Cilat jane shkaqet e konjuktivitit neonatal

Konjuktiviti neonatal (KN) ose optalmia e të porsalindurit përcaktohet si konjuktivit me rrjedhje nga syri, që zgjat gjatë 28 ditëve të para të jetës. Infeksioni zakonisht fillon gjatë shtatzënisë ose gjatë lindjes nëpërmjet kanalit të infektuar të lindjes.

Shkaqet e konjuktivitit neonatal

Shkaqet më serioze të KN-së janë:

–IAR-të dhe IST-të e shkaktuara nga organizma të tillë si: neiseria gonorreja, klamidia trakomatike.

–Nga bakteriet piogene si: stafilokoku aureus, streptokoku pneumonia, hemofilus spp.

–Bakteriet gram-negative të marra nga infeksionet spitalore.

Shenjat e sindromës të konjuktivitit neonatal

Sëmundja përcaktohet pavarësisht nga shkaku etiologjik, mjafton që shenjat tek i porsalinduri të jenë:

–Rrjedhje purulente konjuktivale

–Fryrje e kapakëve të syve. Sy të mbyllur që nuk hapen dot.

–Mund të jenë unilateral ose bilaterale.

Komplikacionet

–Ulçeracione të kornesë që zakonisht avancojnë deri në çarrje të syrit dhe humbje të shikimit.

–Tek infeksioni gonokoksik, jashtë syrit manifestohen edhe shenja si artriti, septicemia, etj.

–Tek infeksioni klamidial, jashtë syrit manifestohen edhe shenja si pneumonia, otiti i veshit të mesëm, etj.

Parandalimi i konjuktivitit neonatal

–Të gjitha gratë përpara lindjes duhet të ekzaminohen për cervicit dhe kur shenjat nuk janë të pranishme. Kur cerviciti është i konfirmuar, trajtimi bëhet njëkohësisht tek të dy partnerët.

–Menjëherë pas lindjes pastrohet fytyra e bebit dhe sytë me pambuk të thatë steril, përpara se fëmija të hapë sytë.

–Hapen sytë e fëmijës duke pastruar ngadalë kapakun e sipërm dhe atë të poshtëm.

–Aplikohet 1% tetraciklinë pomadë, në çdo sakus inferior konjuktival.