Një xhaketë për stinën e verës

Çdo femër do të donte një xhaketë që i nxjerr në pah siluetën dhe e bën të duket më e hollë. Por e rëndësishme është që të bësh kujdes me përmasat. Sepse edhe xhaketa, reflekton personalitetin dhe stilin tënd.

Në gardërobën e secilës prej nesh gjendet të paktën një xhaketë. Xhaketë e hollë për stinën e verës, për mesditë, për darkë, një xhaketë e drejtë, një casual, një sportive, një… zgjidh këshillat tona për të gjetur të duhurën që bën për ty…

Nëse je e shkurtër
Shmang xhaketat shumë të gjata (do të dukeshe më e shëndoshë). Syno më mirë ato të shkurtrat, sidomos nëse je e imët. Je pak e kolme? Zgjidh një me gjatësi deri në mes të vitheve dhe të prerë në bel. Në këtë mënyrë do të dukesh më e dobët dhe vështrimi i të tjerëve do të ndalet tek beli yt shumë femëror.

Nëse je e gjatë
Duhet të gjesh një xhaketë në proporcion me gjatësinë tënde. Mëngët duhet të jenë të gjata. Mund të zgjedhësh edhe materiale me dizajn plot fantazi. Ose për shembull mund të zgjedhësh një model me brez dhe me mëngë të gjera e të gufuara, në mënyrë që të shmangësh një stil paksa të ashpër.

Ngjyra
Të gjitha kemi një ngjyrë që na shkon më shumë se të tjerat. Për shembull, nëse ke lëkurë të zeshkët, nuancat e jeshiles dhe të verdhës do të të shkonin për shtat. Nëse ke lëkurë të çelur, duhet t’i shmangësh këto tone, sepse rrezikojnë të shuajnë ngjyrën tënde të lëkurës.

Këshilla stili

Gjatë ditës. Për në zyrë ose thjesht për një shëtitje, xhaketa është shumë praktike. Nëse dëshiron një stil casual, lëre të hapur dhe vish një bluzë glamour poshtë. Nëse e vesh me xhinse ose pantallona të ngushta, xhaketa duhet të jetë e shkurtër, maksimumi deri sipër vitheve. Për në punë zgjidh një xhaketë me prerje të drejtë, por jo shumë të gjatë. Kujdesu që të jetë me ngjyrë, në mënyrë që të mos duket shumë mashkullore. Por nëse e preferon të gjerë, kujdes që të mos jetë shumë e shkurtër, ama në këtë rast mund t’ia lejosh vetes çdo ngjyrë

Në mbrëmje. Xhaketa vishet nga maji në tetor. Në mbrëmje vish një pas trupit për një stil chic, por edhe për t’u ndier komode. Mund t’i japësh look-ut tënd nuanca glamour duke lidhur një shall përreth qafës, një detaj shumë trendy. Nëse dëshiron ta lidhësh mbi një fustan, zgjidh një xhaketë të shkurtër ose në gjatësi mesatare.