Martesa mes tradicionales dhe modernes

Edhe pse realisht tema e martesës, është një temë e gjerë dhe mjaftë komplekse, ajo në kuptimin logjik mund të konsiderohet si një bashkim seksual i dy individëve të rritur, i njohur dhe i miratur nga shoqëria.

Në martesë të martuarit marrin role të reja shoqërore, kur i lindin fëmijët dhe i rrisin, me lindjen e fëmijëve martesa shëndrrohet në një familje. Andaj, me fjalë të tjera, mund të themi se familja konsiderohet agjensi i parë i socializimit. Duke u kthyer mbrapa në kohë, shohim se martesa gjatë historisë ka pësuar ndryshime evolutive, që nga struktura e saj e deri tek forma e organizimit dhe realizimit të planifikimit familjar.

Në shoqërinë primitive, si formë të martesës kishim martesën grupore, ku një grup femrash hynin në martesë me një grup mashkujsh. Më vonë, si shkak i ndryshimeve sociale dhe rrethanave në terren vjen “Poligamia” që ekziston edhe sot në disa vende.

Poligamia është formë e martesës me më shumë partner, ku ekzistojnë dy variante : Poligjinia dhe Poliandria, me të parën nënkuptojmë kur një mashkull ka shumë gra (siç është rasti me Islamin që lejohet poligamia, por edhe tek disa lëvizje protestante si p.sh. Mormonët, të cilët lejojnë një gjë të tillë), dhe e dyta ndodh kur një femër ka shumë burra (kjo ekziston ende tek disa fise afrikane). Mirëpo, karakteristikë e martesës bashkohore është martesa “Monogame”.

Nga ajo që u thurë deri më tani mund të konkludojm se martesa është bashkësi seksuale e pranuar dhe miratuar shoqërore e dy apo më shumë individëve. Në shumicën e kulturave martesa nënkupton bashkësinë e individëve të gjinive të kundërta, mirëpo në disa kultura është e lejuar edhe martesa e individëve të së njejtes gjini.

Andaj, sipas mënyres së rregullimit dhe ruajtjes së marrëdhënieve në mes të martuarve, martesa mund të jetë :
a) Martesë zakonore – tipike për shoqëritë tradicionale,
b) Martesë kishtare – që lidhet para organeve kishtare dhe sanksionohet me norma kishtare,
c) Martesë qytetare – që ekziston në shoqëritë e civilizuar, lidhet para organeve shtetërore dhe sanksionohet me norma juridike,
d) Martesë faktike – kjo lloj martese ndryshe quhet edhe konkubinat, dhe ka të bëjë me bashkësinë jashtëmartesore, që sot mund të njihet edhe si bashkëjetesë.

Edhe pse këto forma të martesës janë vetëm disa nga ato të përgjithshmet, ekzistojnë edhe forma tjera, të cilat padyshim se nuk do të mjaftonin që t’i thurim me pak fjalë. Mirëpo, ajo çka është me rëndësi, është fakti që martesa sot është një bashkësi e cila sanksionohet edhe me norma juridike, por në rast se prindërit janë të pandërgjegjshëm, atëherë shoqëria (institucionet përkatëse) mund t’ia tërheqin vërejtjen prindërve, madje edhe t’ua marrin fëmijët nën përkujdesje.

Refleksion sociologjik mbi martesën në kontekstin kosovar !
Me ndryshimin e mënyrës së jetesës, natyrisht ndryshojnë edhe proceset e caktuara jetësore. Martesat në shoqërinë kosovare më herët janë bërë në mënyrën më primitive ekzistuese, duke u nisur nga “Kanuni” që ka pasur disa norma të rrepta lidhur me martesën. Kur dikush ka pasur një mik ka dashur që të ju “trashet” miqësia, dhe kjo miqësi të ketë një jetëgjatësi më të madhe, andaj edhe i kanë fejuar fëmijët ende pa lindur, natyrisht nese kanë lindur të gjinisë së ndryshme.

