Gratë pëlqejnë burrat simpatikë

Një grua që sheh me imtësi një burrë, nuk ka dyshim se në mendjen e saj po bën disa llogari. Zakonisht femrat janë të prirura të zgjedhin meshkuj bukuroshë dhe të shëndetshëm, që të sjellin në jetë fëmijë si baballarët.

Çdo detaj i fytyrës së mashkullit është një tregues i çmuar i gjendjes së tij shëndetësore dhe pajtueshmërisë së çiftit. Por tashmë studiuesit skocezë të universitetit “Aberdeen” kanë zbuluar se nuk vihen më në llogari vetëm tiparet fizike të mashkullit. Femrat vlerësojnë edhe treguesit socialë dhe progresin e vendit ku mashkulli jeton.

Kështu, në zonat më të varfra, lexohet në revistën “Proceedings of royal society”, cituar nga “Wall Street Journal”, femrat preferojnë meshkujt simpatikë, me fytyrë të lëmuar, ndërkohë që ata të cilët kanë tipare femërore, preferohen më shumë në vendet e pasura.

Psikologët janë përpjekur shumë të zbulojnë atë që disa femra pëlqejnë te meshkujt pak të vrazhdë e autoritarë dhe disa të tjera te meshkujt bukuroshë. Edhe në ribotimin e librit “Kënaqësia e seksit”, publikuar vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara, personazhi i vërtetë i vitit 1972 “Burri leshator”, u zëvendësua nga një mashkull bukurosh, i parfumosur dhe me lëkurë të lëmuar. Nofull të ngushtë, krahë me muskuj, vetulla të holla dhe pak mjekër. Këta janë tregues të një niveli të lartë testosteroni dhe një gjendjeje të mirë shëndetësore te meshkujt. Kushte teorikisht perfekte për të sjellë në jetë një fëmijë të shëndetshëm.

Fakti që femrat gabojnë shumë, asnjëherë nuk është marrë në konsideratë seriozisht. Sipas studiuesve, femrat janë të afta të bëjnë llogari që për shkencëtarët janë të panjohura. Dhe në fakt psikologët e universitetit “Aberdeen” kanë zbuluar se testosteroni, përveçse ka shumë avantazhe, ka edhe kundërindikacione. Në tentativën e tyre për të klasifikuar gjithçka, studiuesit skocezë kanë zbuluar se një përqindje e lartë e hormonit mashkullor te mashkulli shoqërohet me sjellje agresive dhe një tendencë ndaj tradhtisë. Ashtu si edhe në vendet e zhvilluara, ku kurat shëndetësore janë të nivelit të lartë, ja vlen të zgjedhësh një partner jo shumë bukurosh, por që është i gatshëm të krijojë një lidhje të shëndetshme dhe të ndihmojë në rritjen dhe edukimin e fëmijës.

Studiuesit e universitetit “Aberdeen” kanë përfshirë në studimin e tyre 4500 femra nga 30 kombe të ndryshme, por që të gjitha i përkisnin racës së bardhë dhe ishin heteroseksuale, duke përdorur një pyetësor i cili mund të gjendjet edhe sot në internet, në adresën www.faceresearch.org. Çdo vullnetareje i kërkohej që të vlerësonte tërheqjen e saj për një sërë fytyrash mashkullore të ndryshuara me kompjuter.

Fytyrat e ndryshuara, ndaj të cilave femrat janë treguar shumë të ndjeshme, ishin të rrumbullakëta, me pak mjekër, ballin e madh, flokë të lëpirë pas koke, vetulla të holla dhe të larguara nga njëra-tjetra, sy të vegjël si bajame dhe buzë të trasha. Më pas, rezultatet u krahasuan me treguesin e gjendjes shëndetësore të secilit vend të zgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Lidhja mes pasurisë dhe tërheqjes për karakteret mashkullore ishte krejtësisht e qartë.

“Mendojmë se kriteret e bukurisë janë arbitrare dhe individuale”, shpjegon psikologia Lisa De Bruine, që drejton “Face research laboratory” në universitetin “Aberdeen”. “Megjithatë, studimi ynë tregon se preferencat janë të diktuara edhe nga stimujt ambientalë, si niveli shëndetësor i popullsisë”.

Në vendet me sisteme shëndetësore më pak të dobishme (në studim janë marrë Brazili, Bullgaria, Meksika dhe Argjentina), nënat e ardhshme janë të prirura të tërhiqen nga një partner i cili është në gjendje të mirë shëndetësore, edhe pse nuk do të jetë një baba dhe shok perfekt. Aty ku pasuria dhe kushtet shoqërore janë të mira (Belgjikë, Suedi, Finlandë, Danimarkë dhe Austri), nënat e ardhshme do të zgjedhin partnerë me një nivel më të ulët testosteroni, që të jenë besnikë, të sjellshëm dhe të gatshëm të kujdesen për fëmijët.

Komento