Mjekët nuk u përmbahen këshillave të veta

Është parë se edhe mjekët punojnë sipas ‘filozofisë’ së hoxhës: “Bëj si them unë, e jo çka bëj unë”!Shumë mjekë u preferojnë terapi të ndryshme pacientëve të tyre, të cilat vetë nuk do t’i bënin, ka treguar një studim i ri amerikan.

Ekspertët kanë kërkuar nga rreth 1.000 mjekë amerikanë që të shqyrtonin raste të caktuara mjekësore dhe ta caktonin terapinë, por kur nga ta është kërkuar që ta paramendonin veten si pacientë, përgjigjet e tyre ishin krejtësisht të ndryshme.

Për shembull, mjekët është parë se ishin të prirë që, për vete, të përcaktonin një terapi më të rrezikshme sesa që caktonin për pacientët, por ajo terapi të cilën mjekët e caktonin për vete, kishte më pak efekte të padëshirueshme.

Është  parë se, për pacientët, mjekët më shumë caktojnë terapi me gjasa më të mëdha për mbijetesë, pa marrë parasysh kualitetin e jetës, thuhet në revistën shkencore “Archives of Internal Medicine”.

Për shembull, të ballafaquar me nevojën për të vendosur midis dy vendimeve për operacion të kancerit të zorrës së trashë, 40% nga 242 mjekë ishte përcaktuar për intervenimin kirurgjik me një rrezik më të madh nga vdekja, por me më pak efekte anësore.

“Mendoj se asnjë pacient nuk do ta priste një gjë të këtillë. Sikur ta dinin, ata do të bënin pyetje të shumta”, thotë Peter Ubel nga Universiteti “Duke”, i cili ka udhëhequr këtë studim.

“Por, kjo nuk ka të bëjë me moralin. Bëhet fjalë për natyrën njerëzore. Mjekët as që e dinë se sillen kështu”, përfundon Ubel.

Komento