Maska e vezëve për flokët tuaja

Nga një ushqim i etiketuar për të keq, vezët janë shndërruar në një ushqim të preferuar, si për konsumim nga brenda, po ashtu edhe nga jashtë,transmeton gazeta Kosova Sot.

Vezët janë një ushqim proteinik që e furnizojnë organizmin me yndyra të shëndetshme. Do të flasim në përgjithësi rreth përfitimeve që vijnë nga konsumimi i vezëve. Rekomandohet konsumimi i tyre një herë në ditë.

Vezët e furnizojnë organizmin tonë me vitaminat, si: B5, B12, A, D dhe E. Ato përmbajnë edhe selen, hekur, jod, thartirë folike dhe kolinë.

Dëmtimi i flokëve

Ekspozimi konstant ndaj rrezeve ultraviolete dëmton lëkurën, por edhe flokët. Për më tepër, ndotja e ambientit, produktet kimike në ngjyra si dhe përdorimi i vazhdueshëm i tharëses së flokëve dhe hekurit të flokëve, dëmtojnë flokët tona në një masë të dukshme. Për këtë shkak ka rëndësi që të gjejmë mënyra për rikthimin e shëndetit të flokëve dhe për ta rikthyer shkëlqimin dhe forcën e tyre natyrore.

Si ndihmojnë vezët në shëndetin e flokëve?

Falë proteinave dhe yndyrave të shëndetshme që janë të pranishme në vezë, ato ndihmojnë në ushqimin e skalpit dhe folikuleve të flokëve, duke rezultuar kështu me flokë më të shëndetshme dhe më voluminoze. Nuk keni nevojë që të shqetësoheni se flokëve tuaja do t’iu vijë era vezë.

Vezët aplikohen si maskë. Tundni vezët dhe aplikoni në tërë gjatësinë e flokëve. Duhet që ta mbani maskën për, të paktën, 15 deri 20 minuta, derisa të veprojë. Më pas shpëlajeni atë me ujë të ftohtë, apo të vakët. Lani flokët sikur që i lani rëndom.

Nëse keni flokë normale, atëherë duhet ta përdorni tërë vezën. Nëse keni flokë të thata, atëherë përdoreni vetëm të kuqtë e vezës, e nëse flokët tuaja janë të yndyrshme, atëherë duhet ta përdorni vetëm të bardhët e vezës. Në rastin e fundit, maskën e përdorni çdo dy javë, derisa në dy rastet e tjera, një herë në muaj.

Mos e përdorni maskën më shpesh sesa që duhet, meqë do të keni efekte negative.

1. Maska për flokë të thata

Përbërësit

• 1 vezë

• 1 lugë çaji vaj ulliri

• 2 lugë gjelle majonezë

Përgatitja

E rrihni vezën derisa të unifikohet mirë. Më pas e shtoni vajin e ullirit dhe majonezën dhe i përzieni mirë të gjithë përbërësit.

Aplikimi

Aplikojeni përzierjen në flokët tuaja dhe lëreni që të veprojë për rreth 20 deri 30 minuta. Largojeni maskën me ujë, e më pas lani flokët si rëndom.

2. Maska “anti-friz”

Përbërësit

• 2 dredhëza të mëdha

• 1 jogurt

• 1 lugë gjelle mjaltë

• 1 të bardhë të vezës

Përgatitja

Ndrydhni dredhëzat në një enë, shtoni përbërësit e tjerë derisa ta fitoni një qull uniform.

Aplikimi

Aplikojeni këtë maskë në flokët tuaja dhe lëreni që të veprojë për, të paktën, gjysmë ore. Shpëlani flokët me ujë të vakët. Më pas mund t’i lani ato si zakonisht.

3. Maska për flokë të dobëta dhe të brishta

Përbërësit

• 1 vezë

• 1 lugë gjelle vaj ulliri

• 2 lugë mjaltë

Përgatitja

Tundeni vezën, shtoni më pas përbërësit e tjerë, derisa të gjithë ata të jenë përzier mirë.

Aplikimi

Aplikojeni në kokë duke bërë masazh. Lëreni që të veprojë për 30 minuta, e më pas lani flokët me ndonjë shampo të butë.

Komento