Me bimë mjekësore kineze kundër kapsllekut

Autorët e studimit nuk kanë vërejtur ndonjë veprim të padëshiruar në mëlçi, apo veshka

Njerëzit që vuajnë nga kapsllëku serioz mund të kenë një lehtësim nëse përdorin bimë mjekësore kineze, që konsistojnë në fara të kërpit dhe në bimë të tjera, thotë një studim i ri.

Pjesëmarrësit në studim, të cilët morën pilula nga farat e kërpit (HSP), 7.5 gramë dy herë në ditë, ku përfshiheshin edhe lloje të tjera të bimëve, kanë raportuar për një përmirësim të simptomave të kapsit dhe kishin rezultate më të mira sesa njerëzit që nuk kishin marrë këto pilula. “Ne besojmë se pilulat HSP bëjnë punë, ato lehtësojnë simptomat e kapsit”, ka deklaruar autori i studimit, Dr. Zhao-Xiang Bian nga Universiteti baptist i Hong Kongut.

HSP është formulë klasike në mjekësinë tradicionale kineze dhe është përdorë për ta mjekuar kapsllëkun tash e 1.000 vjet. Në teori, bimët ndikojnë vetëm nëse kombinohen si duhet, duke vepruar si purgativ dhe laksativ, si dhe duke përmirësuar problemet e tjera që lidhen me kaps, sikur që është goja e terur dhe problemet me gjumë, thotë Bian.

Por, përpos që kishin përmirësime të gjendjes së tyre shëndetësore, personat që kishin marrë pilula HSP po ashtu kishin edhe efekte të padëshirueshme, sikur që është dhembja e barkut, ngërçet apo fryrja.

Autorët e studimit nuk kanë vërejtur ndonjë veprim të padëshiruar në mëlçi, apo veshka. Ky ilaç, përpos që është efikas, ai është edhe relativisht i lirë. Çdo dozë e tij kushton rreth 1 dollar.

Dr. John Johanson nga Kolegji i mjekësisë së Universitetit të Ilinoit, i cili nuk ka marrë pjesë në studim, ka thënë se ky studim është bërë si duhet dhe se rezultatet e tij janë shpresëdhënëse./aktualitet/

Komento