Frutat dhe perimet ulin rrezikun e goditjes në tru

Frutat dhe perimet ulin rrezikun e goditjes në truNgrënia e më shumë frutave dhe perimeve mund ta zvogëlojë rrezikun e goditjes në tru në mbarë botën, sipas një studimi të ri në revistën e Shoqatës Amerikane të Zemrës, “Stroke”.

Hulumtuesit kryen një meta-analizë të 20 studimeve të publikuara gjatë 19 viteve të fundit për t’i vlerësuar efektet e konsumit të frutave dhe perimeve në rrezikun nga sulmet në nivel global, transmeton Koha.net. Studimet e kombinuara përfshinë 760.629 meshkuj dhe femra të cilët kishin pësuar 16.981 sulme.

Rreziku nga sulmi ishte reduktuar për 32 për qind me çdo 200 gramë të frutave të konsumuara çdo ditë dhe 11 për qind me çdo 200 gramë të perimeve të konsumuara çdo ditë.

“Përmirësimi i dietës dhe i mënyrës së jetesës është kritik për zemrën dhe reduktimin e rrezikut të sulmit në tru në popullatën e përgjithshme”, tha dr. Yan Qu, autor i lartë i studimit, drejtor i njësisë së kujdesit intensiv në Spitalin Komunal të Qingdaos dhe profesor në Kolegjin e Mjekësisë të Universitetit të Qingdaos në Qingdao të Kinës. “Në veçanti, dieta e pasur me fruta dhe perime është shumë e rekomanduar për shkak se ajo i plotëson kërkesat mikroushqyese dhe makroushqyese dhe kërkesat e fibrave pa i shtuar ndjeshëm kërkesat e përgjithshme të energjisë”.

Makroushqyesit (karbohidratet, proteinat dhe yndyrat) sigurojnë kalori ose energji. Trupat tanë kanë nevojë për sasi të vogla të mikroushqyesve si vitaminat dhe mineralet.

Studiuesi citoi studimet që demonstrojnë se konsumi i lartë i frutave dhe i perimeve mund ta ulë presionin e gjakut dhe ta përmirësojë funksionin mikrovaskular. Ai ka efekte të favorshme në indeksin e masës trupore, perimetrit të belit, kolesterinës, inflamacionit dhe stresit oksidativ.

Efektet e dobishme të frutave dhe perimeve u aplikuan në mënyrë të vazhdueshme te meshkujt dhe femrat, në rezultatet e sulmeve dhe sipas llojit të sulmit (të shkaktuara nga mpiksja e gjakut apo gjakrrjedhja). Hulumtuesit nuk gjetën asnjë ndryshim të rëndësishëm në efektin e moshës (më të rinj apo të vjetër se 55 vjeç).

Hulumtuesit i përshtatën gjetjet e studimit për faktorët si pirja e duhanit, alkooli, presioni i gjakut, kolesterina, aktivitetit fizik, indeksi i masës trupore dhe variablat e tjera dietike.

Hulumtuesit i kombinuan rezultatet e gjashtë studimeve nga Shtetet e Bashkuara, tetë nga Evropa dhe gjashtë nga Azia (Kina dhe Japonia). Ata vërejtën se konsumi i ulët i frutave dhe perimeve është i përhapur në mbarë botën, dhe sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

Rritja e konsumit të frutave dhe perimeve deri në 600 gramë në ditë mund ta zvogëlojë barrën e sulmeve iskemike me 19 për qind në nivel global, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në Kinë, sulmi në tru është shkaku kryesor i vdekjes, me rreth 1.7 milionë njerëz të vdekur në vitin 2010, transmeton Koha.net. Në Shtetet e Bashkuara, sulmi në tru është shkaku i katërt i vdekjes dhe shkaku kryesor i paaftësisë.

Shoqata Amerikane e Zemrës këshillon që një i rritur mesatar të konsumojë 4-5 racione të frutave dhe perimeve çdo ditë, bazuar në një dietë me 2000 kalori. Një dietë e pasur me një larmi të ngjyrave dhe llojeve të perimeve dhe frutave është një mënyrë për t’i marrë ushqyesit e rëndësishëm të cilat shumica e njerëzve nuk i marrin në sasi të mjaftueshme, duke përfshirë vitaminat, mineralet, dhe fibrat dietetike. Ato kanë gjithashtu në mënyrë të natyrshme më pak yndyra të ngopura. /Telegrafi/

Komento