Krem apo Botox?

Është një tendencë e viteve të fundit, që kompanitë që prodhojnë produkte kozmetike të deklarojnë se produktet e tyre kanë efekte superiore në raport me procedura të caktuara kozmetike, si p.sh. botoksi.

Shpesh reklamat tentojnë t’i paraqesin injeksionet me botoks si të rrezikshme apo të dhimbshme.

Në fakt, nuk ka asgjë të frikshme në lidhje me botoksin. Kërkimet tregojnë se botoksi është si efektiv në reduktimin e rrudhave dhe në shumë procedura mjekësore, ashtu edhe i sigurt.

Nga ana tjetër nuk ka pothuajse asnjë kërkim shkencor që të tregojë se produktet kozmetike të kujdesit për lëkurën kanë efekte qoftë edhe të përafërta me trajtimin me botoks dhe fillera dermal, apo me trajtimin me lazer. Pavarësisht nga përbërësit ose nga pretendimet e kompanive prodhuese, kjo është thjesht e pamundur. Edhe botoksi nuk mund të funksionojë si botoksi, nëse aplikohet në formë kremi në vend që të injektohet në muskujt e ballit apo fytyrës.

As fillerat dermal nuk mund t’i zhdukin rrudhat kur aplikohen lokalisht dhe nuk injektohen në lëkurë. Të aplikuara nga profesionistë, botoksi dhe fillerat dermal bëjnë të mundur zhdukjen pothuajse të menjëhershme të rrudhave. Të besosh dhe të provosh ta arrish këtë me anë të kremrave, serumeve apo losioneve është thjesht humbje kohe dhe paresh.

Nuk ekziston asnjë krem i cili të “ketë lënë pa punë” një profesionist të fushës së kozmetikës apo kirurg estetik.

Përfundimisht, pavarësisht nga ekzistenca e produkteve që pretendohet se janë më efektive nga botoksi, vetëm gjatë vitit 2009 janë aplikuar miliona e miliona injektime me botoks, në rritje po të krahasohet me vitet e kaluara.

Komento