Obezitetin tek fëmijët

Obezitetin tek fëmijëtNjë studim anglez ka anketuar rreth tre mijë familje, duke i pyetur prindërit për vlerësimin e peshës së fëmijëve të tyre. Por vetëm katër prej tyre kanë deklaruar se fëmija i tyre ishte mbipeshë ose obez. Ku qëndron e çuditshmja?

Nëpërmjet matjeve të kryera te të njëjtat familje, u konstatua se në total, fëmijët mbipeshë ishin 369. Këtë gjë e ka pasqyruar faqja ueb e BBC, duke u bazuar te rezultatet e studimit të publikuar te “British Journal of General Practice”: mbipesha, me sa duket, është bërë një normë e re, prandaj është e vështirë për ta njohur.

Sigurisht, këtu duhet të merret për bazë edhe “ndjesia e nënës”, por njohja vetëm e një së dhjetës së fëmijëve mbipeshë nga prindërit, është një lajm më i keq se sa duket.

Në vitin 2013, sipas të dhënave të OBSH, në të gjithë botën rezultonin mbipeshë ose obezë 42 milionë fëmijë nën 5 vjeç. Madje në rajonin europian, një në tre fëmijë të moshës 11 vjeç ishte mbipeshë ose obezë. Për sa i takon Italisë, të dhënat thonë se në vitin 2014, 20,9% e fëmijëve ishin mbipeshë dhe 9,8% obezë, me prevalencë më të madhe se sa në jug dhe qendër të Italisë.

Për sa u përket informacioneve të mbledhura në vendin tonë, prindërit nuk kanë gjithmonë një kuadër korrekt për peshën e fëmijëve të tyre. E thënë ndryshe, nënat e fëmijëve mbipeshë ose obezë, nuk i shohin ata si të tillë, por mendojnë vetëm se hanë shumë.

Në vitin 2014, në Shqipëri 4% e fëmijëve 8-10 vjeç ishin obezë, ndërsa rreth 16% e tyre ishin mbipeshë.
Ndërkohë, të dhënat mbi obezitetin te fëmijët edhe në Britaninë e Madhe nuk janë më të mira: në moshën 6 vjeç, llogaritet se një ndër pesë fëmijë është mbipeshë, pra 14%. Ky është një problem tepër evident kudo dhe fakti se 31% e prindërve që morën pjesë në studimin anglez, tentuan që të nënvlerësojnë peshën e fëmijës së tyre, nuk ndihmon asnjërën palë.

“Nëse prindërit nuk arrijnë të dallojnë se fëmija i tyre është obez, ka shumë mundësi të ndodhë që ata të përkeqësojnë shëndetin e të vegjëlve dhe jo t’i ndihmojnë për të arritur një peshë më të shëndetshme”, tha për BBC, Russell Viner, nga Instituti i Shëndetit të Fëmijëve. Në të ardhmen, kjo gjë mund të kthehet në një problem të madh shëndetësor publik.

Si mund ta kuptoni se fëmija juaj është mbipeshë?

Indeksi i masës trupore, për fëmijët, nuk është i mjaftueshëm për të vlerësuar peshën e tepërt. Llogaritja (pesha e shprehur në kilogram e ndarë në katrorë të gjatësisë në metra) duhet të jetë e kombinuar me konsultimin e tabelave të përqindjeve, të ndara sipas gjinisë. Kjo, për sa i përket llogaritjes së masës trupore, ndërsa për sa i përket “luftës” së kilogramëve të tepërt të fëmijës suaj, mund të thuhet se një faktor i rëndësishëm është përfshirja e gjithë familjes në zgjidhjen e këtij problemi.

Marrja e masave së bashku jo vetëm do t’ju ndihmojë edhe juve të fitoni zakone të shëndetshme por, do ta bëjë fëmijën të mos ndihet i vetëm dhe i përjashtuar nga normaliteti. Mos i përcaktoni asnjëherë vetë dietë dobësimi fëmijës suaj. Marrja e pamjaftueshme e kalorive dhe lëndëve ushqyese, mund shkaktojë çrregullime në rritjen e tij. Bëjini të ditur fëmijës tuaj se është i dashur, i veçantë dhe i rëndësishëm.

Ndjenjat e fëmijëve për veten janë zakonisht të bazuara në ndjenjat që prindërit kanë për ta. Pranojeni fëmijën tuaj me çdo lloj peshe. Fëmijët ndihen shumë më mirë me veten kur prindërit i pranojnë siç janë. Dëgjojini shqetësimet e fëmijës në lidhje me peshën e tij/saj. Vetë fëmijët e dinë më mirë nga kushdo tjetër problemin që mund të kenë me peshën. Ata kanë nevojë për mbështetje, mirëkuptim dhe inkurajim nga prindërit.

Kujdes!

–Inkurajoni fëmijën të bëjë aktivitete fizike si: çiklizëm, tenis, vrap, not etj.

–Përpiquni t’i reduktoni kohën përpara televizorit në jo më shumë se dy orë në ditë.

–Mbani mend, jeni ju shembulli kryesor për gjithçka përvetëson fëmija juaj!

Komento