Më thuaj se si quhesh, që të të tregoj se a do të jesh i suksesshëm në punë

Njerëzit me emra që përputhen me një nivel më të ultë të arsimimit dhe statusit socioekonomik, mendohet se do ta kenë më vështirë që të përparojnë në jetë.

Emrat e njerëzve lidhen me shumë vendime jetësore, duke përfshirë edhe punën që bëjmë, por edhe mënyrën sesi dhurojmë para për qëllime bamirësie.

Por, ekspertët thonë se emri ynë ndikon edhe në atë çka të tjerët mendojnë për ne, çka presin nga ne, gjë që është dëshmuar edhe nga studimi i John Waggonerit nga Universiteti ‘Bloomberg’ në Pensilvani.

Studimet paraprake kanë treguar se emrat që prindërit ua lënë fëmijëve të tyre, varen nga statusi socioekonomik dhe nga niveli i arsimimit.

Waggoner dhe kolegët e tij kanë studiuar lidhshmërinë midis emrave të njerëzve dhe asaj që të tjerët presin nga ta, shkruan “Livescience”.

Kërkuesit shkencorë kanë kërkuar nga studentët, profesorët e ardhshëm, që në bazë të emrave, të vlerësojnë të tjerët se a do të jenë të suksesshëm, apo jo.

Njerëzit që kishin emra që tregonin për një nivel më të ultë të arsimimit dhe statusit socioekonomik, ishin vlerësuar si ata që do të përparojnë më me vështirësi në jetë.

– Sa më shumë gjëra të suksesshme që lidhen me emrin tuaj, pritjet e të tjerëve nga ju janë më të mëdha dhe ju duhet të jeni të gatshëm që të bëni ato gjëra – thotë Waggoner.

Emri më së paku i pëlqyer për djemtë në SHBA është Travis, e për vajzat Amber.

Ndërsa, emrat më të pëlqyer është parë se janë Samuel dhe Katarina.

Te ne nuk është bërë një studim i tillë, por po të bëhej, me të vërtetë do të ishte interesant që të shikoheshin rezultatet e tij.