Mungesa e gjumit tek fëmijet

Mungesa e gjumit tek fëmijetFëmijët të cilët flenë shumë pak, kanë rrezik të trashjes, zbulon një studim i ri i shkencëtarëve amerikanë, i botuar në revistën “Pediatrics”.

Disa studime të mëparshme kanë treguar se mungesa e gjumit rrit rrezikun e trashjes tek të rriturit dhe dukshëm zvogëlon aftësitë njohëse tek fëmijët. Ky studim, i cili u drejtua nga dr. Elsie Taveras, zbulon se sasia e mjaftueshme e gjumit u duhet më shumë fëmijëve se të rriturve për shkak se trupat e tyre janë në zhvillim.

“Disa studime kanë treguar se sasia e mjaftueshme e gjumit tek fëmijët është e rëndësishme vetëm qysh në një moshë të caktuar, ndërsa me këtë studim kemi vërtetuar se fëmijët, pavarësisht nga mosha, duhet të flenë mjaftueshëm”, tha dr. Taveras.

Studiuesit, studimi i të cilëve zgjati gjashtë vite, e kanë studiuar shëndetin dhe peshën e fëmijëve të moshës 1, 2, 4, 5 dhe 6 vjeç. Çdo vit ata matën të gjithë parametrat e nevojshëm për diagnozën e trashësisë, duke përfshirë indeksin e masës trupore, perimetrin e belit, përqindjen totale të indeve dhjamore, përqindjen e indeve dhjamore viscerale dhe përqindjen e masës muskulore.

Nënat e plotësuan pyetësorin i cili përmbante pyetje në lidhje me dietën, aktivitetin fizik dhe sasinë e gjumit të fëmijëve. Hulumtuesit morën parasysh sasinë e gjumit gjatë pasdites dhe gjatë natës.

Kur i analizuan të gjitha të dhënat, ata arritën në përfundimin se fëmijët të cilët flenë më së paku, kanë rrezikun më të lartë të trashjes, dhe atë qysh në moshën 7-vjeçare.

Shkencëtarët theksojnë se fëmijët në moshë 6-mujore deri në 2-vjeçare duhet të flenë të paktën 12 orë në ditë. Fëmijët e moshës 3 deri 4-vjeçare duhet të flenë të paktën 10 orë në ditë, në moshën 5 deri 7-vjeçare të paktën 9 orë në ditë.

Shkencëtarët gjithashtu erdhën në përfundim se fëmijët në familjet me gjendje më të dobët financiare dhe me arsim më të vogël shpesh flenë shumë pak.

Mungesa e gjumit mund ta pengojë në mënyrë të konsiderueshme ndërtimin e trupit, ta nxitë lirimin e tepruar të hormoneve të urisë, ta zvogëlojë dëshirën për aktivitet fizik dhe ta rritë dëshirën për ushqim.

Komento