Edhe pse kanë lindur të fejuar, ata asnjëherë nuk janë takuar deri në moshen 13-14 vjeçare kur edhe janë martuar me rregullat e asaj kohe. Përveç, rasteve kur janë fejuar ende pa lindur, shoqëria jonë ka përjetuar edhe rastet kur fëmijët janë fejuar në djep, që në disa zona ekzistojnë edhe sot. Ndryshimi i mënyrës së martesës ka qenë gradual, kështu që në kohët më të hershme çiftet janë njohur vetëm në natën e martesës.

Me kalimin e kohës, me evoluimin e shoqërisë, janë bërë “lehtësime”  në këtë drejtim, andaj para fejesës çiftet kanë mundur të shihen nga largësia vetëm apo të “pelqehen” në mes vete, natyrisht sa i përket pamjes së jashtme, dhe pa pasur mundësi të shkëmbejnë as një fjalë në mes vete. Sot, jemi dëshmitarë të asaj që martesat në shoqërinë tonë, kanë arritur deri në atë masë, sa që shumica e të rinjëve sot bashkëjetojnë, me faktin që ata ndërmjet veti i lidhin shumë gjëra.

Madje, kjo nga psikologët-social, arsyetohet si një element pragamtik, ku çifti e gjenë çelësin e kompromisit. Duke folur në këtë kontekst, psikologët-social japin shembuj se çifti në fjalë mund të martohen në momentin kur: jetojnë një një lagje, në një qytet, apo fshat, pastaj nëse punojnë në një institucion etj, për arsye se jo vetëm që kanë një interaksion të përbashkët social, por edhe ndërveprojnë, por edhe kanë një integrim shoqëror më të theksuar.

Martesa, me fjalë të tjera mund të thuhet se është institucion shumë  i rëndësishëm shoqëror, i cili për t’u mbajtur “në këmbë”, duhet që vazhdimisht të  kontribojnë të dy partnerët. Në martesën e sotme, natyrisht se ka përjashtime fare pak “derdhën djers” për t’i ikur keqkuptimeve e për t’i rregulluar raportet.

Martesat sot, janë të paqëndrushme, shpeshherë kemi raste, kur në vend që çiftet të mundohen të gjejnë zgjidhje e cila i kontribon për të mirë gjithë familjes, ata menjëherë mendojnë, apo bëjnë hapin e parë drejt divorcit. Edhe pse studimet empirike në Kosovë janë të pakta, por ato që ekzistojnë, kanë identifikuar se ndër  shkaqet e shumta të cilat çiftet kosovare i çojnë drejt divorcit, janë edhe martesat e shpejta e të pamenduara mirë.

Shoqëria jonë në përgjithësi, e veçmas të rinjët të ndikuar nga shumë faktorë dhe probleme me të cilat ballafaqohen në këtë periudhë tranzicioni, martesat i konsiderojnë si diçka të thjeshtë dhe marrin vendime pa i shikuar gjërat mirë. Për të mos i kontribuar divorceve, duhet këshilluar të rinjët se para vendimit për martesë të mendonjë mirë, pra në bazë të racios (arsyes).

Mirëpo, kjo nuk do të thotë që në këtë mënyrë do të zhduket divorci, por të pakten të rinjët të jenë në dijeni për martesën si institucion. Në postmodernitet, apo thënë më mirë në gjuhën Giddensiane në modernitetin e lartë, nuk mund të themi se ka trysni për martesë sikurse më parë. Mirëpo, vërehet se ende në disa zona, e veçmas në disa zona hermetike ekziston edhe një lloj imponimi fizik, por edhe psikologjik drejt imponimit të martesës.

