Ndikimi i stresit në lëkurë

Me vite stresi lidhet me shumë probleme shëndetësore. Tensioni i lartë i gjakut dhe migrena, për shembull, mund të jenë shenja që jemi shumë nën stres.

Por, a e keni ditur që një nga vendet e para ku tregohet stresi është pikërisht lëkura jonë?

Sa herë që ndihemi me ankth apo keq, hipotalamusi i dërgon sinjal hipofizës, e cila e transmeton më tej te gjëndrat mbiveshkore. Ato pastaj prodhojnë kortizolin, hormonin e stresit. Pasi që kortizoli injektohet në sistemin tonë, ai komunikon me të gjitha organet tona dhe shkakton inflamacion si reagim ndaj stresit. Inflamacioni çon deri te dëmtimi i qelizave.

Inflamacioni afatshkurtër ndihmon në luftë kundër sëmundjes, por inflamacionet kronike dëmtojnë seriozisht trupin dhe janë të lidhura me sëmundjet e ndryshme, siç janë diabeti, artritisi dhe astma. Çka nënkupton kjo për lëkurën? Kur poret janë të inflamuara, ato bëhen të ënjtura dhe ka shumë të ngjarë që të mbyllen. Aknet, rrudhat, thatësia dhe kruajtja shfaqen me inflamacionin dhe janë tregues i asaj se çka ndodh me të vërtetë brenda.

Shumë shpesh përpiqemi t’i fajësojmë ndikimet e jashtme për gjendjen e lëkurës sonë si çokollatën, pluhurin, madje edhe hormonet. Por, shkaku i vërtetë është shpesh emocional.

Sot, produktet të cilat premtojnë që do ta ndalojnë plakjen, fluturojnë nga raftet e farmacive e drejt në shtëpitë tona. Femrat i blejnë këto produkte për të ndalur procesin e plakjes, ndërsa në rini nuk janë kujdesur sa duhet për efektet e stresit në lëkurë. Madje edhe adoleshentët janë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të stresit dhe kjo shihet në lëkurën e tyre. Kjo më së shumti shihet kur dalin aknet. Fajtor është inflamacioni.

Shprehitë e shëndetshme janë shpesh gjëja e parë e cila ndihmon në mbrojtje ndaj stresit. Mësoni si ta merrni kontrollin ndaj gjërave të cilat janë me të vërtetë nën kontrollin tonë, dhe besoni apo jo, shumë stresues hyjnë në këtë kategori. Filloni me gjërat e vogla, ndërsa ndikimi pozitiv në tru mund të ndihmojë në reduktimin e hormonit të stresit.

Ecni në këmbë pesëmbëdhjetë minuta në ditë për të rritur nivelin e endorfinës e cila rregullon gjendjen e mirë shpirtërore. Gjeni mënyrë të shëndetshme për t’u relaksuar. Kjo mund të jetë masazhi, joga apo meditimi, gjithçka që ka efekt qetësues.

Flini! Gjumi është koha e shërimit, kur nivelet e kortizolit janë më të ulëta. Trupi dhe mendja janë të lidhura më shumë se sa jemi të vetëdijshëm. Lajmi i mirë është që kemi aftësinë për të reduktuar stresin me marrjen e hapave të vegjël çdo ditë. Provoni disa ndryshime të thjeshta të stilit të jetës, dhe fytyra juaj do të tregojë rezultate më shpejt se sa mendoni.