Dieta e Klinikës ‘Mayo’

Ky program i të ushqyerit bazohet në një humbje të ngadalshme të kileve të tepërta, jo më shumë se 0.5 deri 1 kg në javë, pastaj edhe në kontrollimin e shujtave, në një mënyrë të shëndetshme të jetës dhe në kënaqjen me ushqime.

Kjo dietë po ashtu bazohet edhe në heqjen dorë nga shprehitë e këqija që rrezikojnë shëndetin dhe peshën ideale trupore. Dieta e Klinikës “Mayo” përbëhet nga dy faza.

Faza e parë zgjatë dy javë dhe mundëson një humbje më të shpejtë të kileve – nga 2,7 deri 4,5 kg. Faza e dytë vazhdon pas së parës dhe ka për qëllim që personi të mësojë shprehi të shëndetshme dhe të vazhdohet me humbjen e kileve, por me një ritëm më të ngadalshëm, derisa të arrihet pesha ideale. Janë të përfaqësuara të gjitha llojet e ushqimeve, bile edhe karbohidratet, por megjithatë preferohet që të merret një sasi më e vogël e bukës dhe brumërave dhe sasi më të mëdha të drithërave integrale, sikur që është orizi integral, kaçamaku, etj.

Si burim i proteinave preferohet konsumimi i mishit pa dhjamë, mishit të peshkut, frutat e detit, djathërat pa yndyrë, vezët, pemët me gëzhojë dhe bishtajat. Pemët dhe perimet sezonale mund të konsumohen në sasi të pakufizuar, duhet vetëm pasur kujdes me bananet, të cilat kanë më shumë kalori sesa pemët e tjera. Rëndësi të madhe kanë edhe ushtrimet e moderuara, të paktën 30-60 minuta në ditë.

‘Dieta me grejpfruta’ nuk është dietë e Klinikës “Mayo”

Dieta e vërtetë e Klinikës “Mayo” doli në treg në vitin 2005. Për dallim nga dietat e mëparshme të cilat pretendonin se ishin të përpiluara nga kjo klinikë, pas këtij varianti qëndron ekipi profesional i këtij enti shëndetësor. Dietat e mëparshme që pretendonin ta mbanin këtë emër, përmendnin konsumimin e grejpfrutave, vezëve, mishit, apo “supës magjike”, me qëllim të humbjes së shpejtë të kileve. Dieta zyrtare e Klinikës “Mayo” bazohet në preferenca krejtësisht tjera të të ushqyerit.

Pa sheqer, në çaj dhe lëngje

Preferohet që etja të shuhet me ujë, çaj pa sheqer dhe me lëngje pemësh. Kur bëhet fjalë për përgatitjen e ushqimeve, fërgimi dhe pjekja në vaj duhet të zëvendësohen me fërgim në sasi të vogla të vajit, me pjekje të ushqimeve të mbështjella me fletë alumini dhe me zierje në ujë dhe avull.

Komento