Kontraceptivët para moshës 17 vjeç sjellin sëmundje

Të rinjtë e sotëm gjithnjë e më herët kryejnë marrëdhënie seksuale. Studimet e fundit të Instituti të Shëndetit Publik evidentojnë se tanimë adoleshentët 15-vjeçarë kryejnë marrëdhënie.

Mjekët gjinekologë ngrenë shqetësimin, duke iu drejtuar kryesisht vajzave adoleshente se kryerja e marrëdhënieve në moshë të vogël dëmton organizmin dhe pengon rritjen normale të tyre. Madje, në një intervistë  mjekja obstetre-gjinekologe Mirela Rista thotë se “çdo marrje e parakohshme e kontraceptivëve para moshës 17 vjeç ka efekte shëndetësore”.

Më tej, doktoresha shpjegon metodat kontraceptive më të sigurta për të shmangur një shtatzëni dhe për komoditete në marrëdhënien e tyre.

Cilat janë metodat kontraceptive më të sigurta?

Kontracepsioni është metoda e mbrojtjes ndaj një shtatzënie të padëshiruar që nënat ose vajzat e kanë të nevojshme ta njohin gjatë jetës së tyre në marrëdhëniet seksuale. Kontracepsioni përfshin mbrojtjen me pilula dhe kontracepsioni nëpërmjet vendosjes në mitër të një aparati që quhet dispozitivi intrauterinë, që zë vendin e embrionit në uterus. Dispozitivi intrauterinë ose siç quhet ndryshe sterileja është një aparat i vogël që vendoset në brendësi të mitrës, në kavitetin që krijohet për vendosjen e embrionit, për vendosjen e produktit të konceptimit në momentin e fillimit të shtatzënisë. Vendosja e sterilesë në kavitetin e uterisë në mënyrë mekanike zë vendin e produktit të konceptimit. Nëse në marrëdhëniet e pambrojtura në çift është arritur fekondimi i vezës dhe krijohet produkti i përbashkët i konceptimit, ai nëpërmjet tubave transportohet në kavitetin uterin por aty nuk gjen mundësi që të kapet, sepse këtë vend e ka zënë ky aparat i vogël që gruaja mban në trupin e saj. Kjo gjenezë e një organizmi të ri duke mos gjetur vend se ku kapet në muret e mitrës bie, nxirret nga organizmi dhe si i tillë humbet, gruaja nuk ka më shtatzëni. Pasi aparati që ishte vendosur në muret e mitrës nuk krijoi mundësi për t’u kapur po aty në të njëjtin vend një embrion i ri. Këtu qëndron siguria për të mos krijuar shtatzëni një nënë që mban në mitrën e saj sterilen. Vendosja e aparatit të steriles bëhet nga specialisti gjinekolog dhe ka një jetëgjatësi deri në 5 vjet. Ky aparat qëndron i efektshëm dhe mbron nënën nga një shtatzëni brenda pesë vitesh nga momenti i vendosjes. Ka edhe aparat që jetëgjatësinë e tij e ka 10 vite brenda mureve të mitrës. Aparati i vendosur në muret e mitrës sterileja ka një përmbajtje ose me bakër ose me një produkt të progresteronit, i cili duke qenë në kokën e këtij aparati nëpërmjet mureve të mitrës hyn në enët e gjakut dhe transmetohet në sistemin qarkullues të gjakut të nënës, duke i dhënë asaj një dozë të përditshme, të pakët progresteroni në këto pesë vite që aparati qëndron në trupin e saj. Këto aparate janë më të kushtueshme dhe quhen mirena, kjo ka aftësi jo vetëm për të mbrojtur nënën nga një shtatzëni të padëshirueshme, por ka edhe efektin mjekësor, kurues. Progresteroni që është në përmbajtje të këtij aparati duke hyrë në qarkullim të gjakut të nënës, ia jep këtë hormon pak nga pak nënës, duke i dhënë mundësinë që ajo të ketë një nivel hormonal të kontrolluar dhe të shëndetshëm për organizmin e saj. Shumë herë këto aparate për këtë qëllim, vetëm për qëllim mjekues ne ua vendosim nënave kur ato kanë çrregullim të ciklit menstrual, të tilla që japin hemorragji të zgjatura apo sasi të madhe të hemorragjive gjatë ditëve të ciklit menstrual. Ky aparat ka një rëndësi nëse vendoset në trupin e nënës sepse e mbron nga shtatzënia, por edhe e shëron nëse ka të tilla shqetësime. Metoda tjetër është metoda kontraceptive me pilula. Pilulat kanë në secilën nga kokrrat e tyre një përmbajtje hormonale dhe ndryshimi hormonal dallon njërin tip pilule nga tjetra. Sot në tregun farmaceutik ekzistojnë disa lloje pilulash që nga pamja e jashtme janë të gjitha njësoj, me disa kokrra që pacientja e merr rregullisht në të njëjtin orar një herë në ditë, por që ato ndryshojnë nga njëra-tjetra pikërisht nga përbërja hormonale e kokrrave të tyre. Pacienti i zgjidhet pothuajse në bazë të karakteristikës fiziologjike pak a shumë ajo pilulë e përshtatshme për dozimin hormonal që kërkon organizmi i asaj femre.

