Koleksioni i ri i “Lanvin” për “H&M”

Siç njoftuam më parë, shtëpia e modës “Lanvin” këto ditë e paraqiti koleksionin e saj për publikun e gjerë.

Kjo shtëpi e modës u bashkëngjitet disenjatorëve të famshëm dhe shtëpive të modës në krijimin e modeleve luksoze moderne me çmime të arsyeshme për markën “H&M”. Pasi është folur para disa muajve për bashkëpunim, këto ditë tashmë mund të shihet koleksioni i ri.

Koleksioni ka pallto, fustane femërore, këpucë me shirita, me rrudha dhe qepje asimetrike. Koleksioni përfshin edhe veshje klasike për burra, kryesisht kostume elegante. “Puna e disenjatorëve bazohet në krijimin e veshjeve për një numër të vogël të njerëzve, por koleksioni për ‘H&M’ do të përpiqet ta realizojë ëndrrën e luksit për njerëzit e thjeshtë”, tha disenjatori i “Lanvin”, Alber Elbaz, informon “Dejli mejl”

Pyetja është sesa do të pranohet ky koleksion emocionues dhe i shumëpritur, nëse merren parasysh çmimet, që janë dukshëm më të larta sesa çmimet që blerësit e ‘H&M” janë mësuar t’i kenë. Fustanet e “Lanvin” janë mbi njëqind euro, diçka që nuk është e përshtatshme për markën ‘H&M”, i cili u bë i famshëm pikërisht për çmimet e ulëta. Nga “Lanvin” sqarojnë se bëhet fjalë për dizajn unik dhe jo kopje e luksit, të bëra nga materiale cilësore si leshi dhe mëndafshi.

Komento