Nje e dashur me e madhe ne moshe?

Ndoshta ajo është lloji i marrëdhënies që shoqërohet me shakatë më therëse e ngritjen e vetullave të shumë prej nesh. Një femër që lidhet me një mashkull më të ri në moshë komentohet shpesh si lulja që po vyshket dhe ka nevojë për t’u ujitur.

Ndërsa partneri i saj më i ri shihet shpesh nga shoqëria si i dashuri-lodër, Piter Pani që refuzon të rritet apo një “shkencëtar” që zbavitet me subjektin e eksperimentit të tij.

Rastet e marrëdhënieve të tilla i shohim përditë sidomos në media. Yjet e Hollivudit, ilustruesit më të mirë të këtyre raporteve, po krijojnë dita-ditës bindjen se mosha nuk është më kriter kur vjen puna te çështjet e zemrës.

Prej shekujsh janë të njohura të ashtuquajtura faktet shkencore të cilat provojnë se meshkujt kërkojnë femra të moshës së tyre apo më të reja për qëllime riprodhimi, ndërsa femrat duan meshkuj të moshës së tyre ose më të mëdhenj për mbështetjen financiare dhe emocionale.

Pra, çfarë e “ndez” mekanizmin që krijon lidhjet mes femrave të pjekura me djem më të rinj në moshë.

Disa shprehen se femrat e pjekura e kërkojnë shoqërinë e meshkujve më të rinj se vetja për shkak të energjisë që ata kanë. Djemtë e rinj janë përgjithësisht të këndshëm dhe spontanë. Ata mund të jenë më fleksibël në marrëdhënie dhe nuk kanë egon e një burri të moshës mesatare.

Duke lënë mënjanë interesin financiar, i cili në disa raste shihet si arsyeja kryesore që mban në këmbë këto lloj marrëdhëniesh, le të ndalemi në shkaqet që i shtyjnë meshkujt e rinj drejt femrave më të mëdha në moshë.

1. Pjekuria.

Femrat më të mëdha në moshë kanë më shumë eksperiencë dhe kjo i bën meshkujt të ndihen më rehat në marrëdhënien me to. Vajzat e reja janë më pak të qëndrueshme në mendime në krahasim me gratë e pjekura, të cilat e dinë se çfarë duan dhe janë më të përgjegjshme në marrëdhënie.

2. Të qenit tabu

Njihet tendenca e njeriut për të dëshiruar atë që është e ndaluar. Të qenët “mollë e ndaluar” i bën shumë tërheqëse femrat më të mëdha në moshë.

3. Konkurrenca më e vogël

Vajzat e reja mund të kenë shumë admirues, ndërsa gratë e pjekura ofrojnë alternativën. Ka gjithnjë e më shumë gra tërheqëse beqare ose të divorcuara që janë të hapura për eksperienca me djem të rinj. “Gjueti” të tilla gjejnë vend në internet dhe në baret e qyteteve të mëdha.

4. Marrja e përgjegjësisë

Djemtë e rinj nuk kanë shumë eksperiencë me femrat dhe mund të mos e dinë çfarë duhet të presin prej tyre. Ata ua lënë komandën partnereve të tyre më të mëdha, të cilat janë gjetur më parë në situata të tilla. Një gjë e tillë duket se vlen edhe për anën seksuale. Shumica e njerëzve mendojnë se seksi bëhet më cilësor me kalimin e moshës dhe një partnere me eksperiencë konsiderohet si element plus. Femrat e pjekura e dinë se çfarë duan dhe dinë të kënaqin një mashkull në shtrat.

5. Inteligjenca dhe besimi në vetvete

Njerëzit fitojnë më shumë besim në vetvete me kalimin e viteve. Shumë prej meshkujve të rinj në moshë tërhiqen nga gra në moshë, pasi i gjejnë ato më pak sipërfaqësore. Për ta, një bisedë me një grua të tillë mund të jetë shumë më interesante dhe e zgjuar sesa me bashkëmoshataret e tyre, shpesh të papjekura dhe të cekëta.

6. Pavarësia financiare

Shumica e femrave të pjekura janë financiarisht të pavarura dhe kanë karriera të suksesshme. Meshkujve u pëlqejnë partneret që dinë të mbajnë veten dhe nuk kanë nevojë që dikush të kujdeset financiarisht për to.

7. Nevoja për figurën e nënës

Thuhet se meshkujt kanë fëmijën brenda vetes. Një grua e madhe në moshë di ta plotësojë shumë mirë këtë nevojë.

8. Tërheqja dhe dashuria

Disa meshkuj çuditen se si shokët e tyre të rrethuar nga vajza të reja tërheqëse joshen nga gra më të mëdha në moshë. Por faktet tregojnë se shumë femra të pjekura janë tërheqëse dhe në lidhjet me to mund të gjendet romanca apo dashuria. Cilët djem mund t’u rezistojnë 40-vjeçareve, si: Uma Turman, Xhenifer Aniston, apo Salma Hajek?

Komento