Jeta ideale

Jeta e përkryer në shekullin 21, pa stres, me kohë të mjaftueshme të lirë, është e paarritshme, thënë më mirë një “përrallë e bukur”.

Në fakt, shkencëtarët pohojnë se familja mesatare sot punon 1.000 orë më shumë në vit se sa paraardhësit e tyre para 25 vjetësh. Si të gjeni pastaj kohë për pushim, e le më për argëtim? Ju sjellim disa këshilla të cilat do t’ju ndihmojnë që së paku t’i afroheni jetës ideale.

Zvogëloni stresin

Është e pamundur ta eliminoni tërësisht stresin. Për këtë përpiquni që t’i largoni mendimet të cilat ju krijojnë stres. Më e rëndësishmja është të merreni me diçka dhe të shmangni situatat stresuese. Së paku derisa mos ta gjeni mënyrën se si ta “largoni” apo si të “silleni” me të.

Pa përtesë

Ikja nga obligimet ju harxhon shumë më shumë energji se sa kryerja e tyre. Nëse keni qenë të padisponuar në fillim, kur keni shkuar në punë, do të jeni në fund të kënaqur pasi ta përfundoni.

Luani me fëmijët

Lojërat familjare si duket kanë mbetur vetëm një histori e bukur. Këtë së paku e ka treguar një hulumtim britanik, i cili zbulon se prindërit me fëmijët kalojnë shumë pak kohë. Gjeni kohë për lojë me fëmijët tuaj pasi që ata do të dinë ta vlerësojnë këtë. Lexojuni ndonjë libër, përkëdhelni foshnjën tuaj, dilni në kafe me adoleshentët tuaj. Jini aty kur u nevojiteni më së shumti.

Thjeshtoni gjërat

Nuk është e domosdoshme që të jeni të zënë me diçka secilin sekondë të kohës suaj. Relaksohuni dhe harroni telefonin, celularin dhe e-mail-in. Mos merrni mbi vete obligime të cilat nuk janë urgjente dhe kaloni sa më shumë kohë me familjen tuaj.

Ndani përgjegjësitë dhe detyrat

Nëse mirë i keni ndarë detyrat dhe përgjegjësitë, udhëheqja e shtëpisë nuk do të duhet të jetë e frustruar për askënd. Nga ana tjetër, nëse vetëm një person, p.sh. nëna, kujdeset për të gjitha, vështirë që mund të jetë e kënaqur me jetën e saj. Jepuni fëmijëve tuaj detyra në përputhje me moshën e tyre dhe “punësojeni” bashkëshortin në qoftë se bën pjesë në grupin e atyre që mbrëmjen e kalojnë me telepilot në duar.

Ngadalësojeni ritmin

E keni ndjenjën se janë duke ju shfrytëzuar nga të gjitha anët dhe punoni nga mëngjesi deri në mbrëmje sikur të jeni të dehur. Përpiquni të qartësoni se cilat gjëra nuk janë urgjente dhe largoni të gjitha obligimet e tepërta, të cilat ju largojnë nga ata që i doni dhe me të cilët dëshironi ta kaloni kohën.

Kujdes për trupin dhe me ushqimin

Organizmi juaj do të funksionojë në mënyrë optimale nëse i siguroni “karburant” të mjaftueshëm. Kjo do të thotë pemë dhe perime të mjaftueshme të freskëta, mëlmesa. Nga ana tjetër, sheqeri i tepërt, yndyrat dhe karbohidratet e përpunuara, alkooli mund të zvogëlojnë aftësinë tuaj të merreni me stresin.

Fokusohuni në pozitivizëm

Mundohuni secilën ditë të ndani disa minuta dhe në letër të shkruani tri gjëra të cilat ju bëjnë të lumtur. Do të jetë ky përkujtues i mirë në ato që janë të rëndësishme në jetën tuaj.

Mos flini me çdo kusht

Shumë njerëz shkojnë në shtrat me dëshirën e flaktë që menjëherë të flenë dhe pushojnë. Por, shumë shpejt kjo shndërrohet në luftë me vetveten, lodhje dhe tension, që sjell deri tek frustrimi. Qetësohuni, merrni frymë thellë dhe shkoni në shtrat të relaksuar, dhe jo me mendimin se duhet urgjentisht të flini, pasi që në këtë mënyrë nuk do të arrini assesi të flini.

Kënaquni në ajrin e pastër

Shfrytëzoni pushimin dhe “humbisni” në natyrë, madje edhe nëse është ai parku i vogël para ndërtesës suaj. Kënaquni në gjelbërim dhe merrni ajër të pastër larg nga pajisja e klimës dhe nxehja qendrore.

Dëgjojeni këngën e preferuar

Harroni për një moment të gjitha obligimet dhe lëshojeni tërë zërin e këngës suaj të preferuar e cila ju garanton ngritjen e disponimit. Këta pak minuta për veten nuk do t’i keni vështirë t’i ndani.

Komento