Infertiliteti

Sipas gjinekologëve, meshkujt dhe femrat mund të kenë njësoj probleme. Fatkeqësisht, shkaku shihet vetëm te femrat

Është krijuar ideja sikur femra është fajtorja gjithnjë për faktin se një çift nuk ka fëmijë, por në fakt nuk është aspak kështu. Burrat janë po aq fajtor sa femrat.

Kështu u shpreh drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, e cila theksoi se trajtimi mjekësor në raste të tilla duhet të behët njësoj si për femrat ashtu edhe për meshkujt. “Nuk duhet të ketë fajësime nga asnjëra palë, pasi fajtor mund të jetë femra apo mashkulli.

Vihet re se fajin ua vendosin femrave, pasi edhe kur vijnë për vizitë sjellin vetëm femrën për inferilitet, madje e quajnë faj dhe jo shkak”, pohon Rubena Moisiu. Ndërsa, gjinekologu Maksim Gjoni pohoi se natyra apo perëndia e ka shpërndarë në këtë mënyrë, 30% shkaku është tek femra dhe 30 % shkaku është tek mashkulli, dhe 40% shkaku është i përbashkët.

Janë shifra të referuara nga të gjitha shërbimet gjinekologe botërore, por i afrohet shumë ngarkesës shkakore që t’i ndajnë përgjysmë”, pohon Gjoni. Sipas tij, veçoria është kjo se fertiliteti mashkullor është më i lehtë për tu ekzaminuar sesa te femrat.
Ndërsa kurimi mund të ketë ndërlikime të njëjta si tek femrat edhe tek meshkujt. Ndërkohë, vihet re se fajin ua vendosin femrave, pasi edhe kur vijnë për vizitë sjellin vetëm femrën për infertilitet, madje e quajnë faj dhe jo shkak.

Partnerët
Ka ndodhur që partnerët kanë tentuar për një kohë të gjatë për fëmijë dhe pasi janë ndarë kanë pasur fëmijë secili me partner të tjerë, por edhe për këtë gjinekologët japin një shpjegim.
Sipas tyre, kjo është e vërtetë dhe ka justifikimin për arsye se ka disa faktorë, të cilët janë kryesisht lokal, kryesisht tek femra dhe me infeksionin e jashtëm gjenital, të cilat nuk mundësojnë që brenda një çifti të ketë fëmijë, ndërkohë që nëse këta dy partnerë tentojnë shtatzëni me partnerë të tjerë mund të arrijnë.

Kjo ndodh për arsye se mundet që një mashkull të mposhtë nivelin e infeksionit tek partnerja, nëse tek një femër tjetër ky infeksion është më e ulët, atëherë e kalon dhe arrin në fekondim.
Pra, nuk përjashtohet që të kenë fëmijë me partnerë të tjerë”, pohon gjinekologu Gjoni, duke shtuar se faktor tjetër është se popullsia në nuk arrin të dallojë cilësinë e jetës seksuale me fekondimin. Kafshët, me ndryshim nga njeriu, kanë marrëdhënie seksuale që respektojnë stinëzimin, por kanë stinë të veçanta kur mundësia e tyre e fekondimit lulëzon dhe kafshët ftojnë njëra-tjetrën për tu lidhur me partnerin më të fuqishëm për të realizuar fekondimin.

Kjo tek njeriu funksionon kështu, pasi njerëzit tashmë kanë jetë seksuale kryesisht për kënaqësi e jo për fekondim.

Tentativa për tu fekonduar është në minorancë, në krahasim me arsyet e kënaqësisë”, pohon Maksim Gjoni, duke shtuar se marrëdhëniet seksuale të cilësisë së mirë kanë më shumë mundësi për tu shoqëruar me shtatzëni.

Fertiliteti paragjykohet nga fisi dhe shoqëria

Problemi i pamundësisë për të pasur një fëmijë nuk është vuajtja e vetme e shumë çifteve, por kësaj i shtohet edhe paragjykimeve të të afërmve dhe shoqërisë. Ky është mentaliteti shqiptar, i cili mundon shumë njerëz për këtë problem. Mjekja gjinekologe në maternitetin “Koço Gliozheni”, Enkelejda Prifti, theksoi se këto paragjykime i shtyjnë çiftet të kërkojnë ndihmë sa më të shpejtë tek mjekët.

Në vendin tonë kjo varet edhe nga paragjykimet që ka fisi, familja apo fshati, pasi thonë që për një çift që nuk kanë fëmijë me ta diçka nuk shkon dhe shpesh çiftet vijnë edhe para kohe për të kërkuar ndihmë tek mjeku, vetëm nga presionet që kanë nga familja dhe fisi”, pohon Prifti, duke shtuar se më parë periudha, e cila një çift me shëndet normal mund të presë deri në dy vjet për një shtatzëni spontane, ndërsa tani pritet vetëm një vit pastaj vijnë dhe kërkojnë ndihmë për të gjetur shkakun, pasi shoqëria i tregon me gisht.

Historiku i fekondimit artificial
Në historikun e mjekësisë, një hop i madh është viti 1977 që shënon lindjen parë të fëmijës me fekondim artificial dhe ky është një kontribut dhënë nga mjekë britanikë, pas një pune disavjeçare.
Sipas gjinekologut Maksim Gjoni, duke qenë nën presionin e medias dhe të institucioneve shtetërore, por edhe me fenë, pas atij viti që lindi ky fëmijë ata patën rreth 2 mijë prenotime telefonike për këtë ndihmë mjekësore, pra kërkesa e popullatës ishte shumë e madhe.

“Nuk ishte aspak i vonuar si shërbim që duhej t’i ofrohej popullatës, por në vendin tonë mendoj se është shërbim i vonuar. Ky shërbim në vendin tonë ka filluar pas viteve ’90-të, por jo me kapacitet të plotë për t’u ofruar të gjitha hallkat me fekondimin epruvetë (fekondimin jashtë trupit).

Tani jemi përpara një fakti që edhe ne si vendet e botës kemi përparuar në këtë drejtim”, pohon Gjoni, duke shtuar se rreth gjysma e fëmijëve që lindin sot në Amerikë janë me fekondim artificial dhe llogaria është e thjeshtë, pasi infertiliteti është shtuar shumë kohët e fundit për disa arsye.

Andrologu, meshkujt indiferent ndaj vizitave

Sedër mashkullore, neglizhencë apo siklet. Këto janë disa nga arsyet që meshkujt anashkalojnë andrologun, të cilët edhe e quajnë absurde një vizitë tek andrologu. Sipas andrologut Evin Dani, meshkujt shqiptarë e ndjejnë vetëm atëherë kur nuk shohin rrugëzgjidhje veten tek andrologu.

Kur aktiviteti seksual i tyre është fare përtokë. Nuk arrijnë të kënaqin partneren dhe pa diskutim edhe veten”, – këto janë rastet kryesore kur meshkujt vijnë tek andrologu.

Statistikat zyrtare flasin se rreth 10% e meshkujve deri në moshën 50 vjeç në vendin tonë janë impotentë. Po kështu, 50% e problemeve të mos pasurit fëmijë në çift, vijnë pikërisht nga ata./shekulli/