Dietat verore

Dietat veroreEdhe pse gjatë verës preferohet që të hamë ushqime më të lehta, kjo nuk dmth se duhet të bëhemi vegjetarianë.

Në mënyrë që menyja jonë të jetë e ekuilibruar, ne duhet të marrim edhe një sasi të caktuar të proteinave shtazore, ngase ato na nevojiten si “material ndërtimor” për qelizat tona, si dhe na e forcojnë imunitetin.

Duhet që të përcaktoheni për mish pa dhjamë, si psh për mish të pulës, bibës, viçit, apo edhe më mirë, për mish peshku, shkruan gazeta “Zëri”.

Nëse doni që të mos shtoni në peshë, atëherë duhet ta dini se, nga darka, e derisa të bini në shtrat, duhet së paku të kalojnë tri orë.

Meqë gjatë verës apetiti ynë zakonisht dobësohet, atëherë kjo është koha më e mirë që t’i largojmë kilet e tepërta.

Dieta është më lehtë që të mbahet gjatë verës edhe për shkak se kemi shumë pemë e perime të freskëta, shkruan “Zëri”.

Por, dietat vetëm me pemë nuk guxoni t’i mbani më gjatë se dy-tri ditë.

Dieta me mollë

Zgjatë tri ditë. Mund të humbni deri në 2 kg. Rreth 2 kg mollësh të freskëta ndani në pesë shujta. Mollët mund t’i hani ashtu si janë, por mund të përgatitni edhe disa gjellë nga to. Psh, mund të përgatitni sallatë mollësh: 300 g mollë të maturuara, të qëruara, gërryeni në një enë, përzieni me rrënjë majdanozi dhe selinoje dhe shtoni lëng limoni.

Dieta me karota

Zgjatë tri ditë. Mund të humbni deri në 3,5 kg. Gërryeni karotat, shtojini lëng limoni, nëse doni edhe pak mjaltë, por vetëm një lugë supe në ditë. Këtë sallatë mund ta hani sa të doni. Me çdo shujtë mund ta hani edhe nga një pemë: mollë, kivi, grejpfrut, portokall, etj. Duhet të pini sa më shumë ujë, apo çaj pa sheqer.

Dieta me domate

Zgjat dy ditë. Mund të humbni deri në 2 kg. Brenda një dite duhet të hani 1,5 kg domate të freskëta, të ndarë në katër shujta – edhe atë pa biber, kripë, apo vaj.

Dieta me bostan

Zgjatë po ashtu dy ditë dhe, me anë të saj, mund t’i humbni 2-3 kile. Brenda ditës hani rreth 1,5 kg bostan dhe, asgjë tjetër, përpos që, natyrisht, duhet të pini ujë, apo çaj pa sheqer.

Dieta me lakër

Zgjat shtatë ditë. Mund të humbni deri në 5 kg. Baza e kësaj diete është çorba e lakrës, të cilën mund ta hani sa të doni. Krahas kësaj, ditën e parë mund të hani çfarëdo peme, përpos bananes, ditën e dytë ndonjë perime të gjelbër dhe një patate të zier, me pak vaj, ditën e tretë çfarëdo peme, apo perime, përpos patates, ditën e katërt tri banane dhe qumësht pa yndyrë, ditën e pestë një shujtë peshk apo mishi të bardhë pule, me një domate, në ditën e gjashtë pak mish të zier lope me sallatë të gjelbër dhe, në fund, ditën e shtatë, pak oriz me perime.

Dieta me kastravecë

Zgjat tri ditë. Mund të humbni deri në 3,5 kg. Bazë e kësaj diete është sallata. Ju nevojitet 1 kg kastravecë, të cilët duhet t’i qëroni dhe grini. Qituni jogurt pa yndyrë, apo kos. Qitni pak kripë dhe, këtë sasi, ndajeni në tri shujta. Për darkë, përpos sallatës, guxoni të hani 50 g mish të zier, apo një vezë. Për mëngjes mund të hani para rënies në gjumë, mund ta hani një mollë, dardhë, apo banane. /ZËRI/

Komento