Kur ekstravaganca në veshje është çrregullim manjakal

Çrregullimet e humorit quhen çrregullime afektive. Këtu futen neuroza depresive, depresioni psiqik, gjendjet manjakale. Për këto tri diagnoza flet në intervistën tonë neurologu i Poliklinikës Qendrore nr.3 në kryeqytet, Dr. Agron Islamaj.

-Doktor, ndër çrregullimet afektive apo të depresionit, cila është diagnoza më e përhapur dhe më e rrezikshme?
Zakonisht më të përhapura janë çrregullimet depresive apo neurozat depresive, ndërsa gjendja maniakale është më e rrallë. Çrregullimi depresiv mund të paraprihet nga humori i rënë, çrregullim, mërzi, pastaj me pagjumësi dhe me kalimin e kohës mund të kalohet në depresion të mirëfilltë.

Tiparet kryesore janë të menduarit pesimist apo qasja e çdo gjëje vetëm me ngjyra të errëta, mungesa e aftësisë për tu argëtuar, ulja ose mungesa e energjive për të kryer veprimtaritë e përditshme si dhe ngadalësia e çdo veprimi. Kurse në gjendjet manjakale kemi shenja të kundërta: Humor i shtuar, të folur të shumtë, ose mbivlerësim i vetes etj. Këto çrregullime shihen më shpesh në seksin femër në raportet 2:1, sepse femrat nga vetë natyra janë më të ndjeshme. Në vende të ndryshme jepen shifra të ndryshme. 20-30 femra në 100 mijë.

-Doktor, ju keni nënvizuar disa karakteristika, të cilat shumë njerëz kur ti lexojnë, mund të thonë: Po, edhe mua më ndodh kjo. Sepse njeriu nga natyra e vet është i ndërtuar me emocione të larmishme, që nga ndjenjat dhe emocionet negative e deri tek ato pozitive. Në cilat raste dallohen emocionet që përbëjnë sëmundshmëri nga emocionet e zakonshme?
E para, nëse këto emocione zgjasin për një kohë shumë të madhe. E dyta, nëse këto shoqërohen edhe me një varg simptomash të tjera, atëherë ne mund të themi, që kemi të bëjmë me një depresion. Në këto sëmundje nuk futen ndjenjat e momentit si hidhërimi ose gëzimi i përkohshëm. Por, kur këto zgjasin me ditë, javë apo muaj, atëherë mund të flasim për çrregullime afektive.

-Pra, nëse një emocion është i kushtëzuar nga një faktor i jashtëm, nga një ngacmues, a mund të quhet depresion?
Jo, nuk quhet depresion, nëse ky ngacmues nuk vepron gjatë dhe nuk shkakton një gjendje të zgjatur emocionale. Depresionet kanë kohëzgjatje dhe veç kësaj, kanë edhe shenjat karakteristike. Një faktor i rëndësishëm është edhe trashëgimia, por edhe përvojat e fëmijërisë. Ka shumë rëndësi historiku i sëmundjes dhe rrethanat ku është rritur ky person Gjithnjë e më tepër Mjekësia po i jep rëndësi ngjarjeve të fëmijërisë në zhvillimin e diagnozave të sëmundjeve mendore.

-Doktor, vërejmë se bën përjashtim në format e shfaqjes, gjendja maniakale, sepse ndryshe nga dy diagnozat e tjera, paraqitet me shtim të humorit dhe të folur të shumtë etj. A nuk mund të jenë këto karakteristika individuale të një personi që i pëlqen të flasë apo është optimist nga natyra?
Bëhet fjalë për sëmundje, kur këto nuk janë tiparet e zakonshme të një personi, por paraqesin një ndryshim të sjelljes së tij dhe kur ka një faktor që e shpërthen.

