Ilaçi kundër shtatzënisë dëmton eshtrat

Një studim i ri tregon se një lloj ilaçi kundër shtatzënisë mund të jetë i dëmshëm për kockat e grave.

Bari kundër shtatzënisë i njohur si ‘Depo provera’, është një alternativë e përhapur mes grave sepse ‘Depo provera’ merret me injeksion 4 herë në vit dhe jo çdo ditë siç ndodh me barnat e tjera kundër shtatzënisë.

Por studimi i ri paralajmëron gratë që marrin ‘Depo provera’ se ky ilaç mund të jetë i dëmshëm për kockat e tyre.

Mjekët në Universitetin e Teksasit vëzhguan për dy vjet gjendjen shëndetësore të 95 grave që merrnin ‘Depo provera’ dhe rregullisht analizuan gjendjen e kockave të tyre.

Te 50 për qind e grave në studim u vu re një rënie i konsiderueshme në dendësinë minerale në kockën e shtyllës kurrizore. Kjo humbje densiteti mund të çojë në rrezik për frakturë apo thyerje.

‘Depo provera’, gjithashtu krijon një çrregullim hormonal, që shkakton parandalimin e shtatzënisë dhe njëkohësisht dobëson strukturën e kockës.

Studime të mëparshme kanë lënë të kuptohet se shëndeti i kockave përmirësohet kur gratë ndërpresin marrjen e ‘Depo proverës’. Por kjo nuk është e sigurt, prandaj mjekët këshillojnë gratë që ta kufizojnë marrjen e ‘Depo proverës’ deri në jo më shumë se dy injeksione në dy vjet. /VoA/

Komento