Depilimi me lazer, metodë e rë dhe rezultative

Njeriu jo gjithnjë është i kënaqur me trupin e tij. Një nga pakënaqësitë qëndron tek shfaqja vend e pa vend e bulbeve të qimeve, të cilat gjatë gjithë kohëve moderne, është përpjekur ti largojë me mjete të ndryshme.

Për të ndihmuar dhe lehtësuar këtë trajtim estetik me sa më pak trauma të lëkurës dhe sa më shumë komoditet dhe efikasitet ka hyrë në ndihmë edhe shkenca, duke propozuar alternativat e saj të trajtimit (depilimit). Nga prerja mekanike e qimeve, djegia e tyre me flakë, metodat e xhamit, kremit prej dylli, sheqerit të djegur, tek kremrat farmaceutikë, debilatorët elektrik e deri tek lazeri.

Metoda më e avancuar që siguron heqjen e përhershme të qimeve, më e kushtueshmja njëherësh (një depilim i gjithë trupit shkon mbi 300 euro), por më e lirë në harxhimin afatgjatë, por edhe metoda më e përfolur për efektin e saj afatgjatë mbi organizmin. Por a është në fakt me ndonjë lloj risku mjekimi me rreze lazer? Në intervistën tonë kësaj pyetjeje dhe të tjerave u jep përgjigje dermatologu, Doktori i Shkencave të Universitetit të Janinës, Mikel Nakuçi.

-Doktor, vitet e fundit flitet gjithnjë e më gjerë për mjekimet me lazer. Çfarë i ka bërë kaq të përdorshme aparaturat lazer në mjekësi?
Rrezet lazer kanë zgjidhur në fushat ku përdoren, një nga problemet më të mëdha të mjekimit, i cili është “Selektiviteti” ose “Përzgjedhja” vetëm e indit të dëmtuar, pa ndikuar në indin e shëndoshë.

Përshembull, gjatë depilimit, rrezja lazer shkatërron vetëm rrënjën e qimes pa dëmtuar lëkurën përreth. Aparaturat e teknologjisë së fundit, përveç kësaj bëjnë të mundur kontrollin shumë të mirë të rrezes dhe të energjisë, të cilen ajo përcjell, duke siguruar një mjekim pa efekte anësore.

-Por çfarë është në fund të fundit rrezja lazer?
Në thelb, rrezja lazer është një rreze drite e përqendruar dhe e drejtuar, e cila kur takon indin që duam të shkatërrojmë shndërrohet në një energji termike. Shkurt, lazeri është dritë dhe i bindet të gjitha ligjeve të fizikës që kanë të bëjnë me dritën.

-Mund të flasim pak për aparaturat lazer. Kemi vetëm një aparaturë për të gjitha mjekimet apo specialitetet dhe në qoftë se jo, janë të gjitha rezultative?
Aparaturat lazer klasifikohen në disa lloj kategorish. Një kategori i ndan aparaturat në bazëe të mënyrës së prodhimit të rrezeve lazer, si lazer aleksandriti, rubinit, diodik, Nd: YAG, dioksidit të karbonit, eximer etj. Një kategori tjetër e cila shpesh varet nga e para, është gjatësia e valës që fillon nga rreth 200nanometër deri në 10060nm. Në varësi të dy klasifikimeve të mësipërme përcaktohen edhe se në cilat sëmundje ose mjekime do të përdoret aparatura.

-A kanë efekte anësore mjekimet me lazer, pasi shpesh ka hamendësime në popullatë, por edhe nga shkenca nuk determinohet qartë efekti i këtyre rrezeve?.
Ruajtja sa më e mirë e shëndetit përbën një rëndësi të madhe në mjekimet me këto aparatura, prandaj shkencëtarët dhe ligjet e Komunitetit Evropian kanë klasifikuar aparaturat lazer në katër kategori. Kategoria e parë edhe e dytë për shkak të rrezikut të ulët gjatë përdorimit mund të përdoren edhe nga estetistët. Kategoria e tretë dhe e katërt që janë edhe më rezultative mund të përdoren vetëm nga mjekët.

Mund të flasim pak për depilimin me lazer, që është edhe procedura më e përhapur dhe që i intereson shumë grave dhe vajzave
Mirë e përcaktuat që mjekimi me lazer për heqjen e qimeve të padëshirueshme është më i përhapuri. Sipas statistikave ndërkombëtare është procedura e dermatologjisë kozmetike më e përhapur në femrat deri në moshë 35 vjec.

Mbas kësaj moshe vjen e dyta mbas mjekimeve me botox. Qëllimi i depilimit me lazer konsiston në largimin përfundimtar të qimeve. Ky objektiv realizohet në 90 % të rasteve. Mbas disa seancash qimet zhduken përfundimisht.