Atëherë mund të flasim për një gjendje maniakale. Përshembull, pacienti ka një të folur të shpeshtuar, ka një veshje ekstravagante, me ngjyra të ndezura, por jo të kujdesshme. Përshembull, mund të mos e ketë mbërthyer bluzën mirë, apo gjërat që ka veshur janë në stonaturë me njëra-tjertrën dhe me mjedisin ku personi shkon apo frekuenton.

Po kështu, personi flet me fraza që janë të tepruara, nuk janë logjike, nuk lidhen as me statusin e tij. Këto fjalë stonojnë në gojën e këtij personi. Gjithashtu, këta persona qeshin shumë ose flasin shumë dhe nuk kanë ndjenjën kritike për gjendjen, as ndjenjën e masës apo të ekuilibrit. Emocionet e tyre nuk janë konform situatës ku gjenden, pra nuk përjetojnë emocinet në përshtatje me situatat jetësore por të pavarura prej tyre.

-Më intrigon gjithnjë ideja e raportit mes paracaktimit gjenetik dhe faktorit mjedisor në përcaktimin e çdo zhvillimi, edhe kur kjo është një sëmundje. Faktori gjenetik është determinant (përcaktues) apo faktori i jashtëm në çrregullimet e humorit?
Faktori gjenetik është mjaft i rëndësishëm, por është faktori mjedisor ai që bën shpërthimin e simptomës.
Zor se shfaqet depresioni vetëm prej genit përgjegjës të trashëguar, pa u zhvilluar një situatë reale kur njeriu përballet dhe nuk arrin të përshtatet me realitetin.

-Këto lloje diagnozash si depresioni psiqik, neuroza depresive apo gjendja maniakale janë të përkohshme apo e shoqërojnë njeriun gjithë jetën, pavarësisht trajtimit të tyre?
Këto lloje diagnozash mund të jenë me kohëzgjatje nga disa muaj në disa vjet, por një mjekim sistematik i mban të mjekuara dhe më pas, mund të kapërcehen.

-A kuptohen gjithnjë këta persona, a dallohen që janë të sëmurë nga të njohurit dhe sidomos të panjohurit? Apo ka edhe raste kur shenjat janë të vështira për tu dalluar nga një sjellje e justifikuar?
Në përgjithësi këto karakteristika vihen re shumë qartë, sepse i sëmuri në një moment bën diçka jo të zakonshme. Përshembull, nëse një shitëse dyqani që ju takoni, është një e sëmurë depresive, ajo ka humor të keq, ta pret shkurt, të përgjigjet, por të përgjigjet me vështirësi.

-Por kjo sjellje e shitëses mund të vijë nga një problem familjar apo shëndetësor etj. dhe në këto raste, shpesh njerëzit reagojnë kështu siç ju e përshkruat…
Gjërat duhen parë në kompleks, sepse ka gjëra të momentit, por nëse kjo gjendje është e vazhdueshme, atëherë na bën që të dyshojmë për këto probleme.

-Përqindja e depresioneve 20-30 ndër 100 mijë raste, si konsiderohet për realitetin shqiptar?
Nuk është një shifër e lartë, por nuk duhet harruar se kemi një numër të madh rastesh të depresioneve të maskuara apo të fshehta. Këto, në një studim të hollësishëm me të cilin merren mjekët psikiatër, janë edhe rastet më të vështira për tu diagnostikuar, zbuluar dhe mjekuar. Të dhëna të caktuara të një karakteri të fortë bëjnë që këto shenja të mbahen të mbyllura.

-E pranojnë gjithnjë pacientët sëmundjen e tyre? Pra, e kuptojnë se sjellja e tyre përbën një sëmundje dhe ka nevojë për mjekim?
Në disa raste po, në raste të tjera, jo. Këto të fundit janë edhe më të vështira për tu trajtuar, pasi pacienti thotë se ndihet shumë mirë, nuk i dhemb asgjë dhe refuzon me forcë mjekimin. Kërkohet vullnet nga personat që jetojnë pranë tyre që të maskojnë mënyrat e mjekimit brenda në ushqim.