Ato familje, në mënyra të ndryshme gjejnë burrë ose nuse për fëmiun e tyre, dhe atyre u japin të drejt vetëm t’i shohin (njëri-tjetrin) para martesës e jo të njihen me mirë. Megjithëatë, duhet theksuar se shoqëria kosovare ka evoleuar dhe ka arritur një shkallë vetëdijësimi drejt këtij problemi. Por, në disa raste edhe procesi i bashkëjetesës, po del i brishtë, gjë që po hasim në shumë probleme, dhe dëme të cilat çiftet në fjalë, por edhe shoqëria e gjerë po i pëson.

Mënyra më e mirë, kishte me qenë që të gjindej një mes, sepse mesi është ai i duhuri, andaj edhe Aristoteli dikur thoshte se “mesi është i artë”, në këtë kontekst mund të themi se një kombinim në mes të asaj tradicionales dhe modernes do t’i shkonte shumë për shtati shoqërisë kosovare!

Martesa nga këndvështrimi religjioz
Duke u nisur nga retrospektiva e këndvështrimit religjioz, shohim se pothuajse të gjitha religjionet e përgjithshme kanë qendrime të forta lidhur me aspektin martesor. Shumica e religjioneve japin një seriozitet martesës, me faktin që atë e konsiderojnë të shenjtë, një besëlidhje të cilën Perëndia e ka bekuar. Prandaj, ne jemi munduar që në pika të shkurtëra të paraqesim edhe pikëpamjet e disa religjioneve lidhur me martesën.

1. Krishterimi – Tek Krishterët martesa është diçka e shenjtë, madje Krishterët besojnë fuqishëm se martesa është një dhuratë nga Perëndia, dhe në mënyra të ndryshme e konsiderojnë ate si një simbol, një kontratë, një institucion i shenjtë, apo një beslidhje. Megjithëatë, është interesant fakti që tek Krishterët hasim se ata në të shumtën e rasteve martesat i lidhin me natyrën religjioze duke filluar nga ndjekja e vendimeve gjyqësore gjithnjë sipas këndvështrimeve biblike, pra në atë kuptim që ata duhet bindur ligjeve të martesës të bashkëshortëve për t’u pagëzuar me një “Sakrament” .

a). Katolikët – Martesa e shenjtë jep një lidhje të vazhdueshme dhe ekskluzive në mes bashkëshortëve në fjalë. Nga natyra e tij, institucioni i martesës është dashuri martesore e cila është urdhëruar me lindjen dhe rritjen e të vegjlive. Pra, Martesa krijon të drejta dhe detyrime në Kishën në mes të bashkëshortëve dhe fëmijëve të tyre. Megjithëatë, disa nga kushtet për një martesë e cila duhet të jetë sakrament janë :
·         Dashuria reciproke dhe pergjegjësia e ndërsjelltë,
·         Martesa është një njesi monogamike,
·         Martesa e pazgjithshme apo pandashmëria,
·         Liria dhe aftësia për jetën bashkëshortore,
·         Pranimi i fëmijëve,
·         Besnikëria martesore.

b). Protestantët – Ata martesën e shohin si një akt moral për të lavdëruar Perëndin, duke i treguar botës dashurinë e tij. Zakonisht në protestanizëm ekziston martesa monogame, megjithëatë në disa raste, disa nga protestantët e lejojnë edhe poligamin siç është rasti me Mormonët etj. Kur jemi tek martesa  në Protestanizëm, historikisht ekzistojnë 5 modele të martesës që kanë formuar martesën e krishterizmin perëndimor:
·         Reformatorët prostestant të cilët e kishin zavendësuar modelin e shenjtë katoliko- romak.
·         Martin Luteri e shihte atë (martesën) si një pasuri shoqërore në “Mbretërinë tokësore” , që për të subjekti këtu ishte princi e jo Papa
·         John Calvini mësoi se martesa është një besëlidhje e hirit, që kërkonte fuqi detyruese të shtetit për ta ruajtur integritetin e saj.
·         Anglikanët martesën e konsideroheshin si një republikë të brendshëm përbrenda Anglisë në njëren anë dhe Institucionit kishtar në anën tjetër. Nga shekulli XVII-të, teologët Anglikan kanë filluar që të zhvillojnë një teologji të martesës, për të zavendësuar modelin e shenjtë të martesës.
·         Sekularizmi i Iluminizmit e shikoi martesën si një “kontratë” (kujto Russo’n) që do të formohet, mirëmbahet nga çifti në fjalë që e sheh të arsyeshme.

