Ecja dhe zvogëlimi i peshës ju mbrojnë nga diabeti

Një ecje 30-minutëshe në periudhën e fshehtë të sëmundjes dhe rënia në peshë në një mesatare 5% të peshës së trupit do ta ndihmojë të sëmurin të parandalojë shfaqjen e diabetit

Statistikat e fundit tregojnë se sëmundja e diabetit është përhapur me ritme shumë të shpejta. Rastet me këtë sëmundje janë shtuar dyfish në 20 vjetët e fundit. Bëhet e ditur se diabeti zë vendin e gjashtë në radhën e sëmundjeve vdekjeprurëse. Nëse e lëmë mënjanë kancerin do të shohim se një nga dy të sëmurë me sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut është i prekur nga diabeti.

Krahas kësaj, diabeti është shkaktari kryesor i verbimit nën moshën 65 vjeçe. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen dhe të informohen rreth kësaj sëmundjeje. Diabeti është një sëmundje, e cila mund të qëndrojë e fshehtë për 10 ose 15 vjet dhe të shfaqet papritmas. Parandalimi i saj mund të bëhet gjatë kësaj periudhe dhe të kontrollohet. Kontrollimi i diabetit nuk mund të bëhet pasi të shfaqet.

Mjekët përpiqen të ruajnë organet e të sëmurit dhe të shmangin dëmtimet e mundshme. Një ecje 30-minutëshe në periudhën e fshehtë të sëmundjes dhe rënia në peshë në një mesatare 5% të peshës së trupit do ta ndihmojë të sëmurin të parandalojë shfaqjen e diabetit deri në 56%. Përhapja e shpejtë e diabetit lidhet edhe me faktorët e jashtëm. Në mesin e tyre mund të përmendim jetën pasive dhe zgjidhjet e lehta në ushqyerje të njerëzve, ushqyerja me gjëra të gatshme, pra “fastfood”.

Komento