar ditën edhe jashtë shtëpisë, në park ose në ndonjë vend tjetër të tillë, ai do të kënaqet edhe më shumë.
Por shumë e rëndësishme është edhe lista e gjërave që prindërit duhet të dinë me patjetër për këtë rast:

Që çdo fëmijë mëson të ecë, të flasë, të lexojë sipas ritmit të tij dhe se koha nuk do të ndikojë në zotësinë për të ecur, për të folur dhe për të lexuar.

E vetmja gjë që realisht do të jetë në gjendje të prodhojë rezultate të mira për të ardhmen e fëmijës e sidomos për atë akademike është leximi. Pra lexojini sa më shumë vajzës apo djalit tuaj, gjeni gjithmonë kohë për këtë pjesë.
Kushdo që është më inteligjenti ose më i shkathëti i klasës nuk do të thotë domosdoshmërisht se është më i lumturi.

Një nga avantazhet më të mira që mund t’u ofroni fëmijëve tuaj është një fëmijëri e thjeshtë dhe larg pajisjeve teknologjike. Nëse do të ndiqni këtë këshillë atëherë rezultatet do të jenë pozitive.
Fëmijët tuaj meritojnë të rrethohen nga librat, nga natyra, nga materialet për të shprehur pasionin e tyre artistik dhe nga liria për të eksploruar. Mos e harroni nëse dëshironi të rrisni fëmijë të lumtur dhe të mençur.

Ju si prindër duhet të dini se fëmijët kanë nevojë për prezencë më të madhe tuajën. Sigurisht, ju duhet të gjeni edhe kohë për profesionin apo veten tuaj, por kjo gjë nuk duhet t’ju kthehet në justifikim për të mos qenë më pranë të vegjëlve tuaj.