Joga e praktikuar keq, mund të dëmtojë

Libri i sapodalë në SHBA, ‘Praktika e jogës mund të jetë e rrezikshme’, tregon se duhet të kemi kujdes ndaj jogës së praktikuar jo ashtu siç duhet.

Edhe kjo praktikë e lashtë indiane, gjithnjë e më përhapur edhe në Perëndim, mund të shkaktojë dëme të parikthyeshme. Për shkak se ka mbrojtur dhe argumentuar një tezë të tillë, trajneri amerikan i jogës, Glenn Black, ka marrë deri edhe kërcënime për vdekje nëpërmjet emailit.

Në origjinë të këtij diskutimi të ndezur është një artikull i ‘New York Times’, i titulluar “Si mund ta shkatërrojë joga trupin tënd”, në të cilin mjeshtri Glenn Black, që merret prej shumë vitesh me trajnimin e njerëzve që duan të bëjnë joga, ka thënë se nuk duhet të abuzosh me të, sepse mund t’i shkaktosh trupit dëme të rënda. Ai nuk ia hedh fajin jogës në vetvete, por praktikimit të gabuar të saj. Bëhet fjalë për disa ushtrime gjithnjë e më të vështira dhe të ndërlikuara që duan t’i realizojnë ata që merren me joga.

‘Shumë mësues joge nuk mësojnë joga, por ushtrime fizike, që mund të bëhen në çdo palestër’, shpjegon Black, që paralajmëron ata që mendojnë se edhe praktikat ekstreme janë të mira.

‘Joga është e përshtatshme për personat në formë të mirë fizike ose mund të përdoret për qëllime terapeutike, por ajo s’mund të përdoret nga të gjithë’. Në studimin e tij thuhet se disa pozicione janë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë trauma të shtyllës kurrizore, pasi gjithnjë e më shumë po kërkohet të bëhen lëvizje ekstreme që pak kanë të bëjnë me origjinën e saj asketike dhe meditative.