Kur ai rri tërë hundë e buzë

Është i ofenduar, i inatosur ose i lodhur. Atëherë ai mbyllet në një heshtje të papërkulshme. Një rrezik për jetën në çift. Si të stabilizoni dialogun.

Një fjali e papëlqyeshme, një situatë acaruese, një shkëmbim batutash që e kanë bërë të ndihet keq. Kështu ai ndihet i lënduar, i ofenduar, i zemëruar. Dhe do të mbyllet në vetvete. Nuk flet, nuk ju shikon, një gjendje e nderë.

Rri gjithë hundë e buzë dhe nuk shpreh asgjë kundrejt jush. Është një mënyrë të sjelluri si fëmijë dhe ndonjëherë mund të jetë edhe ndonjë sjellje agresive. Ose mbase do që ta bëni ju hapin e para, që ta siguroni për ndjenjat tuaja. Ndoshta ka nevojë thjesht për dashuri. Për të kuptuar më mirë se çfarë fshihet pas këtij qëndrimi dhe se ç’duhet të bëni për të ristabilizuar lidhjet, lexoni më poshtë disa dëshmi dhe këshillat që jep psikologia.

Çdo natë që kthehet nga puna, Beni rri i heshtur
“Që kur im shoq ka ndryshuar punë, gjërat midis nesh janë përkeqësuar. Tani netët që ai kthehet vonë në shtëpi, i lodhur dhe me humor të keq janë bërë më të shpeshta. Nuk thotë asnjë fjalë, nuk më pyet fare se si e kalova ditën, pret sa t’i bëj gati darkën dhe ha me një fytyrë të ngrysur. Në fillim, instinktivisht, e mbysja me pyetje, mundohesha të kuptoja se çfarë kishte, se mos ishte i zemëruar me mua, por ai nuk përgjigjej. Një ditë nuk mundesha më dhe shpërtheva. Më tha që e kishte nga puna, ngaqë ishte shumë stresuese, por që nuk kishte pikë dëshire për të folur. Çfarë duhet të bëj, duhet ta injoroj?”

Arsyeja pse bën kështu
Për shumë meshkuj puna është një zonë e ndarë nga gjitha pjesa tjetër, një hapësirë ku përqendrohen shumë parashikime dhe energji. Ndoshta Beni kujton se ju nuk mund ta kuptoni apo që nuk ju intereson ose kërkon që t’i mbajë jashtë shtëpisë problemet e tij të punës duke mos kuptuar që kështu është shumë më keq.

Taktika e duhur
Shmangni formën e hetimit
Duke i bërë njëqind pyetje përpara se ai të vendosë t’ju përgjigjet është një sistem i ngutshëm dhe i ankthshëm, dhe rrezikoni të arrini efektin e kundërt. Por edhe të hiqeni si indiferente nuk bëni mirë. Nëse e injoroni, ai do të ndihet sikur ju nuk e kuptoni, si i lënë pas dore madje edhe i acaruar, sepse do të mendojë që shqetësimi i tij nuk ju intereson fare. Përpiquni të gjeni çastin e duhur që ai ta kuptojë që ju jeni pranë tij dhe e mbështesni: për shembull kur jeni duke gatuar ose kur ai është duke u ndërruar, afrohuni, përkëdheleni dhe pyeteni thjesht: “Si je? Të shoh pak të mërzitur”. Kush është ai që nuk do të jetë në qendër të vëmendjes të personit që dashuron? Dhe më pas prisni që ai të flasë vetë kur të ndihet gati për ta bërë.

Me Gertin është sikur zihesh me veten
Bora, 38 vjeç është e martuar me Gertin prej 10 vjetësh. Kanë dy fëmijë të vegjël, por ajo thotë që ka tre dhe i treti është pikërisht Gerti… “Kur nuk biem dakord mbi diçka, unë filloj të ngre tonin e zërit, nxehem shpejt, ndërsa Gerti vrenjtet dhe ndryshon shprehjen e fytyrës: duket si një fëmijë i heshtur. Kur diskutimi mbyllet, ai më rri turivarur me ditë të tëra. Bëhet i padurueshëm. A është e mundur që s’pranon as një zënkë normale midis dy personave të rritur që e mendojnë në mënyra të ndryshme?”

Arsyeja pse bën kështu
Shpjegimet për një sjellje të tillë mund të jenë të ndryshme, por në çdo rast zbulojnë një mashkull paksa fëmijëror, me mungesë të theksuar aftësi komunikimi. Ose energjinë tuaj e shikon si një sulm kundër vetes dhe nuk di si të mbrohet. Në këtë mënyrë, ju ndiheni e injoruar dhe kështu reagoni në mënyrë agresive. Por kjo sjellje mund të jetë edhe një gjest provokimi, një sfidë që rrezikon të theksojë tensionin.

