Ëndrrat erotike dhe sekretet e nënndërgjegjes

Por në fakt, përgjigjja vjen nga studimi më i madh i bërë kohët e fundit mbi këtë argument që mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë ankthet, të kuptojmë se çfarë tregojnë ëndrrat tona, apo dëshirat tona të pandërgjegjshme.

Për shembull, të biesh në një hapësirë boshe nga një lartësi, në përgjithësi do të thotë se je duke u dashuruar me dikë tjetër, ose e kundërta që një dashuri është duke përfunduar: një ëndërr tipike që e shohin gjatë gjithë jetës si burrat ashtu edhe gratë, ndoshta për të treguar se pa dashuri nuk mund të jetohet.

Të ëndërrosh sikur të bien flokët apo dhëmbët, që është një ëndërr kryesisht që shohin femrat jo shumë të reja në moshë, tregon për një gjendje ankthi për plakjen, frika e të mos qenit më tërheqëse. Po ashtu, të ëndërrosh sikur të përjashtojnë nga ndonjë provim, një ëndërr që bëjnë zakonisht adoleshentët, por edhe të rriturit, madje shumë i përhapur si ankth, të jep mesazhin e mungesës së besimit në vetvete, një ulje të vetëvlerësimit.

I kryer nga psikologët e “International Assocation for the Study of Dreams” dhe i publikuar nga “European Archives of Psychiatry and Clinical Neurosciense Journal”, ky studim ka marrë në shqyrtim një kampion prej 2 mijë meshkujsh dhe femrash. Sipas rezultatit ka dalë se 48 për qind nuk kanë pasur asnjëherë një ankth gjatë gjumit ose që nuk e kujtojnë sapo zgjohen për fatin e tyre të mirë. 10 për qind e të pyeturve thonë se shohin ëndrra të këqija me një periodicitet të caktuar, por jo shumë shpesh.

Kjo u ndodh vetëm disa herë të caktuara në vit. 5 për qind tregon se zgjohen të tmerruar nga frika mesatarisht çdo 15 ditë, për shkak të një ankthi, që gjithmonë është i njëjti. Domethënie të tjera që autorët e studimit i atribuojnë interpretimit të ëndrrave kanë të bëjnë me: kur të krijohet përshtypja se je i paralizuar apo nuk ke mundësi të lëvizësh do të thotë se je në kurth në një lidhje apo një marrëdhënie. Të ëndërrosh sikur gjendesh në një makinë, përfshihesh në një aksident, apo në një avion që bie, aludon për një humbje kontrolli të jetës.

Pesë ëndrrat më të këqija dhe më të shpeshta sipas studimit janë: të biesh nga lartësi të mëdha, të ndiqesh nga dikush, të ndihesh i paralizuar, përshtypja se je me vonesë në një takim të rëndësishëm, vdekja e një njeriu të dashur. “Të ëndërrosh sikur bie, ndiqesh nga dikush apo ndihesh i paralizuar, jo gjithmonë korrespondojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me përvojat e provuara në jetën reale. Por mund të kenë njëlloj domethënie duke iu përgjigjur frikës së trashëguar, dëshirave të pandërgjegjshme”. Një konfirmim, i maksimës së vjetër të Frojdit: burrat dhe gratë gjykohen më mirë nga ajo që ëndërrojnë se nga ajo që mendojnë.

Kjo sidomos kur ëndrrat që bëjnë nuk janë shumë të këndshme. Sipas Frojdit, ëndrrat nuk janë produkt i rastësisë ose të pakuptimta. Më përpara thuhej se ëndrra është një gënjeshtër, një vegim, që nuk ka kuptim dhe qëllim, kështu që njeriun nuk e lidh asgjë me ëndrrat. Për të, ato janë ndërmjetëse midis botës së ndjenjave tona të fshehura dhe asaj që i nënshtrohet arsyetimit tonë. Çdo ëndërr ka një domethënie, e cila ka kuptimin e saj, burimin e së cilës mund ta lidhim me ngjarjet e përjetuara më përpara. Ajo është shprehje e një dëshire të fshehtë, të parealizuar, të paplotësuar, të ndrydhur dhe përbëhet nga pjesa e dukshme dhe e padukshme.

Ëndrrat erotike

Të shohësh një ëndërr me përmbajtje erotike, është një eksperiencë që herët ose vonë u ndodh të gjithëve. Ëndrrat erotike janë shumë të shpeshta te njerëzit. Në fakt, shumë veta që ëndërrojnë të kenë raporte seksuale me një partner të ndryshëm, më pas ndihen në faj dhe u vjen turp se si kanë arritur të mendojnë diçka të tillë edhe pse ajo ka ndodhur në ëndërr.

Sigurisht, gjithçka varet nga përmbajtja e ëndrrës, por asnjëherë nuk duhet të ndihemi në siklet ose të frikësohemi. Në fund të fundit, ëndrrat janë vetëm shprehje të dëshirave që shfaqen në mendjen tonë, pa kaluar në ndërgjegje. Kështu, sipas Frojdit, forca e natyrës sonë i detyrohet në radhë të parë libidos, një dëshirë me origjinë seksuale, që i përket së pandërgjegjshmes. Kështu, ato që nuk arrijnë të shprehen në jetën e përditshme, shprehen përmes fantazive, ëndrrave dhe shumë veprimeve të tjera të pandërgjegjshme.

Në shumë ëndrra, Frojdi arrin të gjejë simbole domethënëse seksuale. Kështu, pjesa më e madhe e ëndrrave ndodh gjatë fazës së gjumit REM (lëvizja e shpejtë e syve) dhe pikërisht gjatë kësaj periudhe humbet kontrolli muskulor i trupit nga qafa e poshtë dhe kjo shërben si për të çlodhur muskulaturën, si dhe për të ndaluar personin që ëndërron të lëvizë në një mënyrë të tillë sa të “përfaqësojë” atë që po ëndërron në realitet, me rrezikun për t’i bërë keq vetes dhe të tjerëve. Me pak fjalë, është një lloj “paralize” që lë tërësisht në gjendje aktive zonën gjenitale, shpesh duke u dhënë shtysë edhe ereksioneve dhe orgazmave.

Jo rastësisht flitet edhe për “ëndrra të lagura”, pasi shumë persona, duke parë ëndrra erotike dhe duke i përjetuar thellë ato, mund të arrijnë në orgazëm. Shpesh ëndrrat erotike ndodhin atëherë kur jeta seksuale aktive pëson rënie të dukshme, duke i dhënë kështu një efekt kompensues “mungesës” në jetën reale. Këto ëndrra mund të përfaqësojnë edhe një dëshirë për të pasur raporte fizike me dikë që adhuron në jetën e përditshme.

Ëndrra mund të jetë tërësisht seksuale, por që në thelb mund të flasë për gjëra të tjera, që nuk kanë lidhje me seksin. Në fakt, zgjedhja e aktorëve sipas shpjegimeve të ndryshme psikologjike, mund të jetë e rastësishme, por mund të jetë edhe tregues i dëshirës për lidhje të pandërgjegjshme, për sa u përket këtyre personave. Në ëndrrat erotike, raporti seksual ndodh me një person të njohur, me të cilin nuk ke shumë lidhje: një fqinj, një i afërm ose ndonjë mik.

Komento