Frika nga braktisja shkakton xhelozi

Xhelozia është një emocion, edhe pse në të shumtën e herëve i padëshirueshëm, që shfaqet kryesisht përmes tri karakteristikave: nevojë për ekskluzivitet, posedim, apo frikë nga braktisja. Megjithatë, trajtimi i xhelozisë nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit në të cilin ndodh.

Ajo çfarë është shqetësuese nuk është xhelozia në vetvete, por pasojat e saj, pasi në të shumtën e herëve ajo shkakton stres dhe dhimbje tek personi.

Ashtu si në rastin konkret, shpesh individi nuk është i vetëdijshëm për forcën e saj shkatërruese. Ky emocion lind si një reagim i ardhur jo gjithmonë nga një kërcënim real, por edhe imagjinar, në një marrëdhënie të rëndësishme.

Xhelozia mund të jetë normale kur bazohet në realitet dhe dezluzione, kur ajo vjen thjesht si pjellë e fantazisë. Në këtë kontekst nganjëherë ajo mund të konsiderohet si e shëndetshme: në çdo çift që është i ngjizur prej dashurisë ekziston ankthi i fshehtë i humbjes së tjetrit. Pak xhelozi, me kusht që të mos bëhet persekutuese, duket se e kënaq partnerin, pasi tregon interes për të.

Frika e braktisjes shkakton xhelozi

Frika e braktisjes bën pjesë në inventarin psikik të çdo njeriu. Por nëse pjesa më e madhe e mendimeve tona vërtitet rreth idesë së “humbjes” së tjetrit, atëherë xhelozia mund të kthehet në sëmundje. Padashur ajo mund të të krijojë ankth, dyshim që kthehet edhe në makth, prej të cilit gjeneron një agresivitet persekutues ndaj partnerit. Në raste të tilla kemi të bëjmë me xhelozi patologjike. Kjo lloj xhelozie, që vjen nga të menduarit delirant, shpesh shfaqet e shoqëruar edhe me të tjera shqetësime si depresioni, alkoolizmi e të tjera, që kanë lidhje me personalitetin. Karakteri i xhelozisë formohet qysh në fëmijëri në fakt, kur fëmija fillon të ndjehet i përjashtuar nga lidhja me prindin me seks të kundërt. Shumë njerëz mund të kenë konflikte të brendshme të pazgjidhura, të mbartura nga fëmijëria. Dhe i përjetojnë këto konflikte si dobësi, pasiguri dhe frikë, ndaj kur befas bien në dashuri, e cila është reciproke, dobësia, frika dhe pasiguria sikur zbehen: ndjehen të dashuruar, edhe pse nuk janë të perfeksionuar. Pra, është dikush që i pranon. Ndjehen të realizuar, të sigurt. Por kur kjo dashuri u kërcënohet, frika dhe pasiguria që mendonin se i kishin flakur përgjithmonë kthehen me forcë prapë tek ata. Nëse personi që ata dashuronin, personi që  mendonin se i donte dhe ia pranonte me gjithë të metat e tyre i braktis për një tjetër, pastaj u duket sikur s’ka më shpresa për ta, nuk mund të ndjehen më sërish të sigurt, as në ato gjëra që më parë i pëlqenin tek vetja.

Imazhet romantike

Të gjithë kemi prirje të krijojmë imazhe romantike për zgjedhjen e të dashurit tonë. E zhvillojmë këtë imazh shumë herët në jetë, bazuar në eksperiencat tona gjatë fëmijërisë dhe mënyra se si na kanë trajtuar që fëmijë ndikon shumë në këtë zhvillim. Arsyeja është se këto trajtime mbeten shpesh ende “çështje të pazgjidhura” brenda nesh. Si të rritur ne kërkojmë një person që të përshtatet me imazhin tonë romantik dhe kur e takojmë atë, përpiqemi ta projektojmë imazhin tonë të brendshëm tek ai/ajo. Ja pse themi shpesh kur biem në dashuri “më duket sikur kam një jetë që të njoh”. Ndaj suprizohemi kur pasioni, apo obsesioni për të mbaron, thua se ne nuk kemi parë personin e vërtetë, por projeksionin e imazhit tonë në fakt.

Komento