2. Islami – Martesa në Islam konsiderohet një marrëdhënie e bekuar në mes të burrit dhe gruas, ku çifti në fjalë do të kenë dashuri, mirëkuptim, tolerancë. Familja muslimane është komponenta më e fortë e shoqërisë islame. Sipas doktrinës Islame, martesa mund të ndodh kur individët ndihen të aftë ekonomikisht dhe emocionalisht. Me fjalë të tjera, mund të themi se familja në Islam, konsiderohet diçka e shenjtë, si mënyra e ruajtjes së moralit, por edhe të traditës së profetit Muhamed. Martesa në Islam bëhet me pëlqimin e vetë çiftit, dhe me pranin e dëshmitarëve. Përgjegjësitë në një martese muslimane janë ato që dhëndëri të sigurojë shpenzimet e jetesës (strehim, veshje, ushqim, mirëmbajtje) për nusen, dhe përgjegjësia kryesore e nuses është rritja e fëmijëve dhe edukimi i fëmijëve. Të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e tjera do të vendoset mes burrit dhe gruas, madje ato mund të jenë të përfshira edhe si dispozita në kontratën martesës para se të bëhet vetë martesa. Në Islam, poligamia është e lejuar për burrat, me kufizime specifike që ata mund të kenë deri në katër gra në çdo kohë një, duke patur parasysh këtu edhe kërkesat fetare që ata janë në gjendje të gatshme për ndarjen e pasurisë në mënyrë të barabartë ndërmjet grave përkatëse.

3. Hebreizmi – Martesën e sheh si një lidhje kontraktuale të drejtpërdrejt nga Perëndia, me të cilin rast një burrë dhe një grua vijnë së bashku për të krijuar një marrëdhënie në të cilën Perëndia është i përfshirë direkt. Për shembull tek Kabalistët, martesa kuptohet nga ajo, se një burrë dhe grua janë të shkrirë së bashku në një shpirtë të vetëm, madje sipas tyre kjo është arsyeja fundamentale pse një njeri konsiderohet “i paplotë” nëse ai nuk është i martuar, sepse shpirti i tij konsiderohet si një pjesë e madhe e cila pret për t’u bashkuar.

4. Hinduizmi – Martesën e sheh si një detyrë e shenjtë që përfshinë dy obligime atë fetar dhe obligimin social. Doktrina Hinduse në sakranishte identifikon lloje të ndryshme të martesave në kategorizimin e atyre që variojnë nga “Gandharve Vivaha” (martesa e menjëhershme nga vetë pëlqimi i çiftit, se bashku me një person si deshmitarë). Është interesant fakti të pohohet se në rast të vdekjes së bashkëshortit, të vejat hindu nuk mund të martohen më.

5. Behaizmi – Në besimin Behai martesa është e inkurajuar dhe shihet si një lidhje reciproke në forcimin e lidhjeve të familjes, por nuk është e detyrueshme. Mirëpo, në rast se ndodh martesa, sipas Behaizmit duhet kërkuar nga çifti për të zgjedhur njëri – tjetrin e më pastaj pëlqimin nga vetë prindërit (nëse prindërit janë të gjallë).

6. Sikhizmi – Martesa në këtë religjion ka të bëjë me dy raundet rreth librit të quajtur Guru Granth Sahib në të ashtuquajturën formën kirtan. Ceremonia është e njohur si “Anand Karaj” dhe përfaqëson bashkimin e shenjtë  midis dy shpirtërave që janë të bashkuar si një./gazeta start/

Komento