Kripa: A eshte nje element i cmuar?

Konsumi i klorurit të natriumit shoqërohet me infarkte dhe iktuse, por disa studime të reja vënë në mëdyshje rrezikshmërinë. Cilët kanë të drejtë? Sipas “New Scientist”, është mirë të mos teprohet.

Mbi tavolinën time gjendet një mbajtëse, brenda së cilës ka shumë kristale të vogla të bardha. Një nga ritualet e mia të përditshme është kriposja e disa prej ushqimeve që konsumoj.

Por nuk hezitoj që herë pas here ta zhys gishtin në kripë dhe pastaj ta fus në gojë. Kristalet kanë një shije të fortë, si oqeani. Kripa është pjesë e dietës sime të përditshme, por jam i vetëdijshëm se po ta përdor për shumë kohë mund edhe të më vrasë. OBSH-ja thekson se bota po kalon një krizë për shkak të sëmundjeve jo infektive. Kripa është një prej shkaktarëve kryesorë, sepse mund të ketë pasoja në presionin e gjakut. Megjithatë OBSH-në vetëm një substancë e shqetëson vërtetë shumë: duhani.

Prej 40 vjetësh mjekët e të gjithë botës i kanë shpallur luftë kripës. Në disa vende kjo betejë ka pasur sukses të madh. “Të gjithë politikanët dhe përgjegjësit e politikave shëndetësore thonë se duhet bërë diçka”, pohon Graham MacGregor, mjek kardiolog në institutin “Wolfson” në Londër. Megjithatë, gjatë muajve të fundit diçka ka ndryshuar dhe mund ta quajmë një ndryshim rrënjësor. Nëpër gazeta lexohen tituj që vënë në mëdyshje dobitë e konsumit të reduktuar të kripës. Sipas disave, kjo është e dëmshme. Lidhur me këtë çështje, revista “Scientific American” ka shkruar: “Ka ardhur koha që ta deklarojmë të mbyllur luftën kundër kripës”. Çfarë po ndodh? Mos vallë për 40 vjet na kanë treguar gënjeshtra? Kripa (ose më saktë kloruri i natriumit) është një substancë ushqyese vitale. Natriumi dhe kloruri ndihmojnë në mbajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në organizëm. Natriumi është një nga jonet e përdorura nga qelizat e trurit për të krijuar impulset elektrike.

Ushqimi që ishte në dispozicion të paraardhësve tanë nuk kishte kripë, për këtë arsye me kalimin e viteve kemi zhvilluar një sistem shumë të rafinuar për të vënë re praninë e saj në ushqime. Ne jemi në gjendje ta dallojmë shijen e kripës. Ndryshe nga ç’ndodh me ushqimet e tjera, organizmi ynë nuk është në gjendje ta asimilojë menjëherë kripën, por mund të ndihmohet falë veshkave. Mjafton një sasi e vogël kripe për të mbijetuar. Deri para pak dekadash njerëzit konsumonin vetëm kripën që gjendej nëpër ushqime, pra në total më pak se një gram në ditë. Kripa u bë pjesë e dietës së njerëzve para pesë mijë vjetësh, kur kinezët zbuluan se mund ta përdornin këtë produkt për të konservuar ushqimet. Që atëherë ka pasur një rol të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Ka shoqëruar kalimin nga nomadizmi te komunitetet e tjera dhe është bërë një prej lëndëve të para më të çmuara në botë.

Sot nuk kemi më nevojë për kripën për të konservuar ushqimet, por dëshira jonë për të konsumuar kripën nuk është pakësuar. Pothuajse të gjithë njerëzit konsumojnë më shumë kripë nga sasia që duhet. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës udhëzuesit ushqimorë këshillojnë një konsum prej 3,75 gramësh në ditë, por i gjithë Perëndimi përdor më shumë se 8 gramë në ditë. Në disa vende aziatike 12 gramë kripë në ditë janë normale. Pavarësisht bindjes sonë të përhapur, që tërheqja jonë ndaj kripës është e lindur, në të vërtetë duket sikur është e kundërta. Disa grupe vendase të Papuas në Guinenë e Re nuk e përdorin fare kripën, madje u duket e neveritshme. Por kur dikush prej tyre shkon në qytet, mësohet shpejt që ta përdorë. E njëjta gjë ndodh me specin djegës, kafeinën dhe kripën: duket sikur njerëzit mësojnë ta duan shijen e neveritshme të saj. Ashtu si çdo drogë që krijon varësi, sa më shumë konsumohet aq më shumë pëlqehet. Po kështu edhe përdorimi i tepërt i kripës i bën të pandjeshëm receptorët e kripës në gjuhë (receptorë që bëjnë dallimin e shijeve).

Pasi konsumi i kripës tashmë është bërë zakon, ushqimet që nuk e përmbajnë atë nuk janë të shijshme. Vetëm pas një kohe të gjatë mund të mësohesh me shijen e re dhe të rikuperosh perceptimin normal. Fakti që dieta mesdhetare është e pasur me kripë nuk të ndihmon aspak. Pothuajse tre të katërtat e kripës që konsumojmë u shtohen ushqimeve para se të na shërbehen në pjatë dhe kjo jo vetëm në rastet që ne e dimë, për shembull kur hamë salmon të tymosur, por edhe te drithërat që konsumojmë në mëngjes, biskotat, djathi, kosi, ëmbëlsirat, sallatat, buka etj…