Eksfolimi dhe dobia për shëndetin e lëkurës

Për të kuptuar përfitimet nga eksfolimi duhet, së pari, të kuptohet struktura e lëkurës.

Shtresa e jashtme e lëkurës quhet epidermë (në gjuhën mjeksore: shtresa korneale; në latinisht stratum corneum) dhe përbëhet në pjesën më të madhe nga qeliza të vdekura që kanë humbur ADN-në (bërthamën).

Kjo shtresë ngjan si amalgam i një proteine të quajtur keratinë. Lëkura synon t’i largojë këto qeliza të vdekura për t’i zëvendësuar me qeliza të reja. Eksfolimi përshpejton këtë proces natyral rigjenerimi duke larguar qelizat e vdekura (keratinizuara).

Ndërsa përfitimi kryesor i ekfolimit është i tipit kozmetik, ka raste kur largimi i qelizave të vdekura ka edhe përfitime mjeksore. P.sh. eksfolimi mund të ndihmojë absorbimin e trajtimeve topikale (lokale) në sëmundjen e psoriazës.

Eksfolimi korrekt

Idealisht, largimi i qelizave të vdekura duhet bërë pa irrituar shtresat e mëposhtme të lëkurës. Kjo mund të arrihet nëpërmjet disa produkteve jo shumë të sofistikuara që janë prezent në treg. Pastruesit, skrabet mikrodermoabrazive (të cilët mund të përdoren një ose dy herë në javë) dhe kremërat me përmbajtje acidi alfahidroksik janë disa produkte që përmbushin këto kushte. Eksfoliantët e mësipërm janë aq delikatë sa ç’duhet me lëkurën kur përdoren sipas udhëzimeve të prodhuesit. Por eksfolimi mund të realizohet edhe më thjeshtë akoma. Një sfungjer apo edhe një pecetë larëse bën të mundur eksfolimin në se nuk është e ashpër. Ka shumë rëndësi të zgjidhet produkti i përshtatshëm në varësi të zonës që do të eksfoliohet. P.sh. eksfolianti i fytyrës duhet të jetë shumë më delikat se eksfolianti i këmbëve. Përpjekja për të realizuar eksfolim “të thellë” dhe agresiv mund të shkaktojë dëme në lëkurë.

Përfitimet nga eksfolimi profesional

Qendrat e specializuara mund të ofrojnë trajtime më agresive, si p.sh. peeling kimik me përqindje më të larta të acidit alfa hidroksik, ose trajtime mekanike si mikrodermoabrazioni me sondë diamanti apo kristali. Këto metoda mund të aplikohen vetëm nga specialistë të trajnuar. Ato tolerohen më mirë nga lëkura mature e cila ka një shkallë më të ulët rigjenerimi dhe, rrjedhimisht, grumbullim më të shprehur të qelizave të keratinizuara.

Drejt përzgjedhjes së metodës më të përshtatshme

Pothuajse çdokush e ka të mundur të aplikojë eksfolimin në lëkurën e vet, edhe personat me lëkurë të ndjeshme, apo personat me dëmtime të lëkurës si p.sh. me rozacea. Rëndësi për këta të fundit, ka të përzgjidhet një eksfoliant shumë i butë. Për të qenë të sigurt në vendimin tuaj dhe në përzgjedhjen e produktit, konsultoni një specialist të fushës. Rëndësi ka që të realizoni eksfolimin dhe t’i jepni lëkurës suaj një pamje të shkëlqyer!