Jeans-et kundër dinjitetit njerëzor

Kur politika përzihet në çështjet e modës, ka diçka që vërtet nuk shkon. Mbulimi i flokëve, maskimi i fytyrës dhe formave të trupit: të gjitha këto detaje tregojnë qartë mungesën e lirisë personale dhe papastërtinë e trupit femëror.

Xhinsi, duke filluar që prej 1968, u bë veshja më e përdorur në mbarë botën dhe akoma sot, në vitin 2010, është e vetmja veshje me të vërtetë e globalizuar, e përdorur me të njëjtën lehtësi nga yjet e spektaklit e kinemasë, profesorët, studentët dhe deri te punëtorët e thjeshtë.

“Respekti lidhet drejtpërsëdrejti me gjatësinë e shtatit të xhinseve”. Me këtë justifikim senatori demokratik i Nju Jorku, Eric Adams, u ka shpallur luftë pantallonave me bel të shkurtër, të cilat lënë të duken qartë mbathjet, por në veçanti fund-shpinën. Banorët e Bruklinit janë zgjuar të enjten e kaluar me rrugët e mbushura plot me njerëz, të cilët protestonin duke mbajtur në duar pankarta gjigante, ku shkruhej “Mjaft më me pantallonat me bel të shkurtër!”.

Në vitin 2008, edhe vetë Presidenti Obama ishte deklaruar kundër pantallonave me bel të shkurtër: “Disa persona nuk dëshirojnë që të shohin mbathjet tona, unë jam njëri nga ata”, deklaroi ai për “MTV News”. Disa shkolla amerikane kanë hartuar një kod për mbajtjen e një veshjeje të caktuar gjatë orarit mësimor, ku rripi i pantallonave është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e uniformës. Vitin e kaluar dekani i Universitetit të Shën Petërburgut në Florida urdhëroi të përdoreshin pantallona të gomuara nga femrat që të mos u rrëshqisnin deri te gjunjët.

Në fillim moda ishte përhapur në rrugë mes miqve, pastaj filloi të përhapej edhe më shumë, veçanërisht nëpër shkolla, ku shpesh Adams shkonte për vizitë dhe shihte që beli i pantallonave ulej gjithnjë e më shumë. Nga i njëjti problem ka marrë shkas edhe Tracey L. Collins, ish-dekan i një liceu që tani drejton “Fully Persuaded for Children and Families Inc.”, shoqata e cila ka për qëllim të inkurajojë përgjegjësitë sociale: “Pantallonat e rëna në fund të këmbëve janë shumë të përhapura mes të rinjve dhe të rejave.

Ata paraqiten kudo me to, nëpër shkolla, në rrugë, nëpër institucione të rëndësishme. Duke i parë të veshur në këtë mënyrë, njerëzit fillojnë t’i shohin me sy tjetër dhe të formojnë një opinion të gabuar për ta, edhe pse mund të jenë shumë profesionistë”.

Ndërkohë, Collins po bashkëpunon me senatorin Adams për fushatën “Stop pantallonave me bel të shkurtër!”. Adams thotë se nuk ka për qëllim të miratojë ndonjë ligj lidhur me këtë problem. Ai kërkon vetëm që të edukojë këtë brez të ri e të pabindur. “Nuk dua t’i kritikoj të rinjtë, pse janë të rinj. Po përpiqem të reduktoj në maksimum dëmet e kësaj mode”, ka thënë ai.

Megjithatë, stilistët janë kundër kësaj gjëje dhe të gjithë pyesin njëzëri: “Vërtet nuk kanë diçka më urgjente me të cilën të merren? Vetëm kjo u ka mbetur pa rregulluar politikanëve?”.