Java e modës 2012

Java e modës në Kosovë, shënon ngjarjen më të madhe të modës duke u rishfaqur çdo vit, si një dritare e prezantimit të punimeve autoriale të kreatorëve të dëshmuar, nga mbare trojet shqiptare dhe dizajnerëve botërorë që kanë ekskluzivitetet e prodhimeve të tyre edhe në tregun kosovar.

Kosova Fashion Week, si çdo vit tjetër, ka për synim të inkurajojë shtëpitë e modës, kreatorët, shkollat e modës, grupet e kreatorëve, butikët ekskluzive etj., që përmes punimeve kreative, të pasqyrojnë vlerat e punimeve me trendet më të fundit të modës.

Si fytyrë e Javës së modës këtë vit është përzgjedhur bukuroshja Diellza Kolgeci, e cila me përvojën e saj shumëvjeçare në pistat e modës pritet ta madhështojë edhe më shumë këtë spektakël.

Për Diellzën kjo do të jetë sfilata e fundit në karrierën e saj si modele profesioniste dhe më pas ajo pritet së bashku me kompaninë e saj “DK”, t’i bashkohet stafit të Gecjan Fashion Group në projektet e radhës.

Përgatitjet për javën e modës kanë filluar dhe konkursi zyrtar për të gjitha kompanitë e interesuara për t’u prezantuar në javën e modës, do të hapet nga data 15 shkurt.

Fotograf zyrtar do të jetë fotografi i mirënjohur Avni Selmani.

Java e modës në Kosovë vjen këtë herë në fillim të muajit prill, me ekskluzivitetet më të fundit të kreatorëve nga mbarë trojet shqiptare dhe më gjerë. Përkushtimi, aftësitë, stili dhe vlerat e kreatorëve tanë, kanë bërë që përmasat e Javës së modës në Kosovë të jenë çdo herë më të mëdha, duke zgjuar interesimin e gjithë atyre që iu rrah zemra për të qenë në hap me trendet e modës dhe stilin bashkëkohor.

Gjatë kohës që Java e Modës do të emetohet, në RTV21, në ekran do të shfaqet emri i kreatorit që prezanton punimet e tij, si dhe numri i telefonit, përmes të cilit do të realizohen kërkesat e publikut.

Për ta bërë Javën e modës edhe më të pëlqyeshme këtë vit është menduar që në kuadër të saj të zhvillohet edhe ‘Kosova Fashion Kids’. Nën moton “Të rritemi me stil” do të sfilojnë edhe fëmijët nga mosha dy deri në 10 vjeç dhe do të prezantohen kompanitë që kanë produkte të ndryshme për fëmijë. /Telegrafi/

Komento