Disa gabime nuk ju lënë të humbni kilogramë

Ka mijëra arsye për shkak të të cilave miliona njerëz nëpër botë çdo vit (edhe disa herë gjatë vitit) mbajnë dieta të ndryshme, ndërsa vetëm pas disa javësh apo muajsh vuajtje me shpejtësi e rikthejnë secilin kilogram të humbur, por shpesh madje edhe të shtojnë ndonjë më shumë.

Megjithatë, në shumicën e rasteve njerëzit vazhdimisht përsërisin gabimet e njëjta, për shkak të cilave përgjithmonë janë të dënuar në këtë rreth vicioz, nga i cili është vështirë të dilet. Disa nga këto gabime i gjeni në vijim.  

1.    Mbështetja tek forca e vullnetit

Edhe nëse jeni një nga personat me vullnet të çeliktë, mbështetja ekskluzive në vullnet është taktikë shumë e keqe kur është në pyetje dieta. Herët apo vonë edhe vullneti më i fortë do të thyhet, dhe pas kësaj  gjithë gjërat dhe shprehitë e  këqija të cilave ju keni rezistuar për një kohë të gjatë do të vijnë si një rrebesh i pandalshëm të cilit nuk do të mund t’i kundërviheni.

2.    Përzierja e së përkohshmes dhe përhershmes

Nuk ka synim të cilin nuk mund ta arrini, dhe kjo veçanërisht vlen për fëmijët. Dëshironi të rrini në rroba të masës 36? Nëse mbani dietë të rreptë dhe regjim në ushtrime për një kohë të gjatë, herët a vonë do të arrini qëllimin tuaj. Fatkeqësisht, pasi ta realizoni synimin tuaj, do të përballeni me pyetjen e pashmangshme – çka tash? Në atë moment shumica e njerëzve ngadalë, por sigurt fillon t’u kthehen shprehive të vjetra. Nëse dëshironi që rezultatet tuaja të jenë të përhershme, të tilla duhen të jenë edhe ndryshimet në mënyrën tuaj të jetesës. Dietat e rrepta dhe ushtrimet e lodhshme thjesht nuk janë.

3.    Treningu ushtarak

Ju duket sikur dikush ndonjëherë do të duhej t’ju tërheqë me forcë në një nga ato kampe ushtarake dhe t’ju sjellë në formë me disiplinë dhe trajnime të çelikta? Edhe pse tingëllon si ide shumë e mirë, kini parasysh që diçka e tillë funksionon vetëm në filma, pasi që më shumë se 92 për qind e njerëzve i rikthehen stilit të vjetër të jetës në më pak se dy muaj.

4.    Mosndarja e kohës për ushqim

Nëse shikoni cilëndo dietë në tridhjetë vitet e  fundit, do të vëreni që shumica prej tyre rrjedhin nga SHBA-të dhe që në të vërtetë janë shumë të ngjashme njëra me tjetrën. Nga ana tjetër, kombi i cili i ka çuar deri në përsosmëri dietat, njëkohësisht është edhe më i trashi në botë. A nuk flet kjo që ndoshta dietat janë me të vërtetë mënyrë katastrofale për të arritur dobësimin dhe shëndetin afatgjatë? Edhe pse në kulturën tonë apo atë mesdhetare kemi shumë shembuj të mirë se si duhet t’i qasemi ushqimit dhe shprehive ushqyese, gjithnjë e më shumë vendosim për ngrënie tipike amerikane të ushqimit të pashëndetshëm gjatë dhjetë muajve në vit, që gjatë dy muajve të mbetur të qëndrojmë të uritur derisa të rraskapitemi. Pasi që të ndaloni ta përjetoni ushqimin si diçka të rastësishme dhe triviale, do të përmirësohen edhe shprehtë tuaja të ngrënies së ushqimit, dhe me këtë edhe pamja juaj.

5.    Heqja dorë nga gjithçka që kemi qejf

Ju pëlqen akullorja? A mund të paramendoni që të mos e shijoni më kurrë deri në fund të jetës? Apo në gjashtë muajt e ardhshëm? Apo shpresoni që të përmbaheni sa më gjatë që është e mundshme para se ta lëshoni veten dhe të hani gjysmë kilogrami përnjëherë? Shijimi i përkohshëm i imtësirave  të “ndaluara” është shumë më mirë se mundimi i vetes me kufizime të ndryshme, vetëm që në një moment të dobësisë ta humbim tërësisht kontrollin.

6.    Supozimi që, nëse dikush ka pasur sukses, edhe ne duhemi të kemi sukses

Keni një mike e cila humbur shumë kilogramë me dietën e Atkinsit? Bravo për të. Fatkeqësisht, edhe pse jemi të prirë për të menduar ashtu, kjo në asnjë mënyrë nuk garanton që kjo do të ketë sukses edhe te ne. Në fund të fundit, pikërisht në këtë tentojnë të na bindin magjistarët e marketingut duke na treguar rrëfime të njerëzve të cilët kanë “pasur sukses”, por duke injoruar faktin që nuk ka dy persona tek të cilët dieta e njëjtë jep rezultatet të njëjta.

7.    Zgjedhja e dietës/ushqimit jopraktik

Kjo është diçka për çka duhet të mendoni mirë para se të lëshoheni në ndryshimin e shprehive të ngrënies. Nga njëra anë, me siguri është e mundshme që në rutinën tuaj të jetës mund të krijoni më shumë vend për t’iu dedikuar ushqimit. Nga ana tjetër, disa lloje të ushqimit, si ai makrobiotik, kërkon nga ne shumë orë për t’u marrë me të në kuzhinë gati çdo ditë, që për dikë që punon dhe kujdeset për tre fëmijë është tërësisht jopraktike. Për sukses afatgjatë rëndësi të madhe ka fakti që diçka të jetë relativisht e përballueshme dhe në dispozicion për ju.

Komento