-Ka medikamente që kurojnë disa sëmundje dhe mund të provokojnë depresione, e nëse po, cilat grupe medikamentesh?
Po, ka të tilla, siç janë grupet që mjekojnë kancerin, (citostatikët siç i themi ne) apo disa preparate që përdorin studentët për të qenë sa më të kthjellët në provime (tonizuesit e sistemit nervor )

-Meqenëse keni folur edhe herë të tjera për efektin e ushqimeve në shëndetin mendor dhe zhvillimin e proceseve në tru, çfarë do të shtonit për rastin e depresioneve?
Mënyra e ushqyerjes ndikon njësoj si për neurozat dhe për depresionet. Një ushqim i pasur me kripëra minerale dhe vitamina i bën mirë sistemit nervor, ndërsa një ushqim i varfër, vetëm me yndyrna ka efekte të palëlqyera. Po ashtu, ndriçimi diellor ndikon se rrit stresin dhe në stinën verore ka një acarrim të sëmundjeve nervore dhe depresioneve.

Shkaqet

Edhe një grip apo infeksion çon në depresion
Shkaqet mund të jenë gjenetike. Kjo është parë në ato raste, kur kanë patur prindër, motra, vëllezër të sëmurë (10-15% më shumë sesa në subjekte që nuk i kanë patur këto të dhëna). Shfaqen po ashtu probleme të personalitetit në ata persona që kanë çrregullime apo luhatje të shpeshta të humorit.

Ndarja e prindërve në jetën e hershme të fëmijërisë ose marrëdhëniet e këqija familjare ndikojnë në lindjen e depresioneve tek fëmijët. Faktor favorizues janë ngjarjet stresante gjatë jetës dhe mbivlerësimi i tyre. Po ashtu, edhe gjendjet fizike sipas sëmundjeve të ndryshme si kalimi i gripit, ose prania e një paralize nga sëmundje të tilla si hemorragjitë ose zënia e enëve të gjakut të trurit, një infeksion i rëndë, apo kanceri a SIDA etj.

Faktor tjetër është të menduarit jonormal për shumë ndodhi të jetës. Disa ndryshime biokimike dhe hormonale kanë ndikim, gjë që shihet tek sëmundjet e tiroides, sëmundja e parkinsonit, apo tek sëmundja e gjendrave mbiveshkore etj. Meqenëse disa periudha të jetës shoqërohen me ndryshime të forta hormonale, mund të shfaqen depresionet. Si në adoleshencë, andropauzë (tek burrat) ose menopauzë (tek gratë). Moshë e prekshme është gjysma e parë e jetës, duke përfshirë fëmijërinë.

Mjekimi

Barna antidepresivë që rekomandohen sipas rastit janë anapranili, zolofti, imipramina, karbonati i litiumit, qetësues të Sistemit Nervor Qendror. Pjesë e mjekimit është edhe trajtimi psikologjik me anë të fjalës nga mjeku, psikologu, apo ngrohtësia familjare, ngrohtësia e shoqërisë etj. Shëtitjet në ajër të pastër, marrja me aktivitete fizkulturore në varësi të moshës dhe gjendjes shpirtërore etj janë një ilaç më vete.

Pamja

Disa karakteristika të çrregullimit depresiv
Pamje e pikëlluar, humori i ulur
Ankth
Ngacmueshmëri (acarim)
Mungesa e energjisë dhe e interesit për ambientin rrethues
Zgjimi herët, keqësimi i humorit në mëngjes
Pakësimi i oreksit, rënia në peshë,
Kapsllëku ose diarreja
Gjendja e amenoresë (ndërprerja e ciklit)
Pakësimi ose rënia e potencës seksuale
Të menduarit e botës me ngjyra të errëta dhe
këndvështrimi negativ për gjithçka
Ndjenja e fajësisë, ideja e dështimit vetjak
Mungesa e shpresës
Ide vetëvrasëse

Ide për dhimbje kudo e ngado (hypokondriak) etj./ballkan/

Komento