Masazhi kinez

Askush nuk e duron dhimbjen dhe lodhjen e në këto kushte mundohet të gjejë një zgjidhje. Dikush pi ndonjë hape, dikush tjetër zë shtratin, por ka edhe nga ata që bëjnë masazhe kineze. Këtë të fundit jo të gjithë munden ta shijojnë edhe pse ky lloj masazhi nuk është vetëm relaksues, por edhe kurues.

Në vendin tonë ky trajtim ka filluar të njihet dhe praktikohet vetëm pas vitit 2005, por duket se target grupi që e praktikon janë ata që kanë një gjendje të mirë ekonomike.

Madje ata që janë më shumë të dhënë nga masazhi kinez duket që janë politikanët dhe artistët, sepse ata janë klientët më të rregullt të këtij trajtimi. Koordinatori i Mjekësisë Tradicionale Kineze në klinikën Pro-Life, Petrit Karaj shpjegon në lidhje me praktikantët e masazhit kinez dhe vlerat që ka ky trajtim.

“Masazhin kinez e preferojnë femrat dhe meshkujt sidomos ata që kanë probleme, duke ditur se përveç relaksimit ka edhe kurimin e personit. Sigurisht që njerëzit që vijnë këtu kanë informacion për masazhin dhe terapinë kineze. Kemi edhe shumë emra nga politika dhe arti që bëjnë masazh kinez si deputetja Valentina Leskaj, Mimi Kodheli, pak kohë më parë shpesh vinte edhe Edi Rama, deputeti Kastriot Islami është një klient shumë i rregullt, Marjeta Zaçe, artisti Zhani Ciko, poetja Mimoza Ahmeti etj”, pohon Petrit Karaj.

Më tej ai shpjegon se ata që praktikojnë këtë trajtim kanë gjendje të mirë ekonomike dhe se një pensionist nuk do të mundej shkonte aty. Masazhi kinez sipas koordinatorit bëhet 30 minuta dhe kushton 2 mijë lek të reja ose 1 orë dhe kushton 4 mijë lekë të reja. Në përgjithësi zgjedhin 30 minuta, por ka edhe nga ata që duan 1 orë të plotë nga masazhi kinez dhe praktikohet dy ose tre herë në javë masazhi kinez.

Kështu duket se masazhi kinez është një luks i atyre që kanë një gjendje të mirë ekonomike. Krahasuar me vendet e tjera Karaj shpjegon se në vendin tonë ky trajtim është shumë i lirë. “Ne vëmë re se të huajt vijnë shumë sepse ia dinë rëndësinë. Vijnë sidomos nga Ambasada Amerikane, Ambasada Angleze apo edhe Ambasada Kineze sepse këta të fundit e kanë edhe shtëpinë e tyre”,- pohon Petrit Karaj.

Doktorët kinezë, Li Ming Zhu dhe Xiu Fang Yang që e praktikojnë masazhin në vendin tonë. “Në Shqipëri fillimi ishte shumë i vështirë, sepse nuk njihej kultura e masazhit kinez, por nga viti në vit po praktikohet më shumë. Ka pasur edhe ndonjë, i cili pasi ka ardhur vetë ka sjellë gjithë familjen për të bërë masazh kinez”, pohon Li Ming Zhu. Ndërkohë ai pohon se ekziston një marrëveshje mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kinës për zhvillimin e mjekësisë tradicionale kineze që në vitin 2009 dhe shpresojnë që kjo marrëveshje një ditë të gjejë zhvillim që të hapet një shkollë kineze dhe të bëhen specializime për të gjitha specialitetet kineze.

Masazhi kinez, tradita 5000-vjeçare

Mendohet që masazhi kinez të ketë filluar rreth 5000 vjet më parë. Gjatë kësaj periudhe të gjatë kohe kjo metodë është perfeksionuar më tej. Baza teorike e mjekësisë kineze e vlerëson masazhin kinez si një mundësi për të harmonizuar të kundërtat Yang Ying (dielli-hëna, dita-nata, lart-poshtë, mashkull-femër, qielli-toka) me rregullat e organeve, meridianeve, përmirësimin e qarkullimit të energjisë, të gjakut dhe rritjes lëvizëse të kyçeve. Sot me masazhi kinez nënkuptojmë një lloj fiziokinezoterapie që kryhet me anën e duarve duke ushtruar shtypje në pika të veçanta të arrijmë një sukses mjekimi të efekshëm.

Masazhatori, çfarë mund të bëjë me duart e tij

Ekzistojnë shumë mënyra të aplikimit të masazhit kinez. Dora e masazhatorit është stërvitur sipas parimeve Gung-Fu. Kjo do të thotë se jo çdo njeri mund të bëhet masazhator. Dora e stërvitur duhet të japë rehati, djegie (ngrohtësi) dhe shtrëngim. Masazhatori njeh mirë se si duhet bërë çbllokimi i sistemeve të mbyllura nga sëmundjet.

Këtë e krahasojmë me semaforin e vendosur në rrugë që orienton qarkullimin p.sh. një pacient nuk e shtrin dot këmbën për shkak të një dëmtimi muskulor, një plagë të brendshme të gjakosur. Me dorën e stërvitur masazhatori bën që ky gjak të lëvizë, të përhapet dhe të thithet me shpejt në organizëm. Vetëm kështu nervat, muskujt, enët e gjakut punojnë normalisht. Është i njohur fakti se sa herë që vritemi na vjen mirë të fërkohemi. Nëse këto fërkime dhe shtypje bëhen në pikat e përcaktuara efketi i këtyre procedurave bëhte kurues dhe shërues. Kështu shpërndahet me duar dhembja dhe lodhja e grumbulluar në zona të caktuara.

Masazhi kinez sjell në ekuilibër organet e njeriut, duke përmirësuar aktivitetin e tyre. Me masazh kinez kurohet kapsllëku, gripi, lemza, problemet e stomakut, si edhe sëmundje më të avancuara që sjellin paraliza, çrregullimet e vazhdueshme të zakoneve tek gratë ose mastitet nga shtimi dhe mosdalja e qumështit. Bazat teorike të mjekimit tradicional janë pikat që shtrihen në të gjithë trupin dhe që i përgjigjen organeve të ndryshme p.sh. pikat e stomakut T6-T12, të cilat shtypen në një kohë prej 2 minutash. Në këtë rast dhimbja e stomakut zhduket pa ndihmën e ilaçeve.

Komento