Dasma moderne e çiftit mbretëror britanik

Do të jetë dasmë moderne dhe jo shumë e shtrenjtë. Çifti do të martohet në orën 11:00 të paradites së 29 prillit në Katedralen Westminster.

Martesa do të celebrohet nga arqipeshkvi i Canterbury, ashtu siç ka ndodhur me të gjithë trashëgimtarët e fronit, ndërsa fjalimi në katedrale do të mbahet nga peshkopi i Londrës. Nusja do të shkojë me makinë dhe jo me karrocë në katedrale

Kohë moderne, dasmë moderne. Më në fund familja mbretërore ka bërë të ditur disa detaje për dasmën më të pritur të shekullit, atë mes princit William dhe së fejuarës së tij, Kate Middleton. Sipas informacioneve të para zyrtare, çifti do të martohet në orën 11:00 të paradites së 29 prillit në katedralen Westminster. Martesa do të celebrohet nga arqipeshkvi i Canterbury ashtu siç ka ndodhur me të gjithë trashëgimtarët e fronit, ndërsa fjalimi në katedrale do të mbahet nga peshkopi i Londrës, Richard John Carew Chartres. Peshkopi konsiderohet një njeri shumë i afërt me William-in, sepse ishte pikërisht ai që e ngushëlloi pas vdekjes së të ëmës në vitin 1997, princeshës Diana.

Pas ceremonisë çifti do të shëtisë me karrocë në sheshin e Parlamentit, duke iu drejtuar Buckingham Palace. Këtu tradita nuk ka ndryshuar. Çifti do të veprojë ashtu si princi Charles dhe princesha Diana në ditën e martesës së tyre. Nuk është bërë e ditur nëse do të dalin në ballkonin e Buckingham Palace, por ajo që mendohet është se çifti sigurisht nuk do ta zhgënjejë turmën.

Brenda pallatit, mbretëresha Elizabet do të zhvillojnë një pritje. Të ftuarit do të jenë kryesisht njerëz që “do të përfaqësojnë jetën publike dhe private të çiftit”.

Por ajo që bie më shumë në sy nga detajet e zbuluara është prishja e traditës së ndjekur për shekuj në këto lloj dasmash. Çifti i ri Kate dhe Will kanë vendosur të kenë një martesë jo shumë madhështore. Në një kohë krize për vendin, kjo nuk do të ishte e drejtë. Kështu bukuroshja preferon të shkojë në katedrale me makinë dhe jo me karrocën përrallore me kuaj.

Makina është zgjedhur pikërisht për faktin që të mos i japë më shumë pompozitet seç duhet, por të klasifikohet tek ato të thjeshtat dhe me stil. Kate, e cila do të festojë ditëlindjen saj të 29, ka vendosur ta kalojë natën e fundit si një grua beqare në një nga destinacionet e mëposhtme Buckingham Palace, St James’s Palace apo Kensington Palace. Kjo pasi Kate ka menduar të shmangë çdo lloj rreziku që mund të shkaktojë ardhja nga familja e saj në Bucklebury, Berkshire.

Gjithashtu edhe mënyra se si u bënë të ditura detajet përshtatet me kohën moderne ku jetojmë. Ata u shfaqën në “Twitter” pas afro dy muaj përgatitjesh. Një zëdhënës i familjes mbretërore tregoi se “Catherine ka zgjedhur të shkojë me makinë në Westminster, sepse ajo dëshiron të bëjë një hyrje të thjeshtë në katedrale në momentin që është ende zonja Middleton”.

Atë mbrëmje edhe princi Charles do të ofrojë një darkë me miqtë më të ngushtë të çiftit, rreth 200-300 veta në Buckingham Palace. Edhe menyja është mbajtur sekrete, ndërsa nuk dihet nëse do të përsëritet ajo e çiftit Charles-Diana.

Për 120 të ftuarit në darkën e asaj mbrëmjeje u servirën gaforre, gjoks pule i pjekur në zgarë, gjuhë viçi të mbushur dhe akullore me luleshtrydhe e krem si ëmbëlsirë. Një tjetër detaj i rëndësishëm dhe jashtë tradite, që citohet në komunikatën zyrtare, është se familja mbretërore dhe Middleton, prindërit e Kate, do të mbulojnë shpenzimet për shërbimet, pritjen e të ftuarve dhe muajin e mjaltit.

Ndryshe nga Charles dhe Diana, mbretëresha dhe princi Filip që e nisën menjëherë muajin e mjaltit që në pasditen e ditës së tyre të martesës, William dhe Kate do ta kalojnë ditën e tyre të parë si burrë e grua në Buckingham Palace apo në St James’s Palace. Çifti mendohet se do të niset për muaj mjalti ditën në vazhdim, të shtunën apo të dielën më 1 maj, në vende që nuk janë bërë të ditura ende për publikun. Dasma e princit William do të jetë e para dasmë mbretërore në epokën e rrjeteve sociale në internet.

Ditën e martesës së tyre mendohet se do të jenë të paktën 1 milion anglezë që do të dalin nëpër rrugë për të ndjekur ceremoninë. Dasma mendohet se do të jetë edhe një mënyrë e mirë për të mbushur disi arkat e shtetit, që mes sendeve dhe të drejtave mendohet se do të grumbullojnë rreth 1 miliard sterlina.

Fustani i nuses

Edhe pse mungojnë ende muaj nga ajo ditë dhe shumë prej detajeve janë zbuluar, kurioziteti më i madh lidhet me fustanin që nusja do të veshë atë ditë. Dihet që do të jetë mëndafsh dhe i qepur nga ndonjë prej stilistëve më të dëgjuar vendas.

Meqenëse emri i stilistit nuk është zbuluar “bastexhinjtë” kanë vendosur në pole-position Bruce Oldfield, shumë i pëlqyer nga Lady Diana e që kohët e fundit ka krijuar veshjet për Zonjën e Parë të vendit, Samantha Cameron.

Në listë është edhe Philippa Lepley, që me stilin saj elegant dhe modern pëlqehet shumë nga Kate. Mes emrave të tjerë është edhe Stella McCartney, Vivienne Westwood, Alice Temperley dhe Amanda Wakeley. Një tjetër çështje e nxehtë është edhe ajo e sigurisë ku dihet se nuk do të kursehet aspak për të siguruar rendin dhe qetësinë e asaj dite që është shpallur pushim në vend.

Sipas burimeve nga “Scotland Yard”, manifestimet që e shndërruan Londrën në fushëbeteje në mes të dhjetorit mund të jenë vetëm fillimi. Ka arsye të mëdha për të besuar se anarkistët duan të “shkatërrojnë” ditën e madhe, duke organizuar protesta në të gjithë vendin, bën me dije policia.

Frika është se anarkistët duan të përfitojnë nga pushimet: dita e martesës është shpallur festë kombëtare dhe për më tepër ajo do të zhvillohet mes Pashkëve dhe 1 majit, një datë e njohur në të gjithë Britaninë për protesta antiglobalizimit.

Për ekspertët e sigurisë në internet ka nisur fushata për organizimin e protestës në ditën e martesës së William. “Martesa mbretërore do të shënojë fundin e kapitalizmit, shkruan një faqe interneti e grupeve anarkiste britanike. Monarkitë kanë vdekur”. Kërcënimi nuk është nënvleftësuar nga policia që ka hedhur në terren agjentë të specializuar për të vlerësuar situatën në prag të martesës mbretërore./ikub/