Mos i fajësoni fëmijët nëse nuk u pëlqen shkolla

Mos i fajësoni fëmijët nëse nuk u pëlqen shkollaDisa fëmijë e marrin natyrshëm procesin e arsimimit formal. Të tjerët, jo aq shumë.Sjelljet e këqija dhe mësuesit e dobët shpesh e kanë fajin, por sipas një studimi të ri realiteti është se motivimi skolastik është më shumë një çështje e gjenetikës.

Hulumtuesit në Universitetin Shtetëror të Ohios thonë se gjenet janë së paku 40 deri 50 për qind përgjegjëse për motivimin e fëmijës për të mësuar.

Nëse një nxënës i shkollës së mesme ngec prapa, kjo thjesht mund të jetë nga trashëgimia gjenetike e prindërve të nxënësit.

Shkencëtarët arritën në përfundimin e tyre pas studimit të dallimeve motivuese midis 13.000 binjakëve nga gjashtë vende të ndryshme. Një analizë komplekse e të dhënave nga anketat e mëdha e cila u kërkoi fëmijëve që ta vlerësojnë interesin dhe besimin e tyre për lëndë të ndryshme mësimi dhe lëndë që kanë lidhje me shkollën, ua mundësoi hulumtuesve ta krahasojnë ngjashmërinë e përgjigjeve midis binjakeve identikë, të cilët i ndajnë të gjitha gjenet e tyre, dhe binjakët të cilët e ndajnë vetëm rreth gjysmën. Përgjigjet e dhëna nga binjakët identikë u përputhën më ngushtë, duke sugjeruar se gjenetika ndikon në motivimin.

Si gjenetika ashtu edhe mjedisi jo i përbashkët i binjakëve – ekspozimi ndaj stileve të ndryshme prindërore ose mësimdhënëse, për shembull – ishin dy faktorët më përcaktues.

“Reagimi i menjëhershëm dhe i pamenduar është të thuhet se dikush nuk po i motivon si duhet nxënësit, ose që vetë fëmija është përgjegjës”, tha në një deklaratë për shtyp studiuesi kryesor Stephen Petrill, psikolog në Universitetin shtetëror të Ohios.

“Ne kemi zbuluar se ka dallim të personalitetit të cilin njerëzit e trashëgojnë dhe i cili e ka një ndikim të madh në motivimin”, shpjegoi Petrill. “Kjo nuk do të thotë se ne nuk përpiqemi t’i inkurajojmë dhe frymëzojmë studentët, por duhet të merremi me realitetin se pse ata janë të ndryshëm.”

Sipas hulumtimit, faktorët e përbashkët mjedisorë, si marrëdhëniet prindërore, llogariten të jenë vetëm 3 për qind të variablave të personalitetit, transmeton Koha.net.”Shumica e variablave të personalitetit e kanë një komponentë gjenetike, por të mos kesh komponentë të papërbashkët mjedisore është e papritur”, tha Petrill. “Por kjo ishte konsistente në të gjitha gjashtë vendet”.

Hulumtimi është publikuar në “Peronality and Individual Differences”. /telegrafi/

Komento