A është e mundur të bëjmë një klasifikim të kontraceptivëve në bazë të efektivitetit të tyre?

Përzgjedhja e kontracepsionit duhet t’i përgjigjet moshës, strukturës hormonale të çdo individi. Prandaj janë të tilla që ne i klasifikojmë sipas problematikës që duam të zgjidhim. Personi që vendos të marrë një kontracepsion, të zgjedhë metodën kontraceptivëve duhet të paraqitet tek gjinekologu dhe shumë herë kjo konsultë kërkohet të jetë në çift. Pasi duhet të jetë çifti ai që duhet të zgjedhë kontracepsionin më komod në mënyrën e marrjes, përfitimit afatgjatë dhe do përshtatet në bazë të karakteristikave që ka shëndeti i nënës ose i vajzës, atë pilulë që jep sa më pak efekte anësore. Vajzat e reja që nuk kanë filluar akoma shtatzënësitë e dëshiruara, që nuk janë bërë ende nëna ne iu rekomandojmë që për t’u mbrojtur nga një shtatzëni e padëshiruar të përdorin pilulën, por atë që është me dozën minimale hormonale, pra ajo që quhet minidozë. Ka disa pilula. marrja e të cilave shton në peshë, por pilula me dozën minimale nuk shton në peshë. Tek nënat thuhet që duke përmirësuar qarkullimin e gjakut në veshka, këto urinojnë më shpesh. Nënat e reja që kanë lindur dhe nuk duan shtatzëni të afërme me njëra-tjetrën, por duan t’i planifikojnë ato në moshën trevjeçare, ato mund të vendosin aparatin e steriles, që në pesë vite i lejon një marrëdhënie bashkëshortore të sigurt, që edhe e pambrojtur ajo të mos arrijë në një shtatzëni të padëshiruar ose mund të marrë kokrrat. Por marrja e kokrrave kërkon një rregullshmëri të marrjes së kokrrave çdo ditë. Metodat kontraceptive janë pilulat, tabletat që merren rregullisht çdo darkë nga goja kanë një efekt mbrojtës rreth 99%. Janë shumë të sigurta për një shtatzëni të padëshiruar.

Në çfarë moshe rekomandohet përdorimi i tyre?

Pilula fillohet pas moshës 17 vjeç. Ndërkohë që nuk këshillohet vendosja e aparatit pa u bërë nëna, pasi zgjedhja e aparatit është për ato që janë bërë nëna dhe duan komoditetin e tyre në marrëdhënie në të njëjtën kohë t’i përkushtohen fëmijës derisa të rritet. Problemi i marrjes së kontraceptivëve është vërtet i lodhur me moshën. Nga ana shëndetësore, një gjinekolog nuk rekomandon fillimin e kryerjes së marrëdhënieve seksuale para moshës 18 vjeç si e tillë edhe pilula kontraceptive mund të merret nga vajzat pas kësaj moshe. Kohë kur është plotësuar rritja e organizmit, çdo marrje e parakohshme e kontraceptivëve para moshës 17 vjeç ka efekte shëndetësore. Mitra është e paformuar mirë, ka qeliza akoma të brishta, ka qeliza jo të forta për të përballuar një stres fizik siç është marrëdhënia seksuale, si e tillë mund të pësojë dëmtime në strukturën e qelizës që i transmeton më vonë në rritje me sëmundje.

Flitet shpesh për pilulën e emergjencës, sa e rrezikshme është?

Pilula e emergjencës është një dozë e tillë hormonale që pengon vendosjen në uterus tashmë të një embrioni që është bërë si i tillë dhe ka një dozë të lartë hormonale dhe si e tillë nuk këshillohet që të merret pa rekomandimin e mjekut. Dihen pasojat negative, kjo manifestohet në ciklin e tyre, që për dy-tre muaj mund të jetë i çrregullt dhe do t’iu duhet të marrë medikamente mjekësore për rregullimin e tij. Pilula e emergjencës është funksionale në 80% të rasteve.

Flet doktoresha e shkencave, Mirela Rista, obstetre-gjinekologe në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”
/standard/