Taktika e duhur
Tërhiquni dhe mendohuni
Analizoni se cilat janë rolet tuaja në jetën e përditshme dhe përpiquni të kuptoni nëse thellë-thellë nuk jeni ju ajo që parapëlqeni t’i keni të gjitha gjërat nën kontroll dhe e trajtoni bashkëshortin tuaj në të njëjtën mënyrë si trajtoni edhe fëmijët tuaj. A jeni e sigurt qe nuk silleni më shumë si një nënë me të? Mundohuni ta dëgjoni më tepër por edhe jo ta “llastoni”, duke e lënë që t’i shprehë kërkesat e tij pa i parandaluar. Kërkojini shpesh mendim, jo vetëm kur grindeni!

Iliri var turinjtë kur i them “jo”
Mira, 45 vjeç, shkon shumë mirë me bashkëshortin e saj me të cilin është e martuar prej mëse 15 vjetësh. Bëjnë të njëjtën punë, dëshirojnë të udhëtojnë në vendet më të humbura dhe merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin. Vetëm kur … “Në historinë tonë ka vetëm një të keqe: kur Iliri do që të kryejmë marrëdhënie dhe unë nuk dua, çdo gjë copëtohet. Komunikimi ynë ndërpritet edhe për ditë të tëra. Ai var turinjtë, nuk më flet. As që nuk do t’ia dijë për shpjegimet e mia, për lotët dhe për të falurat. Ndërpret çdo lloj kontakti. Nuk ka më as fjalë të bukura dhe as gjeste të ngrohta. Sikur të mos ekzistoja. Dhe atëherë nuk di se çfarë të bëj. Në fillim mundohem t’i shpjegoj që është një gjë që mund të ndodhë, që një burrë dhe një grua mund të kenë ritme të ndryshme të dëshirave, ose thjesht ndihem e lodhur dhe do të doja vetëm që të më ledhatonte. Por ai nuk kupton, atëherë unë ndihem në faj, më pas e pakuptuar, e xhindosur dhe në fund e fyer. A është e mundur që një burrë kaq i sjellshëm dhe i ndjeshëm papritmas të sillet në këtë mënyrë? Dhe nëse ky qëndrim zgjat shumë, përfundojmë duke u zënë. Natyrisht që grindja përfundon vetëm në një mënyrë: në shtrat. Të them të vërtetën, sjellja e tij, ndonjëherë, më duket disi kërcënuese”.

Arsyeja pse bën kështu
Reagimi i Ilirit është reagimi tipik i meshkujve kur gruaja e tyre i refuzon: jo-ja e saj i përgjigjet jo-së së tij. Nuk do që të kryejmë marrëdhënie? Atëherë nuk do të flasim! Kur ju e refuzoni, e fyeni në burrërinë e tij. Në këtë mënyrë, krijohet një mekanizëm nga e cila është vështirë të dalësh, vetëm nëse jeni ju ajo që do të tërhiqeni.

Taktika e duhur
Me një burrë të tillë, duhet gjetur çasti i duhur
Ndoshta pasi të keni bërë dashuri, shpjegojini një herë e mirë arsyet pse ju nuk keni dëshirë. Thuajani qartë dhe me sinqeritet. Më pas bëjeni të flasë për gjendjen e tij: edhe ai duhet t’ju thotë se çfarë ndien kur ju e refuzoni. Duke krahasuar ndjenjat tuaja, do të kuptoheni më mirë.

NËSE KOMUNIKIMI NDËRPRITET DO TË THOTË QË…

Heshtja shpesh mund të jetë më kuptimplote sesa fjalët. Gjithçka qëndron tek interpretimi. I vështirë? Ja një udhërrëfyes për të përkthyer në fjalë memecërinë e tij këmbëngulëse. Që mund të thotë…

Një konflikt i brendshëm i pazgjidhur. Qëndrimi hundë e buzë zbulon një pasiguri të madhe që është shkaktuar nga një situatë e vjetër e cila e ka bërë të vuajë dhe që nuk është zgjidhur asnjëherë. Për shembull, frika se mos i braktisni ose që nuk i dashuroni. Zakonisht, këta kanë patur një fëmijëri jo të lumtur, kanë patur prindër pak të pranishëm dhe jo shumë të dashur. Kur rriten nuk kënaqen nga asgjë, janë gjithmonë në kërkim të konfirmimeve dhe aprovimeve: zhgënjimi më i vogël mund të shkaktojë tek ata këtë mekanizëm mbrojtjeje.

Një formë agresiviteti kundër partnerit. Të fshihesh pas heshtjes do të thotë të vendosësh një barrierë të pakapërcyeshme midis tjetrit dhe vetes. Është një lloj vetëlargimi nëpërmjet të cilit partneri ndëshkohet ngaqë nuk u është përgjigjur parashikimeve të tij./Telegrafi/

Komento