-Po për pjesën tjetër, 10% çfarë mund të thuhet?
Duhet të sqarojmë se problemi i qimeve të padëshiruara nuk është problem vetëm i lëkurës, por i gjithë organizmit. Ka disa gjendje të organizmit të cilat ndikojnë në rritjen e tyre, dhe që është e domosdoshme të korrigjohen, në mënyrë që në mjekimin me lazer të kemi rezultate perfundimtare. Këto janë disa çrregullime hormonale, ovaret policistike, marrja e disa barnave etj. Në këto raste ndonjëherë është vështirë që të arrihet depilimi përfundimtar.

-Çmund të na sqaroni më tepër për këtë procedurë?
Depilimi me lazer përdoret për qimet me ngjyrë të errët, sepse rrezja lazer si rreze drite tërhiqet nga ngjyra e errët. Qimet bjondje ose pushi nuk janë objekt i kësaj terapie. Aparaturat që bëjnë këtë depilim janë lazer aleksandriti, Nd:Yag, Diodik, IPL. Por meqenëse rrezja lazer që tërhiqet më shumë nga ngjyra e errët e qimes është 755nm që prodhohet nga lazeri aleksandriti, kjo aparaturë është edhe më e mira për këto procedura. Ne në Institutin e Studimeve Dermatologjike kemi një aparaturë të tillë të teknologjisë së fundit. Seanca e mjekimit për shkak të aparaturave ndihmëse që mbrojnë lëkurën, është shumë e shpejtë, rezultative dhe pa dhimbje, kështu që femrat do të harrojnë metodat e tjera të dhimbshme, që për vetë menyrën nuk janë komode, por edhe bëjnë që qimet me kalimin e viteve të forcohen dhe shtohen.

-A e dëmton lazeri lëkurën? Thonë që shkakton kancerin e lëkurës
Jo, është një metodë e provuar tashmë në të gjithë botën dhe siç thashë edhe më lart, është procedura e parë e dermatologjisë kozmetike deri në moshën 35 vjeç. Mund të ketë si efekt anësor djegien e lëkurës, por vetëm në rastet e një përdorimi jo- profesional.

-Keni pasur pacientë të interesuar deri tani? Kush mund të bëjë depilim dhe a ka njerëz që u këshillohet depilimi?
Kemi filluar punën dhe pacientët janë shumë të kënaqur. Kërkesat e tyre për depilim përfshijnë dy kategori. Janë zakonisht ata që kanë qime në sipërfaqe të trupit në të cilat fiziologjikisht nuk ka qime, siç është përshembull fytyra e femrave. Dhe kategoria e dytë përfshin ata të cilët duan të bëjnë depilime në zona të caktuara siç janë sqetullat ose bikini tek grate apo edhe gjoksi ose shpina tek burrat. Kështu, përveç anës estetike ka edhe probleme të tjera si në rastet kur folikuli i flokut infektohet shpesh dhe përbën një formë kronike, në rastet kur shpesh mbetet nën lëkurë dhe krijon puçrra të shpeshta dhe shqetësuese. Në këto raste, heqja e qimeve është e këshillueshme me lazer dhe jo me metodat e tjera klasike.

-A mund të bëhet një depilim komplet? Sa kohë zgjat një seancë? Po gjithë procesi ?
Çdo njeri teorikisht mund të bëjë një depilim komplet, por në shumicën e rasteve kjo varet nga problemet dhe dëshirat e çdo njeriu. Kohëzgjatja e mjekimit (çdo seancë) është shumë e vogël dhe varet shpesh nga sipërfaqja e depilimit, p.sh e gjithë fytyra nuk do më shumë se 5 minuta. Zakonisht duhen disa seanca për të arritur qëllimin përfundimtar.

-Depilimi është permanent, apo qimet dalin përsëri pas njëfarë kohe (10 vjet, etj)?
Në shumicën e rasteve është permanent, por ka edhe raste që mbas njëfarë kohe mund të rishfaqen përsëri qime për shkak të ndryshimeve hormonale të organizmit në një periudhë më të vonët. Por edhe në këtë rast, kjo nuk ka të bëjë me rrënjët e qimeve të mjekuara me lazer se ato janë shkatërruar. Kjo ka të bëjë me aktivizimin e rrënjëve të tjera, që në organizmin e njeriut janë të paaktivizuara dhe të tilla shpesh mbeten për gjithë jetën.

-Çfarë mund të këshilloni për depilimin me lazer?
Të mos trembeni të aplikoni depilimin me lazer. Eshtë mjekimi më i mirë i mundshëm me qëllimin përfundimtar të zhdukjes përgjithnjë të tyre. Mjekimi është i provuar për rreth 30 vjet ku vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryhen çdo vit 3-4 milionë mjekime të tilla. Po një shifër e tillë çdo vit shfaqet edhe në Evropë dhe nuk ka asnjë rast të efekteve të tilla anësore, që do të ishin të rrezikshme për shëndetin.