Këshilla mbi tuberkulozin

Tuberkulozi është një infeksion i shkaktuar nga bakteret ngadalë-zhvilluese që zhvillohen më së miri në vende të trupit ku ka shumë gjak dhe oksigjen.

Kjo është arsyeja pse më së shpeshti gjendet në mushkëri dhe quhet TBC pulmonere. Por TBC mund që gjithashtu të shpërndahet në pjesë të tjera të trupit, diçka që quhet TBC ekstrapulmonare.

Trajtimi zakonisht është i suksesshëm por një proces i gjatë dhe mjaft i mundimshëm. Për të trajtuar TBC duhet kohë prej 6 deri 9 muaj.

Tuberkulozi mund të jete aktiv apo i fjetur
Tuberkulozi aktiv do të thotë se ju keni baktere TBC në trup që po zhvillohen dhe po shkaktojnë simptoma. Nëse mushkëritë tuaja janë të infektuara me TBC aktive, atëherë është e lehtë të shpërndani sëmundjen tek të tjerët.

Tuberkulozi i fjetur do të thotë se ju keni baktere të tuberkulozit në trup por se mbrojtja e trupit tuaj (sistemi imunitar) po e mban atë që mos të kthehet në TBC aktive. Kjo do të thotë se për momentin nuk i keni simptomat e TBC-së dhe se nuk mund t’i shpërndani të tjerëve sëmundjen. Nëse ke TBC të fjetur, kjo mund të kthehet në TBC aktive.

Si shpërndahet tuberkulozi tek të tjerët?
Tuberkulozi Pulmonar (i mushkërive) është sëmundje ngjitëse. Shpërndahet kur personi i cili ka tuberkuloz aktiv nxjerr ajër në të cilin ka baktere të tuberkulozit dhe kështu personat e tjerë e thithin atë ajër me baktere. Një person i infektuar liron edhe më shumë ajër kur ai apo ajo kollitet apo qesh.
Nëse tuberkulozi është në vendet e tjera të trupit, atëherë nuk shpërndahet edhe aq lehtë tek të tjerët.

Kush është më i rrezikuar nga tuberkulozi?

Disa njerëz janë më të cënuar që të sëmuren nga TBC-ja se sa të tjerët. Këtu përfshihen njerëzit të cilët:

– Kanë HIV-in apo ndonjë sëmundje tjetër e cila dobëson sistemin imunitar të tyre.
– Kanë kontakt të afërt me dikë që ka TBC aktive, si për shembull jeton në të njëjtën shtëpi me dikë që ka TBC aktive.
-Kujdeset për personat të cilët kanë TBC aktive… si mjekët apo motrat dhe teknikët.
-Jetojnë apo punojnë në vende ku ka shumë njerëz si burgjet, spitalet, shtëpitë e kujdesit ndaj të moshuarve dhe të pleqve.
– Abuzojnë me alkool dhe droga të shumëllojshme.
– Udhëtojnë apo janë të lindur në vende ku TBC e pa trajtuar është diçka e zakonshme, vende si Amerika Latine, Afrika, Azia dhe Evropa Lindore dhe Rusia.
Është e rëndësishme që ata të cilët janë të cenueshëm dhe në rrezik për tu sëmurur nga tuberkulozi të testohen një herë apo dy në vit.

Cilët janë simptomat e tuberkulozit?
Shumë shpesh kur njerëzit infektohen me tuberkuloz, sëmundja është aq e lehtë në fillim sa që ata as që mund të mendojnë se e kanë. Njerëzit me tuberkuloz të fjetur (latent) nuk kanë fare simptomat, përveç rasteve kur sëmundja kthehet në tuberkuloz aktiv.

Simptomat e tuberkulozit aktiv janë:
-Kollitje që nxjerr mukozë të trashë, të turbullt dhe nganjëherë me gjak për më shumë se 2 javë.
– Plogështi dhe humbje peshe.
– Djersitje gjatë natës dhe temperaturë.
– Të rrahura të shpejta të zemrës.
-Të ënjtura në qafë (kur infektohet gjëndrat limfatike të qafës).
– Frymëmarrje e shkurtër dhe dhembje gjoksi (në raste të rralla).

Si diagnostikohet tuberkulozi?
Mjekët shpesh e zbulojnë TBC-në e fjetur, duke bërë test të lëkurës. Gjatë testit të lëkurës, mjeku apo tekniku injekton antigjen të TBC-së ndër lëkuren tuaj. Nëse keni baktere të TBC-së në trup, brenda dy ditëve ju do të keni një gungë të skuqur aty ku jeni shpuar nga gjilpëra e injeksionit. Testi nuk mund të tregojë kur je infektuar dhe nëse sëmundja mund të shpërndahet tek të tjerët.
Për të zbuluar tuberkulozin polmonar mjekët testojnë një mostër të mukozës së mushkërive për të parë nëse në të gjenden baktere të tuberkulozit. Mjekët nganjëherë bëjnë fotografim me rreze-x (rentegen) për zbuluar tuberkulozin mushkëror.
Për të zbuluar tuberkulozin ekstrapulmonar mjekët mund të marrin një mostër të indit (biopsi) për ta testuar. Ose mund t’u bëjnë skanim CT ose MRI (Imazh me Rezonance Magnetike) dhe kështu mjeku mund të shikojë në brendi të trupit tuaj.

Si trajtohet tuberkulozi?
Shpesh mjekët kombinojnë katër antibiotikë për të trajtuar tuberkulozin aktiv. Është me rëndësi që medikamenti për tuberkuloz aktiv të merret për së paku 6 muaj. Gati të gjithë njerëzit shërohen nëse marrin medikamentin ashtu si e ka përshkruar mjeku. Nëse pas 6 muajve testet prapë tregojnë tuberkuloz aktiv, atëherë trajtimi duhet të vazhdojë për 2 apo 3 muaj shtesë. Shumica e njerëzve me tuberkuloz të fjetur (tuberkuloz latent) shërohen vetëm me një lloj antibiotiku të cilin e marrin rresht për 9 muaj. Kjo zvogëlon rrezikun që tuberkulozi të shndërrohet në tuberkuloz aktiv.

Nëse ndalon së marri medikamentin para kohe apo e le pa i marrë për ca ditë, atëherë trajtimi mund të dështojë apo duhet të zgjasë më shumë. Ndoshta do ju duhet të filloni trajtimin nga e para. Kjo pakujdesi mund të shkaktojë që infeksioni të bëhet edhe më i ashpër apo që të bëhet rezistues ndaj antibiotikëve. Kështu do te bëhet shumë më i vështirë për tu trajtuar.Tuberkulozi mund të trajtohet vetëm nëse i merr të gjitha dozat e mjekimit që të janë përshkruar. Një mjek apo specialist duhet t’ju shikojë që ju të mos harroni asnjëherë dozën dhe nëse e merrni si duhet. Ndoshta do të duhet të shkoni në spital ose të vizitoni mjekun çdo ditë, por më mirë është kështu sesa të harrosh ose të gabosh në dozë e të keqësohesh apo fillosh shërimin nga e para. Përqindja e shërimit të tuberkulozit është shtuar shumë për shkak të këtij lloj trajtimi të vëzhgimit të përafërt.