Konsumoni gështenja për të qenë më të bukur

Dimri është stina kur gështenjat nuk mungojnë në treg. Sipas Mjekësisë Tradicionale Kineze, gështenja futet tek ushqimet e ëmbla dhe të ngrohta.

Ajo favorizon shëndetin e stomakut dhe të shpretkës, luan rol në rezervimin e energjisë “Yang” në veshkë, nxit qarkullimin e gjakut dhe largon enjtjen.

Përveç këtyre, gështenja është një ushqim i mirë për bukurinë personale. Më poshtë, do t’ju prezantojmë hollësisht funksionet magjike të gështenjës:

1. Në gështenje ndodhen shumë acide yndyrore të pangopura, vitamina dhe minerale, të cilat kontribuojnë për jetëgjatësinë. Ky frut mund të parandalojë dhe përmirësojë hipertensionin, sëmundjet koronare të zemrës, arteriosklerozën, osteoporozën dhe sëmundjet e tjera. Janë të përshtatshme për femrat e të gjitha moshave.

2. Gështenja përmban vitaminë B2, e cila mund të nxitë rritjen dhe zhvillimin e qelizës. Prandaj, konsumi i gështenjës mund të përmirësojë lëkurën, rigjenerojë qelizat e vdekura dhe të lehtësojë pezmatimin e lëkurës.

3. Gështenja përmban gjithashtu karbohidrate të pasura, por më pak yndyrna se sa frutat e tjera arrore. Ky frut i jep trupit energji dhe nxit metabolizimin e yndyrave, duke ruajtur rolet e furnizimit të energjisë “Chi” në veshkë, të nxitjes së funksionimit të shpretkës, të favorizimit të shëndetit të stomakut dhe të zorrëve.

4. Gështenja ka edhe funksionin e ndalimit të gjakderdhjes. Për shkak se ajo përmban shumë hekur dhe vitamina të tjera, mund të përdoret për problemet me gjakderdhjen e tepërt gjatë menstruacioneve, po ashtu edhe për aneminë.

Studiuesit kanë zbuluar se konsumi i gështenjës mund të parandalojë dhe lehtësojë shumë simptoma dhe probleme gjatë periudhës së shtatzënisë:

1. Lehtësimi i simptomave në javët e para të shtatzënisë

Gjatë javëve të para të shtatzënisë shumë gra nuk kanë oreks, po ashtu mund të kenë të përziera dhe marrje mendsh. Gështenja, falë vetive të saj, mund të përmirësojë funksionin e tretjes në stomak dhe zorrë gjatë kësaj faze prandaj këshillohet të përdoret.

2. Lehtësimi i dhimbjes së mesit gjatë shtatzënisë

Gjatë fazës së shtatzënisë, pjesa më e madhe e nënave të ardhme do të ndjejnë dhimbje beli, e cila mund të lehtësohet nga konsumi i gështenjës. Ky frut mund të përmirësojë edhe problemin e pafuqishmërisë në mes dhe në këmbë.

3. Lehtësimi i edemës së grave shtatzënë

Gështenja përmban përqindje të lartë kaliumi, që mund të ndihmojë ekuilibrin e përqindjes së natriumit në trup, duke nxitur metabolizimin e ujit të tepërt dhe asgjësimin e edemës tek gratë shtatzëna.

4. Ndihmon në qëndrueshmërinë e gjendjes shpirtërore

Gështenja përmban shumë elementë të cilët mund të ndihmojnë në reduktimin e luhatjeve psikologjike dhe emocionale. Gratë shtatzëna që kanë paqëndrueshmëri shpirtërore, mund ta provojnë këtë frut magjik.

Po cilat janë disa nga gatimet tradicionale kineze me gështenja:

1. Supë pule me gështenja dhe bërthama kajsish

Kjo supë është tepër e ushqyeshme pasi mundëson furnizimin me energji “Yang” në veshkë, forcon shpretkën dhe pastron mushkëritë.

Përbërësit: 100 gramë gështenja, 20 gramë bërthama kajsish, 40-50 gramë kërpudha të thata, një pulë me peshë afro 500 gramë, 50 gramë mish derri pa dhjamë, 5 gramë xhenxhefil të prerë në copa, 3 litra ujë, 10 gramë kripë.

Përgatitja: Pasi të keni pastruar gështenjat, fusni bërthamat e kajsive dhe kërpudha të thata në ujë për 5 minuta dhe më vonë pastroni ato. Pastroni pulën nga organet e brendshme. Prisni mishin e derrit në kubikë. I fusni të gjitha këto në një poçe gatimi me 3 litra ujë. Në fillim, lëreni supën të gatuhet në zjarr të ngadaltë, më pas në zjarr të fortë dhe pasi të ketë marrë valë lëreni përsëri në zjarr të ngadaltë për afro 2 orë. Shtojini në fund kripën.

2. Gështenja në avull me lakër kineze dhe bërthama kajsish

Ky gatim ndihmon për të pastruar mushkëritë dhe nxit sekretimin e pështymës.

Përbërësit: 75 gramë lakër kineze, 30 gramë bërthama kajsish, 100 gramë gështenja, 5 gramë xhenxhefil të prerë në copa, 5 ml vaj bimor, 5 gramë kripë, 1250 ml ujë.

Përgatitja: Pastroni lakrën kineze dhe e prisni në rripa, pastroni gështenjat dhe gatuajini në avull. Në fund shtojini pak kripë për shije.

3. Supë me mish derri dhe gështenja

Kjo supë ndihmon furnizimin e energjisë “Chi” në veshkë. Është e përshtatshme për personat që vuajnë nga problemet me frymëmarrjen, djersitjen, kanë fytyrë të zbehtë dhe lodhje të vazhdueshme.

Përbërësit: 150 gramë mish derri pa kocka, 50 gështenja të freskëta pa lëkurë.

Pasi ta keni lënë mishin e derrit në ujë të valuar për 1 minutë sa për të nxjerrë jashtë papastërtitë, lëreni të gatuhet në zjarr të ngadaltë së bashku me gështenjat për afro 2 orë. Shtoni kripë dhe erëza në fund.

Gështenja ka shumë veti të shëndetshme, por duhet të keni edhe kujdes…

1. Personat që kanë sistem të dobët tretës ose ata që vuajnë nga reumatizma nuk duhet të konsumojnë tepër gështenja, pasi ajo mund t’ua përkeqësojë gjendjen.

2. Gështenja e freskët mund të prishet shumë shpejt dhe konsumi i saj mund të shkaktojë helmim. Prandaj, mos konsumoni gështenjat e prishura.

3. Konsumi i drejtpërdrejt i gështenjës së freskët do të ngarkojë punën e stomakut. Prandaj, nuk këshillohet të konsumoni sasi të lartë gështenjash. Mjekët kinezë sugjerojnë që mos të konsumoni më shumë se 10 gështenja çdo herë.

4. Fëmijët e vegjël nuk duhet të konsumojnë shumë gështenja, meqenëse ato kanë sistem tretës delikat. Gjithashtu diabetikët duhet të kenë kujdes me përdorimin e gështenjës pasi ajo përmban shumë sheqer dhe mund të përkeqësojë sëmundjen e tyre.

Komento