Kujdesi për kërthizën e të posalindurit

Derisa bebja është në mitër gjithçka çfarë i duhet e merr prej jush përmes placentës dhe kordonit umbilikal.

Pas lindjes së bebes ky kordon pasi shtrëngohet me një kapëse plastike, prehet me gërshërë; kordonin mund ta presë edhe burri juaj ose e pret mamia. Në kordon nuk ka mbaresa nervore, kështu që as ju e as bebja nuk do të ndieni dhimbje dhe asnjë ndjenjë tjetër.

Pasi të prehet kordoni, në vendin ku ka qenë i ngjitur për barkun e bebes, do të mbetet një cungel i gjatë 2-3 cm. Ky cungel duhet të mbahet pastër derisa të bie. Cungeli i kërthizës mund të bie prej ditës 5 deri 15 pas lindjes, por zakonisht bie pas një jave.

Me kalimin e ditëve kordoni e ndryshon ngjyrë nga e verdhë ose gjelbër në ngjyrë kafe të errët ose të zezë, derisa të bie vetvetiu. Lëreni kordonin të bie vetë dhe mos e tërhiqni!
Kordonin mbani të pastër. Gjithmonë lani duart përpara dhe pasi t’ia ndërroni bebes pelenën. Kordonin e mbani pastër duke e larë beben ose duke e fshirë me peceta të lagura me ujë të vakët. Mos e vishni beben ngushtë në mënyrë që kërthiza e bebes të ketë kontakt me ajrin.

Nëse kordoni laget nuk do të thotë se do të ngadalësohet shërimi i tij ose që favorizohet infeksioni. Pas larjes terni kordonin me shumë kujdes me një peshqir të butë. Lini që të teret kordoni para se t’ia veni pelenën. Mos e mbuloni kordonin me pelenë dhe përvileni pelenën më poshtë kërthizës në mënyrë që të mos e fërkojë dhe iritojë kërthizën.

Mos përdorni antiseptik për kërthizën, sepse mund ta vonojë rënien e kërthizës. Mjafton vetëm që ta mbani pastër.
Pasi që të bie kërthiza, në barkun e bebes mbetet një plagë e cila do të shërohet për 7-10 ditë. Nga plaga mund të rrjedhë pak gjak, por kjo është normale prandaj mos u shqetësoni.

Nëse vëreni se pjesa përreth kërthizës është e enjtur dhe e skuqur, nëse kërthiza është e enjtur dhe mban erë, nëse bebja ka ethe, është e përgjumur dhe nuk pin, atëherë patjetër kontaktoni mjekun, sepse këto janë shenja se kërthiza është infektuar./shkruan dr Memli Morina

Komento