Depresioni dhe stresi lidhen me sëmundjet e mëlçisë

Depresioni dhe stresi lidhen me sëmundjet e mëlçisëNiveli i lartë i ankthit rrit rrezikun e prekjes nga sëmundjet e mëlçisë. Të dhënat vijnë nga një studim 10 vjeçar të realizuar nga Universiteti i Edinburgh.

Në të u morën nën vëzhgim faktorë socialë dhe psikologjikë, si konsumi i alkoolit, obeziteti e diabeti. Të dhënat treguan se, ekziston një lidhje e qartë mes gjendjes psikologjike të stresit e depresionit dhe shëndetit fizik të sistemit hepatik.

Pjesë e këtij studimi ishin 165 mijë persona, të cilët u vëzhguan për probleme mendore/psikologjike.

Secili prej tyre u mbajt nën vëzhgim përgjatë 10 viteve. Gjatë kësaj periudhe, u mbajtën shënim arsyet e vdekjes së atyre pacientëve që vdiqën, si dhe u ndanë në kategori.

Në përfundim, shkencëtarët vunë re se ata persona që shfaqën shenja të larta depresioni dhe stresi kishin shumë më pak shance për t’i mbijetuar sëmundjeve fatale të mëlçisë.

Duke folur për britaniken “The Independent”, Dr. Tom Russ tha se këto të dhëna janë prova të lidhjes së rëndësishme mes trurit dhe trupit dhe të efekteve dëmtuese të çrregullimeve psikologjike.

Megjithatë, puna e realizuar nga grupi i shkencëtarëve nuk zbulon ndonjë arsye të drejtpërdrejtë, por është i pari që identifikon një lidhje mes gjendjes mendore dhe dëmtimeve të mëlçisë.

Komento